MENU
klinika

6 deputetë të rinj

KQZ zëvendëson nesër vendet vakante të opozitës

10.03.2019 - 14:09

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të zëvendësojë të hënën edhe gjashtë deputetë të tjerë të opozitës.

Tre prej tyre vijnë nga lista e Partisë Demokratike, ku në Berat Astrit Veliaj do të zëvendësohet nga Lefter Maliqi, në Korçë Klevis Balliu do të zëvendësohet nga Ligoraq Karamelo, ndërsa mandatin e Gent Strazimirit do ta marrë Majlinda Halilaj.

Sipas relacionit të KQZ, në datën 1 mars Halilaj ka paraqitur dorëheqjen nga marrja e mandatit, por tre ditë më pas  ajo ka dorëzuar formularin e dekriminalizimit duke nisur procedurën e marrjes së mandatit. Sa i përket LSI mandatin e Viktor Tushaj në Lezhë e merr Alda Hoti, e cila pavarësisht se ka dorëzuar dorëheqjen nga marrja e mandatit ka paraqitur edhe formularin e dekriminalizimit.

Në Durrës mandatin e Nora Malaj e merr Edlira Hyseni, ndërsa në Gjirokastër në vend të Vangjel Tavos do të jetë Ediola Braha. Në këtë mënyrë pas së hënës në Kuvend do të ketë 92 deputetë. 143 kandidatë të opozitës në listat e zgjedhjeve të 2017 kanë dorëzuar në KQZ vetëdeklarimin ku refuzojnë të marrin mandatin e deputetit.

Deputetët e rinj pritet të betohen në seancën plenare të datës 13 Mars duke e çuar në këtë mënyrë në 10 numrin e mandateve të asaj që cilësohet si opozita e re parlamentare në vend.