MENU
klinika

Urtësia para tiranisë

Konfuci pararendës i ungjillit

24.03.2019 - 11:44

 

“Pavarësisht se sa i zënë je, gjej kohën për të lexuar ose rri në injorancën që vetë e zgjodhe…”.

 

Nëse sot do të na shfaqej para me pamjen e tij me flegra të zgjeruara, sy formë bajameje dhe një gungë e madhe, do ta gjykonim si një njeri qesharak. Mjekra dhe mustaqet i vareshin në tri bishtaleca, veshur një kimono japoneze. Ishte trupgjatë dhe i fortë, gjuetar i pasionuar, muzikant i talentuar dhe, sa i përket inteligjencës, një gjeni i vërtetë. Zgjuarsia e tij e thellë dhe e hollë nuk është vlerësuar shumë në Perëndim, po ashtu edhe personaliteti gjigantesk e i patëdytë në histori, e njeriut që i vetëm arriti të përshtatë intelektin dhe zakonin e një populli.

Filozofi dhe mendimtari kinez ushtroi një ndikim të madh në kulturën kineze, madje edhe në historinë e saj. Konfuci jetoi në Kinë, më shumë se 500 vjet para Krishtit (551-479). Ishte një nga mjeshtërit më sublim të artit të të jetuarit, Mjeshtër në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Nuk ishte as shenjt e as profet. Edhe pse shpeshherë doktrina e tij identifikohej me besimin fetar të Kinës, atij nuk i interesonte shumë feja dhe jeta e përjetshmja. Ai ishte shpikësi i rregullit të artë, që është një nga gonxhet më të qarta të Ungjillit.

Konfuci e bëri traditën subjekt të mendimit të tij. Duke pranuar se tradita ruan lidhjet e forta me shoqërinë, ai këshillonte një marrëdhënie të vetëdijshme me të, me qëllim që ta siguronte nga çdo falsifikim i vetëdijshëm dhe të hapte në këtë mënyrë rrugën e zhvillimeve të domosdoshme. Kërkonte urtësinë e mirë dhe të drejtë, mbi të gjitha urtësinë para tiranisë. E tillë ishte teoria e Konfucit, që e ka ruajtur deri në ditët tona gjykimin e saj të shëndoshë.

Po ashtu, ai thekson se njerëzit shpirtvegjël, përveç të tjerave, janë të lodhshëm, kur fitojnë familjaritet me ty, fillojnë kërkesat dhe, kur i mban në distancë, ata bëhen hakmarrës.

I lidhur me përgjegjësitë e mëdha në një vend të ndarë, i prirur ndaj pabarazive shoqërore dhe një venitje të zakoneve, Konfuci përdori me sukses reforma të shumta dhe ia doli mbanë, sipas traditës, të rivendoste rregullin dhe të vinte në vend drejtësinë. Eminent, pedagog, filozof dhe politikan, Konfuci është një nga figurat e mëdha të qytetërimit të Kinës së lashtë dhe themeluesi i sistemit arsimor feudal.

Konfuci vajtonte çrregullsinë dhe mungesën e konsideratave etike nën dinastinë e Chou dhe synonte të bashkonte besimtarët dhe mësuesit e urtësisë së Antikitetit, duke i nxitur nxënësit e tij drejt autorëve të letërsisë së vjetër kineze. I kushtonte një rol të rëndësishëm muzikës. I caktonte një vlerë të madhe pushtetit të shembullit, ai përkrahte idenë se qeverisësit duhet të bënin një jetë shembullore, për t’i bindur qytetarët që të ecnin nën shembullin e tyre. Shtetit i mbetej veçse t’i gëzohej mbarësisë dhe lumturisë. Pra, ashtu si mjekësia kineze shqetësohet para së gjithave që të shërojë shkaqet e sëmundjes, doktrina konfuciane propozon shërimin e shkakut të çrregullimeve shoqërore.

 

 

Konfuci ishte i mendimit se njeriu duhet të ndjekë rrjedhën e pesë virtyteve: mirësisë, drejtësisë, përshtatjes, urtësisë dhe besnikërisë. Respekti ndaj prindërve, jetës dhe vdekjes ishte gjithashtu një nga konceptet e tij kyçe. “Pesë librat kanonikë” shprehin thelbësoren, “Analectes” përbënte burimin më të besueshëm në jetën e tij. Në të gjallë njihej si mendimtar i madh dhe, më pas, si një qenie mbinjerëzore. Konfuci edhe pse nuk e thirri emrin e Zotit, u shndërrua në Ambasadorin e Urdhrit të tij kozmik, që përhapte nga koleksioni i idealit dhe shqetësimi vetjak në lidhje me respektin dhe dashurinë e të tjerëve. Pra, duhet konsideruar më shumë si mjeshtër i urtësisë, sesa një mistik. Ende sot vazhdojmë t’i bëjmë homazhe mjeshtrit shpirtëror.

Në antikitet, Konfuci njihej si “i pari të mençurve” dhe “modeli i dhjetë mijë gjeneratave”. Në ditët tona ai njihet si një prej figurave më të rëndësishme të qytetërimit. Ndihma që ka dhënë në edukim dhe roli i rëndësishëm që ka luajtur në këtë fushë, i kanë siguruar një vend të jashtëzakonshëm në historinë kombëtare dhe ndërkombëtare jo vetëm në fushën e arsimit, por edhe në atë të kulturës. Konceptimi i shkollës, i cili njihet edhe si babai i saj është në një diapazon që mbetet ende i ndjeshëm.

Po bëhen vite që Konfuci është rikthyer në modë, duke u shndërruar në subjekte studimi dhe vlerësimi i aktualitetit, madje dhe vetë filozofisë. Gjatë gjithë jetës së tij, Konfuci pati pasionin e të mësuarit dhe të mësimdhënies. Filloi të lidhet me dishepujt, kur kishte mbushur të tridhjetat. Në total pati 3 mijë dishepuj, nga të cilët 73 zotëruan “gjashtë artet”. Për nga madhësia, numri i nxënësve, si dhe për nga cilësia e nivelit, shkolla e Konfucit ishte unike në kohën e tij. Iu përkushtua arsimit për gjysmë shekulli, derisa sëmundja e mori në moshën 72-vjeçare.