MENU
klinika

Procedurat si do të jepet

Keni humbur certifikatën e pronësisë?

11.03.2019 - 13:45

Ligji i ri për Kadastrën që parashikon bashkimin në një institucion të vetëm të Agjencisë së Legalizimeve dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme parashikon një serë risish në procedurat e hipotekimit të pronave.

Referuar ligjit, sa i përket certifikatave të pronësisë, ligji i ri parashikon se drejtoritë vendore, në përfundim të regjistrimit fillestar ose pas regjistrimit të çdo kalimi pronësie nga një pronar te një tjetër, duhet të lëshojnë certifikatën e pronësisë.

Certifikata e pronësisë është dokumenti unik i papërsëritshëm që provon titullin e pronësisë, statusin ligjor dhe kufijtë e pronës.

Certifikata e pronësisë i lëshohet vetëm personit pronar ose bashkëpronarëve. Në rastin e bashkëpronësisë certifikata hartohet në aq kopje sa është numri i bashkëpronarëve.

Certifikata e pronësisë duhet të shoqërohet gjithnjë me kopje të kartelës kadastrale dhe hartës përkatëse kadastrale.

Pas çdo ndryshimi të pronësisë mbi pasurinë, bashkimi apo ndarjeje të saj, lëshohet certifikatë, kartelë dhe hartë e re, sipas gjendjes së përditësuar.

“Certifikata e pronësinë, bashkëpronësisë lëshohet mbi bazën e një dokumenti ligjor origjinal që përcakton krijimin e këtyre të drejtave. Një certifikatë e lëshuar në kundërshtim me këtë parashikim konsiderohet absolutisht e pavlefshme. Lëshohet certifikatë dhe për vërtetimin e të drejtave të tjera reale mbi pasurinë e paluajtshme, si: qiraja, enfiteoza, përdorimi, uzufrukti, servituti, hipoteka etj.” parashikohet në ligj.

Sa i përket modelit të certifikatës së pronësisë dhe certifikatave për të drejtat e tjera reale mbi pasurinë, ligji i ri parashikon se ai miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Certifikatat që lëshohen jashtë modelit të miratuar nga qeveria nuk do të kenë asnjë vlerë ligjore.

Ligji përcakton gjithashtu edhe procedurën që do të ndiqet në rastet kur certifikatat e pronësisë humbasin apo dëmtohen.

Referuar ligjit të ri, Pronarit, bashkëpronarit apo titullarit të së drejtës reale të një prone mund t’i lëshohet një certifikatë “Dublikatë” vetëm kur origjinalja humbet ose është dëmtuar në mënyrë të palexueshme.

“Në këto raste pronari/bashkëpronari ose titullari i së drejtës reale duhet të paraqesë një kërkesë ku të tregojë faktin e humbjes së certifikatës origjinale ose të tregojë certifikatën e dëmtuar” përcaktohet në ligj

Ndërkohë, Drejtoria vendore është e detyruar që të publikojë njoftim për certifikatën e humbur apo të dëmtuar, për 15 ditë. Vetëm pas kalimit të këtij afati mund të lëshohet certifikata e re.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Legalizime të paligjshme

KLSH kallëzon 4 zyrtarë në Dibër