MENU
klinika

Nobelisti klasik helen

Jorgos Seferis poeti-diplomat

13.03.2019 - 13:08

Nuk ka badra, vjollca, as zymbylë

Si të flasësh me të vdekurit

Të vdekurit dinë vetëm gjuhën e luleve

Ndaj heshtin

Shtegtojnë dhe heshtin, durojnë dhe heshtin

Veç vendi i ëndrrave, veç vendi i ëndrrave

 

 

Nobelisti i parë grek, Jorgos Seferis, lindi më 13 mars 1900 në Izmir të Turqisë. Punoi si diplomat për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe mori çmimin “Nobel” për Letërsi, në vitin 1963. Poeti, eseisti, përkthyesi dhe diplomati është përfaqësuesi i parë i brezit të viteve 1930, pionieri i modernizmit në letërsinë greke. Më 10 dhjetor 1963, Akademia Suedeze do t’i akordojë për herë të parë Jorgos Seferisit, çmimin “Nobel”, në garë me emra shumë të mëdhenj si Pablo Neruda, Vladimir Nabokov, Sharl dë Gol, Samuel Beket etj. Poeti grek u konsiderua si poeti ideal i klasicizmit, që përfaqësonte Greqinë si modelin e qytetërimit evropian.

Jorgos ishte djali i madh i Stelios dhe i Dhespinës. Filloi të shkruajë vargje që në moshën 14-vjeçare, mirëpo lufta e Parë Botërore ndikoi disi në frenimin e krijimtarisë së shkrimtarit, pasi u detyrua të zhvendosej në disa vende për t’i shpëtuar luftës. Në vitin 1917 përfundoi gjimnazin klasik të Athinës. Më pas, e ëma së bashku me tre fëmijët u zhvendos në Paris, pranë të atit të Seferisit, i cili ushtronte profesionin e avokatit. Pra, një pjesë të rinisë Jorgos Seferis e kaloi në Paris. Studimet e larta i vijoi në Universitetin e Sorbonës, ku u diplomua me titullin “Doktor” në vitin 1924. Vitet e qëndrimit në Paris do të jenë vendimtarë për formimin e fizionomisë së tij poetike. Ishte koha kur lëvizja e modernizmit ishte në kulmin e zhvillimit të saj në mbarë Evropën.

Diplomacia dhe letërsia, një binom që e përfaqëson më së miri poetin, pasi nuk ndodh shpesh që diplomati të bëhet poet, apo poeti të bëhet diplomat, edhe pse është zgjidhja më e gjetur e dy drejtimeve që në esencë kanë delikatesën, vetëdijen që duhet të bëhet koshiencë dhe që i mungon politikës.

Gjatë viteve 1936-1938, Jorgos Seferis ka qenë Konsull i Përgjithshëm në Korçë, madje ndërtesa ku ai ka shërbyer njihet ende si “Ndërtesa Seferi”. Gjatë qëndrimit të tij dyvjeçar në Korçë, ai do të mrekullohet nga qyteti nën dëborë dhe do të frymëzohet për të shkruar disa nga poezitë e tij më të bukura. Në kujtimet e Seferit gjejmë jo rrallëherë përshkrime emocionuese: “E ndala shoferin në një majë. Para meje shtrihej një sipërfaqe plot me ujë. Përballë male shumë të lartë. Zbrita. I gjithë vendi ishte i mbuluar me dëborë. Vështrova, duke kërkuar në atë masë uji një barkë apo anije të vogël. Do të thosha se m’u duk si një det i vdekur. Ishte liqeni i Ohrit… I bukur me ujëra të kaltra… magjik…”.

Në shqip poeti grek është përkthyer pas viteve 1990, ndër të cilat: “Poezi”, “Legjendë”, pa përmendur edhe poezi të përkthyera e të botuara në revista të ndryshme letrare nga përkthyes të ndryshëm, së bashku me shkrime mbi krijimtarinë e tij letrare.  Gjithsesi, me kalimin e viteve Seferis u pozicionua gjithnjë e më shumë tek letërsia. Endja dhe mërgimi janë dy subjektet më të pranishme në poezinë e Seferisit, krijimtaria e tij i është përshtatur historisë së Greqisë. Komiteti i Çmimit Nobel e njohu Seferis si “përfaqësuesin e poezisë helene”. Poezia e tij shpesh ndërthur të folurën bashkëkohore dhe eksperiencën me mitin homerik, për më tepër në pjesën dërrmuese ai përshkruan peizazhin e Mesdheut.

Jorgos Seferis ishte Anëtar Nderi i Akademisë Amerikane të Artit dhe Shkencave, si dhe u bë Anëtar Nderi i Shoqatës së Gjuhëve Moderne.

Jasemini

Edhe kur errësohet
Edhe kur çel agimi
Mbetet i bardhë
Jasemini.