MENU

Mungesa e investimeve

Korçë/ 20 Monumente Kulture në rrezik

22.03.2019 - 16:30

Në qarkun e Korçës, rreth 167 objekte Monument Kulture të kategorive të ndryshme, kërkojnë ndërhyrje për të shpëtuar vlerat e rralla që mbartin.

Kisha e Shën Mërisë në Niçë të Pogradrecit, kryeson listën e 20 Monumenteve ku nevojiten ndërhyrje urgjente, pasi rrezikohen pas dimrit të ashpër që kaloi qarku i Korçës.

Mungesa e vëmendjes për vite me radhë ka bërë që objekti fetar i mbrojtur nga shteti të rrezikojë dëmtime të parikthyeshme.

“Ka ndjeshmëri të madhe për banorët, që kanë iniciativën për ta financuar vetë restaurimin e kësaj kishe. Ne kemi miratuar projektin e restaurimit dy muaj më parë në Këshillin Kombëtar të Restaurimit dhe parashikojmë që kur koha të jetë optimale të ndërhyjmë për ta shpëtuar këtë objekt dhe për ta nxjerrë nga lista e rrezikut.”, shprehet Gjergji Koki.

Ura dhe shtëpi karakteristike qindra vjeçare plotësojnë listën e objekteve të mbrojtura që kanë në nivelin më të lartë të riskut.

Koki shton më tej se janë dhe një numër i konsiderueshëm urash që synohet të restaurohen në vitet e ardhshme.

“Shumica prej tyre janë banesa private që ndodhen në fshatra të thella, si zona e Mokës, Devollit apo zona të tjera në pjesën e Ersekës. Gjithashtu janë edhe disa ura që synojmë ti restaurojmë në vitet që vijnë, apo objekte kulti që kanë funksione të ndryshme”, thekson ai.