MENU
klinika

Kartolina me pamje të rralla

Elsie: Veshjet që po zhduk globalizimi

15.03.2019 - 17:09

“Në Malësinë e Veriut, çdo fis, madje çdo luginë dhe çdo fshat, kishte veshje të vetat që ishin të dukshme për popullatën në përgjithësi. Veshjet popullore tregonin jo vetëm përkatësinë fisnore dhe fetare, por edhe – për femrat në shumë raste – nëse gruaja në fjalë ishte e martuar apo jo. Veshjet popullore shqiptare ishin në përdorim të përgjithshëm deri në vitet ’30-të dhe në disa treva shqiptare edhe pas luftës së Dytë Botërore.

Madje edhe në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të njëzetenjë nuk është gjë e rrallë të shohësh gra të cilat përdorin veshje popullore përditë, apo të paktën në ditën e pazarit. Kjo vlen në radhë të parë për Veriun e Shqipërisë në rrethet e Shkodrës, të Malësisë së Madhe, të Lezhës dhe të Mirditës, por veshjet shfaqen tek-tuk edhe në zonat e thella të Shqipërisë së Jugut, të Kosovës, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë. Mirëpo, për fat të keq, globalizimi po i zhduk këto veshje me shpejtësi të madhe.

Gjatë tre dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit të njëzetë fotografitë e veshjeve popullore u shndërruan në kartolina dhe si në vendet e tjera, këto të fundit u futën në qarkullim për shitje. Kjo përmbledhje kartolinash të hershme na vjen nga fondet e Qendrës për Studime Shqiptare (Centre for Albanian Studies) në Londër, së cilës i jemi mirënjohës.

Në fund duhet theksuar se kjo përmbledhje ofron në radhë të parë kostumet e Veriut. Arsyeja e mungesës së veshjeve të Jugut nuk është se ato janë më pak të bukura apo më pak interesante, por thjesht sepse fotografët e parë dhe rrjedhimisht, kartolinat e para erdhën nga Veriu”, – ka shkruar studiuesi i njohur, Robert Elsie.