MENU
klinika

Dokumentari për Kosovën

“Kombi i vogël, i çmendur pas futbollit”

22.03.2019 - 12:55

Kosova mbrëmë ka bërë një tjetër paraqitje të mirë në futboll, teksa barazoi 2-2 në Prishtinë ndaj Danimarkës. Jehona e suksesit e ka kaluar kontinentin evropian.

Grupi australian i kanaleve televizive, Sport Optus, ka bërë të ditur se e ka xhiruar një dokumentar për Kosovën, pas suksesit së “Dardanëve” në Ligën e Kombeve të UEFA-s.

Sot është publikuar një video e shkurtër nga ky dokumentar, ku ndër të intervistuarit është edhe Samir Ujkani, kapiten i ekipit kombëtar të Kosovës. Dokumentari i plotë do të publikohet javën e ardhshme.

konica sportkonica sport mobile

“Kombi i vogël, i çmendur pas futbollit, që e kapi vëmendjen e të gjithëve në Ligën e Kombeve të UEFA-s. Çfarë vjen tani, kualifikimi në EURO 2020?”, – shkruan Optus Sport në llogarinë zyrtare në Twitter.

Në këtë video janë të grumbulluara disa nga momentet më të mirë të ekipit kombëtar të Kosovës, si fitorja ndaj Azerbajxhanit, që u siguroi “Dardanëve” një vend në play-offs për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020.

Nëse Kosova nuk arrin të kualifikohet në EURO 2020 përmes fazës së grupeve, atëherë e ka mundësinë të kualifikohet përmes play-off. Në Grupin A të kualifikimeve për Evropian, përveç Kosovës, janë edhe Anglia, Bullgaria, Republika Çeke dhe Mali i Zi.

“Shpresoj se çdo djalosh që rritet në Evropë do ta bëjë zgjedhjen e njëjtë si unë për t’i ndihmuar Kosovës të rritet”, – thotë Samir Ujkani, portieri dhe kapiteni i Kosovës.

“Jemi vetëm dy milionë njerëz dhe tani jemi të përfaqësuar në botë. Për mua, për ne, për të gjithë në Kosovë, futbolli është gjithçka. Futbolli është vetë jeta”, – shprehet një tifoz.

“Mendoj se shumica e njerëzve as që e dinë ku është Kosova. Njerëzit mendojnë se Kosova ka reputacion të keq për shkak të luftës së fundit. Unë u dërgova në Turqi, në një kamp refugjatësh, së bashku me familjen time” – thotë një tifoz tjetër.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN