Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, në takimin me strukturat drejtuese në Tiranë, u shpreh se pavarësisht se nuk është përgjegjëse për listat e 2017, duhet të paguajë kusuret e mosbindjes të anëtarëve të saj.
Kryemadhi u shpreh se djegia e mandateve do të rikthejë LSI-në e ndryshimit të 2014, ndërsa kërkoi ndihmën e qyetarëve dhe të Zotit për zgjedhje të parakohshme.
“Djegia e mandateve tregoi edhe njëherë që lista e deputetëve nuk ishin zgjedhja e Monika Kryemadhit, por 17 deputetët që dogjën mandatet dhe të gjithë ata që pranuan të mos jenë pjesë e Parlamentit të krimit, janë krenaria e Monika Kryemadhit, janë krenaria e LSI-së. Politika ka kusuret e saj, qoftë unë qoftë Petriti, qoftë edhe shumë politikanë të tjerë, por nuk ka kusure Endriti, Floida, Kejdi e shumë të rinj e të reja, apo edhe ju këtu. Dhe ne kusuret tona do ti lajmë dhe do të përgjigjemi deri në fund për gabimet që kemi bërë”, u shpreh Kryemadhi.
Kryetarja e LSI deklaroi se djegia e mandatëve do të shërbejë si katarsis për LSI-në, ndërsa u shpreh se shumë shpejt do të ketë zgjedhje të parakoshme.
“Zoti na dhëntë forcë sepse shumë shpejt do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”, tha ajo.
LSI paralajmëroi që protesta e 16 marsit do të jetë një nga protestat më të forta që ka parë Shqipëria në këto dy dekada.