MENU
klinika

Detaje

TEC-i Vlorë, Ministria e Energjisë pezullon garën

16.03.2019 - 21:44

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur të shtunën se ka pezulluar përkohësisht procedurën e dhënies me koncesion të termocentralit të Vlorës.

Me një njoftim për mediat, ministria shprehet se pezullimi është bërë me qëllim dhënien e përgjigjes për informacionet shtesë të kërkuara nga kompanitë e interesuara. Sipas ministrisë, ky vendim synon mundësimin e pjesëmarrjes të sa më shumë ofertuesve në garë.

Si pjesë e procedurës konkurruese, më datë 15 Janar u zhvillua një vizitë në terren, në të cilën morën pjesë 27 përfaqësues nga shoqëri të interesuara.

tec-i-vlore-konica.al

23 prej tyre kanë marrë akses në bazën ku ndodhen të dhënat teknike dhe financiare rreth termocentralit ekzistues të Vlorës, shkruan Scan.

Pas vizitës në terren, nga ana e operatorëve ekonomikë të interesuar u paraqitën 48 kërkesa për sqarime shtesë, të karakterit teknik dhe ligjor.

Me qëllim sqarimin e këtyre kërkesave, procedura e dhënies me koncesionit është pezulluar përkohësisht. Për momentin, Ministria nuk ka dhënë afate kohore për rihapjen e garës.

TEC-i Vlorës nuk është vënë asnjëherë në punë që nga ndërtimi i tij.

Gara e hapur nga qeveria parashikon investime për kthimin e tij në gjendje pune dhe modifikimin e teknologjisë, në mënyrë që ai të funksionojë me gaz natyror dhe jo më me gazoil.