MENU
klinika

Flet ambasadori

Kosnett: SHBA mbështeti NATO-n për spastrimin etnik të Kosovës

24.03.2019 - 12:41

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, në 20 vjetorin e sulmeve të NATO-s, bëri thirrje që Kosova dhe Serbia të nxjerrin para drejtësisë ata që kanë kryer krime të luftës.

Ambasadori amerikan, përmes një videomesazhi, ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbështetën NATO-n si domosdoshmëri për t’i dhënë fund fushatës së pastrimit etnik të regjimit të Millosheviç, pas dështimit të përpjekjeve diplomatike për të arritur një zgjidhje paqësore.

“Njëzet vjet më parë, SHBA-ja dhe aleatë të tjerë të NATO-së intervenuan për të ndaluar një katastrofë humanitare që po shfaqej në Kosovë. Ky përvjetor na nxit të reflektojmë mbi koston njerëzore dhe për dhimbjen që e ndajmë edhe sot. Shtetet e Bashkuara mbështetën NATO-në si domosdoshmëri dhe legjitime si një mjet i fundit për t’i dhënë fund fushatës së pastrimit etnik të regjimit të Millosheviç, pas dështimit të përpjekjeve diplomatike për të arritur një zgjidhje paqësore. SHBA veproi në mbështetje të civilëve të pambrojtur.

Ne vepruam për të ruajtur paqen, lirinë dhe stabilitetin në rajon. Këto qëllime pasqyrojnë vlerat e thella amerikane. Ne besojmë se të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh përkatësinë etnike ose fetare, e meritojnë të jenë të lirë dhe të sigurt. Në këtë përvjetor, kujtojmë qindra mijëra njerëz të pafajshëm të larguar nga shtëpitë e tyre dhe mijëra prej tyre pësuan dëme ose humbën jetën. Ne kujtojmë, dhe ne mbajmë zi për çdo jetë të humbur”. tha ambasadori.

Ai theksoi se trauma fizike dhe psikologjike vazhdon të rëndojë mijëra viktima dhe anëtarë të familjeve.

“Pra, sot, përveç reflektimit, unë kërkoj veprime. Unë e inkurajoj Qeverinë e Kosovës dhe të Serbisë që të sigurojnë që viktimat dhe familjet e tyre, të të gjitha nacionaliteteve dhe komuniteteve, të kenë qasje të plotë në informacionin për fatin e atyre që ende mbeten të zhdukur. Dhe unë u bëj thirrje të dy qeverive të rinovojnë përpjekjet për të ndjekur drejtësinë për viktimat e krimeve të kohës së luftës. Vetëm përmes përballjes me të kaluarën e tyre, populli i Kosovës dhe Serbisë shpresojnë të ndërtojnë shoqëri ku të gjitha komunitetet jetojnë së bashku në paqe dhe dinjitet”, nënvizoi Kosnett.