MENU
klinika

Vendimi, deklaratat dhe dëshmia

Kur Amerika merr në dorë Gërdecin!

19.03.2019 - 16:01

Më 14 Mars të këtij viti u bë publik vendimi i marrë nga një gjykatë në Florida, e cila sipas zbardhjes së dokumenteve ka hedhur poshtë pretendimet e Shkëlzen Berishës të ngritura në një çështje ndaj autorit amerikan Guy Lawson, autor i librit për Gërdecin “Arms&the Dudes”.

Vendimi është marrë në Florida në dhjetor, por ai ka qenë “i arkivuar” në heshtje deri më 14 mars, disa ditë më parë.

Nuk dihet pse Gjykata e Floridës vendosi ta bëjë publik atë për herë të parë më 14 mars, një ditë, para përkujtimit të 11 të shpërthimit të Gërdecit.

Vendimi:

Në argumentet e saj, gjykata hedh poshtë pretendimet e Shkëlzen Berishës, se ai nuk është i përfshirë në këtë veprimtari, duke ju referuar fakteve dhe investigimeve të mediave më të rëndësishme botërore, si “New York Times”, dokumentari i Al Jazeera, shtypit lokal shqiptar dhe pasuron dhe më tej akuzat ndaj tij, duke ju referuar librit të Lawson, i cili ka dëshminë e vajzës së Kosta Trebickës, e cila e konsideron Shkëlzenin, një të dyshuar të mundshëm të vrasjes së babait të saj.

Gjykata ka përshkruar në vendimin e saj historinë e shkurtër të biznesit të trafikut të armëve nga Shqipëria, në të cilën ishte i përfshirë Shkëlzen Berisha, duke treguar historinë e dy djemve amerikanë, Efraim Diveroli dhe shokut të tij, të cilët, e përshkruajnë si një aferë korruptive ku ishte e përfshirë mafia lokale shqiptare dhe djali i kryeministrit të Shqipërisë.

Pikësëpari, gjykata hodhi poshtë padinë e Shkëlzen Berishës, bazuar në statusin publik të tij.

Sipas saj, për të përcaktuar nëse në një çështje bëhet fjalë për shpifje apo jo, atëherë duhet përcaktuar nëse paditësi është figurë publike apo jo, dhe nëse materiali shpifës është një çështje private apo publike.

Sipas saj, deklaratat e bëra në këtë rast kanë lidhje me shitjen e armëve dhe korrupsionin që prekte qeverinë shqiptare.

Duke bërë një analizë të gjatë, gjykata del në përfundimin se paditësi mund të konsiderohet si një figurë publike, duke qenë se ai është djali i ish- kryeministrit të vendit.

Por, ajo vijon, duke thënë se figurat publike në mënyrë vullnetare e ekspozojnë veten ndaj deklaratave të pavërteta që mund të bëhen ndaj tyre.

Ndërkohë, paditësi akuzohet edhe për akte korruptive në çështjen e privatizimit të kompanisë energjetike shqiptare dhe Lotarisë Kombëtare të Shqipërisë.

Argumenti i dytë i dhënë nga Gjykata e Floridës lidhet me faktin nëse pala e akuzuar ka pasur apo jo qëllime dashakeqe ndaj paditësit.

Sipas kësaj gjykate, paditësi nuk është në gjendje që të vërtetojë që pas deklaratave të bëra nga pala e paditur, qëndrojnë vërtet qëllime dashakeqe.

vendimi i gjykates se florides-konica.al
vendimi i gjykates se florides-konica.al

Reagimi i Shkëlzen Berishës:

Dy fjale per nje beteje ligjore qe vazhdon.

Sic mund te jeni ne dijeni, ne vitin 2017 une ngrita padi ne Shtetet e Bashkuara te Amerikes kunder Efraim Diverolit dhe dy punonjesve te tjere te AEY, Alexander Podrizki dhe David Packouz, per deme te shkaktuara nga deklaratat e genjeshterta ne lidhje me mua, ne menyre qe te mbeshtetnin skemen e tyre kriminale per te mashtruar qeverine e Shteteve te Bashkuara te Amerikes.

Si pjese e kesaj ceshtje gjyqesore, une gjithashtu padita Guy Lawson dhe botuesit e librit te Lawson “Qente e Luftes” (apo “Armet dhe Cunat”) per publikimin e papergjegjshem te genjeshtrave te z. Diveroli dhe bashkpunetoreve te tij. Me botimin e ketij libri, z. Lawson nuk arriti te permbushe as standartet me minimale te gazetarise. Ai qellimisht shmangu intervista me mua dhe njerez te tjere qe kundershtonin genjeshtrat e Diverolit. Ai vendosi te bazohej ne deklaratat e pabazuara te nje grupi mashtruesish kronike dhe krimineleve te denuar, të cilet Lawson I pagoi per variantet e tyre te ngjarjes.

Per te gjithe ata qe kane rene pre e makinerise se shpifjes politike, me duhet te qartesoj se, as padite e per rrjedhoje as vendimi i gjykates nuk kane asnje lidhje me tragjedine e Gerdecit. Por vetem me shpifjet qe personat e lartpermendur kane tjerrur nder vite ne media te ndryshme ndaj personit tim per gjoja lidhje dhe ndikim ne aktivtetin e AEY.

Gjithsesi, gjate procesit gjyqesor, z. Diveroli deklaroi para gjykatës, nen betim se historia e perfshirjes time me AEY ishte nje trillim nga fillimi deri ne fund. Ne menyre me specifike, z. Diveroli pranoi qe:

1. Une nuk jam perfshire me AEY ne asnje lloj aspekti apo menyre;
2. Une nuk kam qene kurre ne nje takim me Diverolin ose me ndonje perfaqesues tjeter te AEY; dhe
3. Diveroli e trilloi kete histori per ti bere presion Kosta Trebickes qe te mos fliste per skemen mashtruese te AEY.

Por te vertetat qe dolen nga kjo ceshtje nuk mbarojne ketu. Dokumente te marra nga arkivat e z. Lawson deshmojne se qe ne vitin 2012, shume kohe para se ai te mbaronte hulumtimin e tij gazetaresk (nese mund te quhet i tillë), z. Lawson kishte vendosur sic shprehej dhe vete te “rrezonte Kryeministrin e Shqiperise”. Nje pjese teper e rendesishme e ketij plani ishte publikimi i ketyre genjeshtrave per te me demtuar mua. Me kete qellim, ai trilloi citime, burime dhe histori te ndryshme ne lidhje me mua.

Evidentimi i ketyre te vertetave te pamohueshme (ne mes shume te tjerave) nepermjet zbulimit te provave dhe fakteve ne kete process gjyqesor ka qene nje fitore shume e madhe morale per mua, vecanerisht pas gjithe ketyre viteve te mbushura me shpifje dhe genjeshtra ne lidhje me mua dhe AEY.

Gjykata e shkalles se pare vendosi qe z. Lawson dhe botuesit e tij nuk duhet te mbajne pergjegjesi per publikimin e genjeshtrave ndaj meje meqe une jam djali I nje politikani te njohur, dhe për pasojë person publik.

Me duhet te theksoj fort se ndryshe nga cfare eshte shkruar deri tani nga disa media (me qellim shpifjen), gjykata nuk beri asnje lloj percaktimi nese deklaratat e z. Lawson ishin te verteta apo jo. Gjykata thjesht vendosi qe bazuar ne interpretimin e saj te ligjit amerikan per mediat, z. Lawson nuk veproi me nivelin me te larte te keqdashjes kur publikoi ne menyre te papergjegjshme deklarata te genjeshterta ne lidhje me mua.

Sidoqofte avokatet e mi ne vleresimin e tyre profesional mendojne qe vendimi i gjykates per te mos lejuar qe z Lawson te gjykohet nga nje juri eshte thellesisht i gabuar.

Fatmiresisht, vendimi i kesaj gjykate nuk eshte nje vendim final. Ne momentin e leshimit te kesaj deklarate ky vendim eshte apeluar ne Gjykaten e Apelit per Qarkun e 11 dhe beteja ligjore vazhdon.

gjyqi i shkelzen berishes ne florida-konica.al
gjyqi i shkelzen berishes ne florida-konica.al

Dëshmia e Diverolit:

Efraim Diveroli, president dhe pronar i Kompanisë AEY, i angazhuar në prokurimin e armëve e municioneve në SHBA, ka pranuar para Gjykatës së Floridës se ka trilluar përfshirjen e Shkëlzen Berishës në takimin e tij me përfaqësues të kompanisë MEIKO.

Në deklaratën që ai ka dhënë më 7 maj të vitit 2018, pranon se ka mashtruar në librin e tij “Kur tregtoja armë”, për pjesëmarrjen e djalit të ish-Kryeministrit, në mënyrë që të avanconte me interesat e biznesit të AEY. Qëllimi kryesor, siç shprehet ai në dëshmi, ishte që Kosta Trebicka të mos fliste. Gjithashtu, edhe për faktin se ishte në dijeni që një histori e tillë mund të ndihmonte kompaninë e tij për të marrë mbështetje nga Departamenti i Shtetit në marrëdhënien mes AEY dhe MEIKOs.

Diveroli shpjegon se Trebicka e kishte shantazhuar për fishekët kinezë, duke i thënë se do të raportonte pranë Departamentit të Shtetit meqenëse kishte një klauzolë në kontratë, që nuk e lejonte blerjen e tyre. Për këtë arsye, ai kishte vendosur të trillonte historinë me Shkëlzen Berishën, në mënyrë që të frikësonte Trebickën. Ai shprehet ndër të tjera se e ka parë fotografinë e Shkëlzen Berishës dhe asnjëri nga pjesëmarrësit e takimit me MEIKO-n, ku ai ka marrë pjesë në Tiranë, nuk i ngjante.

efraim-diveroli-konica.al
efraim-diveroli-konica.al

“Përshkrimi im për Berishën si një ‘tip skandinav, me tipare të zbehta’ në librin tim ‘Kur tregtoja armë’, është qartazi i gabuar. Berisha nuk ka tipare ‘skandinave’ apo ‘të zbehta’”, ka deklaruar Efraim Diveroli.

Më poshtë sjellim të plotë deklaratën që Diveroli ka dhënë para Gjykatës së Floridës në SHBA.

DEKLARATË NGA EFRAIM DIVEROLI NË GJYKATËN E FLORIDËS,

SHBA, MË 7 MAJ 2018

Unë, Efraim Diveroli, në përputhje me 28 U.S.C. § 1746, deklaroj si më poshtë: Unë e bëj këtë deklaratë bazuar mbi njohuritë e mia personale. Nëse thirrem si dëshmitar, unë mund të, dhe do të dëshmoja me kompetencë për çështjet e shtruara në këtë deklaratë. AEY u krijua në shtetin e Floridës, me zyrat qendrore në Miami Beach. Në 2006 dhe 2007, AEY është angazhuar në prokurimin e armëve dhe municioneve.

Gjatë kësaj kohe, unë kam qenë Presidenti dhe pronari i AEY dhe kam menaxhuar dhe drejtuar veprimtarinë e AEY. David Packouz ishte një konsulent dhe i referohej vetes si drejtor dhe zv.President i AEY. Alexander Podrizki ka qenë një agjent i AEY me vendndodhje në Tiranë, Shqipëri. Më 26 janar 2007, Komanda e Mbarëvajtjes së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, e cila është një komponent i Departamentit të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, që është një sektor i Departamentit të Mbrojtjes, zgjodhi AEY për të përmbushur kontratën me numër W52P1J-07-D0004 për gjetjen dhe dërgimin e municioneve të ndryshme në Republikën Islamike të Afganistanit, përfshirë këtu fishekë të kalibrit 7.62x54mm dhe 7.62×39 mm.

Kontrata kishte një vlerë prej 298,000,000 dollarësh. Midis të tjerave, kontrata përmbante një klauzolë që nuk e lejonte AEY të përmbushte kërkesat e kontratës me municion të blerë “direkt ose indirekt” nga kompani ushtarake komuniste kineze. AEY nënkontraktoi një kompani të huaj, Evdin Ltd., për prokurimin e fishekëve me kalibër 7.62x54mm dhe 7.62x39mm. Nënkontraktori i AEY i mori këta fishekë nga Kompania për Import Eksportin Ushtarak në Shqipëri (“MEIKO”). Fishekët e MEIKO-s ishin prodhuar nga fabrika në Republikën e Kinës, mes viteve 1958 dhe 1974.

Fishekët do të dërgoheshin nga Shqipëria në Afganistan nëpërmjet fluturimeve të organizuara nga AEY. Në mënyrë që të kursenim kostot e transportit, përfaqësues të AEY vendosën të çmontonin arkat e drurit ku ishin depozituar kutitë e fishekëve. Në prill 2007, unë dërgova Podrizkin në Shqipëri si një agjent u AEY për të mbikëqyrur procesin e çmontimit të arkave të drurit dhe ngarkimin e fishekëve në avionët transportues. Gjatë këtij procesi, Podrizki zbuloi që fishekët e MEIKO-s ishin prodhuar në Kinë.

Packouz, Podrizki dhe unë kuptuam që gjetja dhe dërgimi i fishekëve të prodhuar në Kinë ishte një shkelje e klauzolës kontraktuale që ndalonte dërgesën e fishekëve të marrë në mënyrë indirekte nga kompani ushtarake komuniste kineze. Natyrisht, Packouz, Podrizki dhe unë diskutuam me njëri-tjetrin dhe njerëz të tjerë të AEY për mënyrën se si të evitonim këtë shkelje.

Një nga alternativat e propozuara ishte për të parë nëse Departamenti i Shtetit do të lejonte AEY të dërgonte fishekët e prodhuar në Kinë. Unë pata korrespondencë me Departamentin e Shtetit në lidhje me këtë çështje nëpërmjet e-maileve që shkëmbyem mes 20 dhe 24 prillit 2007. Departamenti i Shtetit na informoi që AEY nuk lejohej të dërgonte fishekët e prodhuar në Kinë. Packouz, Podrizki unë dhe të tjerë tek AEY vendosëm që të fshihnim origjinën e fishekëve, duke e hequr paketimin origjinal që kishte shenjat kineze dhe letrat identifikuese në gjuhën kineze dhe duke i ripaketuar fishekët në kuti kartoni. AEY në fillim punësoi ‘Xhoi Shpk’, një kompani shqiptare, për të ripaketuar fishekët në kutitë e kartonit.

Kontakti për AEY te ‘Xhoi’ ishte presidenti i ‘Xhoit’, Kosta Trebicka. Pasi AEY punësoi Trebickën për të ripaketuar fishekët, Podrizki më informoi se Trebicka kishte filluar të pyeste kontaktet e tij në qeverinë shqiptare në lidhje me kontratat e MEIKO-s me Evdin. Trebicka i tha Podrizkit dhe Podrizki më pas më tha mua, që Evdin po e blinte municionin me një kosto prej 0.02 dollarësh për çdo fishek. Gjatë kësaj kohe, AEY kishte rënë dakord me Evdin që të paguante 0.035 dollarë për fishek.

Kur mësova çmimin që Evdin po paguante MEIKO-n për fishekët, vendosa që AEY duhet të rinegocionte marrëveshjen për shitblerjen e fishekëve direkt me zyrtarët e MEIKO-s. Si rezultat, në maj 2007 vendosa të organizoj një takim personal me drejtorin e MEIKO-s, Ylli Pinarin. Në fund të majit 2007 unë shkova në Tiranë, Shqipëri. Gjatë kohës që qëndrova në Shqipëri, Podrizki dhe unë u takuam me përfaqësues të MEIKO-s për të negociuar një çmim të ri për fishekët.

Pjesëmarrësit e atij takimi ishin unë, Podrizki, Pinari, Mihal Delijorgji dhe individë të tjerë, që nuk e identifikuan veten. Gjatë këtij takimi më informuan që AEY mund t’i blinte fishekët me një çmim më të lirë nëse AEY do të prishte marrëveshjen që kishte me Trebickën për ripaketimin e fishekëve. Trebicka më kishte informuar që, nëse AEY do të përpiqej ta prishte kontratën me Trebickën për ripaketimin e fishekëve, Trebicka do të raportonte për aktivitetet e AEY në agjenci dhe institucione të ndryshme të qeverisë amerikane, gjë që ai në fund e bëri.

Unë e kuptova që Trebicka do të reagonte keq për prishjen e kontratës dhe mund të prishte punë për AEY në Shqipëri. U ndjeva i shantazhuar nga Trebicka dhe për t’i bërë presion që të mos fliste dhe për të marrë reduktimin e çmimit të fishekëve, unë, pa asnjë bazë faktike, vendosa t’i them Trebickës që kontrata e fishekëve ishte nën kontrollin e mafies shqiptare dhe që djali i Kryeministrit të Shqipërisë ishte i përfshirë.

Të nesërmen e takimit e informova Trebickën që AEY do të prishte kontratën për ripaketimin e fishekëve nga ‘Xhoi’. Gjithashtu, pa asnjë bazë faktike, i thashë Trebickës që Shkëlzen Berisha, djali i Kryeministrit të Shqipërisë, ishte një nga pjesëmarrësit e takimit me MEIKO-n dhe që mafia shqiptare po kontrollonte kontratën e fishekëve. Berisha nuk ishte pjesëmarrës në takimin me MEIKO-n dhe nuk ka pasur asnjë lloj përfshirjeje me kontratën e fishekëve të AEY. Unë kam parë fotografi të Berishës dhe asnjëri nga pjesëmarrësit e takimit me MEIKO-n nuk i ngjante Berishës.

Përshkrimi im për Berishën si një “tip skandinav, me tipare të zbehta” në librin tim “Kur tregtoja armë”, është qartazi i gabuar. Berisha nuk ka tipare “skandinave” apo “të zbehta”. Sidoqoftë, një nga pjesëmarrësit në atë takim kishte tipare të zbehta. Unë e trillova historinë për pjesëmarrjen e Berishës në mënyrë që të avancoja interesat e biznesit të AEY. Qëllimi kryesor ishte që Trebicka të mos fliste.

Gjithashtu, unë isha në dijeni që një histori e tillë mund të ndihmonte AEY për të marrë mbështetje nga Departamenti i Shtetit në marrëdhënien mes AEY dhe MEIKO-s. Disa javë para takimit me MEIKO-n, Podrizki më tha që ai kishte komunikuar me zyrtarë të ambasadës amerikane në Shqipëri për të kërkuar mbështetjen e tyre dhe për t’u bërë presion zyrtarëve shqiptarë që t’u përgjigjeshin kërkesave të AEY. Podrizki, nëpërmjet e-mailit më informoi që një zyrtar i ambasadës amerikane në Shqipëri i tha që ambasada nuk i ndihmonte dot nëse ishte duke ndodhur diçka e jashtëligjshme.

Unë mendova që trillimi i korrupsionit nga djali i Kryeministrit do të ndihmonte AEY të merrte mbështetje nga ambasada. Deklaroj nën rrezikun e dënimit për mashtrim që deklaratat e mësipërme janë të vërteta dhe të sakta. Firmosur në 7 maj, 2018.