MENU
klinika

Filip Shiroka – poeti i dallëndysheve

“Kombi qytetërohet me mësimin e gjuhës”

23.03.2019 - 14:33

Poeti i soneteve të ndryshme, Filip Shiroka, lindi në vitin 1859 në Shkodër dhe u rrit në një mjedis të kulturuar.

Si mbaroi studimet e larta në Itali u kthye në atdhe. Si i ri që ishte, u inkuadrua në lëvizjet përparimtare të kohës, i përndjekur nga qeveria turke, më 1880 mërgoi në Egjipt ku punoi si inxhinier në konstruksionin e hekurudhave. Veprimtarinë patriotike e vazhdoi edhe në Egjipt, madje atje ra në kontakt me shumë patriotë me të cilët thelloi edhe më shumë idetë atdhedashëse.

Lidhi miqësi me Çajupin, bashkëpunoi me revistën “Albania” të Faik Konicës, njëkohësisht ishte edhe Kryetar i Klubit “Vllaznia Shqiptare” me një aktivitet të pasur letrar, kulturor dhe atdhedashës. Në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur Fuqitë e Mëdha, pasi dështuan t’ia jepnin Malit të Zi, Hotin e Grudën, vendosën t’i kompensojnë me Ulqinin e Tivarin, Filip Shiroka shkroi në italisht vjershën kushtrim “Shqiptarë! në armë! në armë!”, botuar në Milano, një poezi me theks luftarak kombëtar kushtuar mbrojtjes së dy qyteteve shqiptare. Gjatë viteve 1920-1924, së bashku me Pashko Vasën e të tjerë, përkrahën opozitën demokratike.

Vepra “Zani i Zemrës” u botua në Tiranë në vitin 1933 nën kujdesin e Dom Ndoc Nikaj. Pseudonimi letrar do të ishte Geg Postriba dhe Ulqinaku.

Filip_Shiroka-konica.al
Filip_Shiroka-konica.al

Poeti që shkroi me pseudonimin Geg Postriba dhe Ulqinaku është autor i së paku 60 poemave, tri tregimeve të shkurtra, artikuj të ndryshëm dhe disa përkthime të botuara në gazetat shqiptare të kohës.

Vjershat “Shko dallëndyshe” dhe “Dallëndyshe eja” janë nga krijimet më të bukura dhe më të njohura të Rilindjes Kombëtare. Në poema të tjera si “Burri i Pyrros”, “Gjergj Kastrioti”, “Shqypnia” etj. autori kthehet në të kaluarën historike, tek ilirët apo në epokën e Skënderbeut, duke bërë haptazi thirrje për çlirimin e Shqipërisë nga perandoria osmane.

“T’mujshe edh’ un’ me fluturue,
Dojsh’ edhe un’ m’u nisë me ty,
Dojshe n’Shkoder me kalue
M’e pa prap at’ vend me sy!
Por…ti shko atje… flutrim,
E ti qajma fatin tim…

Poezia “Bylbyli” simbolizon vetë poetin, i cili ka për të mbetur e për të vdekur në dhe të huaj.

Melankolia dhe humori i hollë i shkojnë shumë për shtat Shirokës, që me vjershat e këtij lloji sjell një notë vetjake në poezinë e rilindjes shqiptare. Poeti i soneteve të shkruara rrjedhshëm, bukur, me ndjenja të holla, një krijues lirik i lindur e krejt i natyrshëm, mjeshtër i gjuhës, i shprehjeve të ëmbla dhe të pastra. Një sonet romantik nga idetë, por klasik për nga tonaliteti, vetëpërmbajtja e ndjenjave të autorit dhe e thellësisë së figurës së dhënë, për këtë veçori ai zë një vend të nderuar në historinë e letërsisë shqipe.

M’qaj bylbyl kur drit’e hanës
bie mbi vorre me i prarue
m’qaj bylbyl o mbret i kangës,
se n’dhe t’huej kan’ me m’vorrue.

“Kurrë nuk kemi të drejtë të quhemi komb i qytetëruar, sado që të mësojmë gjuhë të huaja, sepse kombi nuk qytetërohet vetëm me mësimin e gjuhëve të huaja, por me mësimin e gjuhës së vet”, – do shprehej Shiroka.

Filip Shiroka vdiq në vitin 1935 dhe u varros jashtë atdheut, por në vitin 1960 u mundësua riatdhesimi i eshtrave për t’u prehur përjetësisht në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër.