MENU
klinika

Vargje nga Ibrahim Rugova

Kur “Ati i Kombit” shkruante poezi!

31.03.2019 - 20:55

Ibrahim Rugova, presidenti i parë dhe historik i Republikës së Kosovës.

I lindur më 2 Dhjetor 1944 dh vdiq më 21 Janar të vitit 2006.

Rugova ishte intelektual, akademik, shkrimtar, mbante titullin Doktor, por mbi të gjitha u njoh si një politikan mjaft i zoti.

Ai ishte bashkëthemelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila ishte lëvizja e parë demokratike gjithë popullore në Kosovë që udhëhoqi popullin drejt rrugës për Liri, Pavarësi e Demokraci dhe që më vonë do të transformohej në Parti Politike dhe Rugova ishte kryetar i saj që nga themelimi i saj më 23 dhjetor të vitit 1989 deri më 21 janar të vitit 2006 kur ndërroi jetë.

Ai udhëhoqi një luftë popullore për pavarësi, që avokoi një rezistencë paqësore ndaj sundimin jugosllav dhe loboi për mbështetje nga SHBA-të dhe Evropa, veçanërisht gjatë Luftës së Kosovës. Ai theksoi fort trashëgiminë e lashtë të Dardanisë, mbretëri e pavarur dhe më vonë provincë e Perandorisë Romake që përfshinte territorin e sotëm të Kosovës, për të forcuar identitetin e vendit dhe për të promovuar politikën e tij të marrëdhënieve të ngushta me Perëndimin.

Për shkak të rolit të tij në historinë e Kosovës, Rugova është quajtur “Ati i Kombit” dhe “Gandi i Ballkanit”, ndërsa pas vdekjes është shpallur “Hero i Kosovës”.

Veç angazhimeve të tjera, si shkrimtar Rugova botoi disa vepra gjatë veprimtarisë së gjerë të tij, ndër më kryesoret i gjeni të renditura më poshtë:

-Prekje lirike, 
-Kah teoria,
-Bibliografia e kritikës letrare shqiptare
-Kritika letrare (nga De Rada te Migjeni)
-Strategjia e kuptimit,
-Vepra e Bogdanit 1675-1685,
-Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983,
-Refuzimi estetik,
-Pavarësia dhe demokracia,
-Çështja e Kosovës,
-Kompleti i veprave të Ibrahim Rugovës në tetë vëllime, etj.

Veç tyre, më poshtë kemi ndarë një nga poezitë e shkruara nga dora e vetë Rugovës:

Me varg në shpirt m`çeli pranvera.
Desha t`jetoj gjithmonë i neshtë.
Më bëhet se do të vajtoj përhera,
Kur po hyj me të madhe në vjeshtë.

Ah, stinë e verdhemtë, stinë e venitur
Vallë, Ty të mallkoi mëma -natyrë?
Që bashk t`shkrihemi kështu t`nemitur,
Mos jemi të mjer në krijatyrë?

Po ëndrrove me këngë të rritesh,
Dhe ajo jetës përpara ti flasë.
E di. Me dëngë plot do t`goditësh.
E ngado të endesh veç do të vrasë.

Athua Zoti i madh diti të gjykojë
Që njomaket të kalben shi në vrug.
Apo secili barrën e vdekjes të peshojë
N`zjarr të heshtjes i vetmuar si murg?

I ngopur me të vërtetën në gji,
Vëllau im dole n`mesin me erë.
Mbi fytyrën e re t`ra nji vel i zi –
T`nxuer e t`futi n`kuvli përherë.

O kujt t`i falem n`këtë orë t`vështirë,
Kujt t`ia kërkoj hijen e njomsisë?
Pa frikë. Prore do t`jetë djellamirë –
Pikllimi im, kasnec i gjallë i fuqisë.

Dua të iki fushës e malit-
Jetën e shof si grusht t`rendë.
Jo, s`dua të iki. Dua si shpirt djalli
Të ngjitem së bashku në vend.

Bën që per vargjet e mia t`përvëlimit,
Të më quajnë edhe njeri fare t`prishtë.
Po heret i vranë sytë e shtrembërimit,
Se e flas t`vërtetën e kam çiltërisht.

Por nji ditë të dihet se zemra e poetit,
N`dimër a n`verë s`di të ngurrë
Dhe kur e ndjen valën rreth vetit –
Qan e qesh nuk qetësohet kurrë.