MENU
klinika

Por pranoje fatin - tha një shkrimtar

Kënaqu siç vetëm budallai di…

07.03.2019 - 12:47

Kultivo dyshimin ndaj ideologjive dhe parimeve dominuese.
Qëndro larg nga parimet.
Ki mendjen të mos e ndotësh gjuhën tënde me atë të ideologjive.
Binde veten se je më i fortë sesa gjeneralët, por mos u mat me ta.
Mos beso se je më i dobët sesa gjeneralët, por mos u mat me ta.
Mos beso në projekte utopike, përveç se tek ato që i koncepton vetë ti.
Tregohu njëlloj krenar përpara parimeve dhe turmave.
Ki ndërgjegjen e qetë për sa u përket privilegjeve që të jep zanati yt prej shkrimtari.
Mos ngatërro mallkimin e zgjedhjes tënde me shtypjen klasore.
Mos u obsesiono nga urgjencat historike dhe mos beso në metaforën e trenave të historisë.
Domethënë mos vrapo të hipësh në «trenat e historisë»: është vetëm një metaforë idiote.
Kujto gjithmonë këtë thënie: «Kush godet objektivin, gabon gjithçka».
Mos shkruaj reportazhe për vende që i ke vizituar si turist: të mos shkruash aspak reportazhe, nuk je gazetar.
Mos beso në statistikat, numrat, deklaratat publike: realiteti është ajo që nuk shikohet me sy të lirë.
Mos vizito fabrikat, kolkozet, kantieret: përparimi është diçka që nuk shikohet me sy të lirë.
Mos u merr me ekonomi, sociologji, psikanalizë.
Mos ndiq filozofitë orientale, zen-in, budizmin, etj., ke gjëra më të rëndësishme për të bërë.
Ji i vetëdijshëm për faktin se fantazia është motra e gënjeshtrës, kështu që është e rrezikshme.
Mos u shoqëro me asgjë: shkrimtari është i vetëm.
Mos u beso atyre që thonë se kjo është më e keqja e botëve.
Mos beso tek profetët, pasi je ti profeti.
Mos bëj profetin, arma jote është dyshimi.
Ki ndërgjegjen e qetë. Parimet nuk kanë të bëjnë me ty: je ti parim.
Ki ndërgjegjen e qetë. Minatorët nuk kanë të bëjnë me ty: je ti minator.
Dije se ajo që nuk u ke thënë kurrë gazetave nuk ka humbur përgjithmonë: është torfa.
Mos shkruaj me komandë për faktet e ditës.
Mos vër bast mbi çastin. Do të pendoheshe.
Mos vër bast as mbi përjetësinë. Do të pendoheshe.
Ji i kënaqur me fatin tënd. Vetëm budallenjtë janë të kënaqur.
Mos ji i pakënaqur me fatin tënd. Je një njeri i zgjedhur.
Mos kërko shfajësime morale për njerëz që kanë tradhëtuar.
Ruaju nga «koherenca e tmerrshme».
Ruaju nga analogjitë false.
Besoju atyre që e paguajnë shtrenjtë moskoherencën e tyre. Mos u beso atyre që e shesin shtrenjtë moskoherencën e tyre.
Mos mbështet relativitetin e të gjitha vlerave. Hierarkia e vlerave ekziston.
Priti me indiferencë shpërblimet e princave, por mos bëj asgjë për t’i merituar.
Bindu se gjuha më të cilën shkruan është më e mira e të gjithave, pasi nuk ke tjetër.
Bindu se gjuha në të cilën shkruan është më e keqja, anipse nuk do ta ndryshoje me asnjë.
Mos ji servil. Princat të marrin për portier.
Mos ji mendjemadh. Do te dukesh si portieri i parimeve.
Mos beso se ajo që shkruan është e kotë nga pikëpamja sociale.
Mos beso se ajo që shkruan është një punë «shoqërisht e dobishme».
Mos besoj se ti vetë je një anëtar i dobishëm i shoqërisë.
Mos lejo të bindesh se për këtë je një parazit i shoqërisë.
Krijo një opinion personal për gjithçka.
Mos e shpreh opinionin tënd personal për gjithçka.
Fjalët e tua janë më të çmuarat.
Mos fol në emër të kombit tënd. Kush je ti që të përfaqësosh këdo, përveç vetvetes?
Mos qëndro në opozitë. Ti nuk je përballë, je nën.
Mos u vendos përkrah pushtetit. Ti je sipër.
Lufto padrejtësitë sociale, pa e bërë atë program.
Mos lejo që lufta kundër padrejtësive sociale të të shmangë nga rruga jote.
Njihe opinionin e të tjerëve dhe më pas harroje.
Mos bëj ndonjë program politik, mos bëj asnjë program. Ti krijon nga magma dhe nga kaosi i botës.
Ruaju nga kush të propozon zgjidhje finale. /Bota.al