MENU
klinika

Po çregjistrimi?

Kur bëhet regjistrimi i personave të tatueshëm?

26.03.2019 - 13:26

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nëpërmjet një njoftimi ka lajmëruar se çdo person i tatueshëm duhet të regjistrohet në regjimin normal të TVSH-së, brenda 15 ditëve nga data e fillimit të veprimtarisë ekonomike, sipas procedurës së parashikuar për identifikimin dhe regjistrimin në ligjin “Për Qendrën Kombëtare të Biznesit” dhe ligjin “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”.

Në regjimin normal të TVSH-së regjistrohet çdo person i tatueshëm që vepron si i tillë dhe parashikon të tejkalojë kufirin minimal të regjistrimit për TVSH-në.

Gjithashtu, sipas DPT, çdo person fizik apo juridik që kryen importe të mallrave qarkulluese (mallra që tregton apo për t’u tregtuar), pavarësisht qarkullimit të realizuar apo qarkullimit të pritshëm, është i detyruar t’i nënshtrohet regjimit normal dhe të regjistrohet për TVSH-në.

Regjimit normal të TVSH-së nuk janë të detyruar t’i nënshtrohen: Personat e tatueshëm që realizojnë ose parashikojnë të realizojnë qarkullim nën kufirin minimal të regjistrimit dhe importojnë mallrat e grupit AQT të tilla si: makineri dhe pajisje pune, instalime teknike, makineri e pajisje energjetike, instrumente e vegla, mjete transporti, mobilie e orendi zyrash, pajisje zyrash e informatike, mallra që përdoren në funksion të veprimtarisë ekonomike, dhe jo për t’u tregtuar; personat e tatueshëm që kryejnë eksporte, qarkullimi i të cilëve është nën kufirin minimal të regjistrimit të TVSH-së si edhe çdo organizatë jofitimprurëse që nuk kryen veprimtari ekonomike, pra kur përfitojnë pagesa nga kuotizacionet(nëse kanë të tilla), fonde, grante, donacione të përfituara për qëllime të veprimtarisë jofitimprurëse të organizatës, në përputhje me ligjin “Për Organizatat Jofitimprurëse.

Megjithatë sipas njoftimit të DPT, nëse këto organizata përfitojnë pagesa si rezultat i veprimtarisë ekonomike, janë të detyruar të regjistrohen, përveç kur përcaktohet ndryshe në ligjin nr. 92/2014, datë 24.07.2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e shtuar në RSH”, i ndryshuar.

Detyrimet për TVSH-në për furnizimet pra shitjet e kryera për periudhat e mëparshme që ka qenë i detyruar të regjistrohej, i llogariten me efekt nga data kur ka qenë i detyruar të regjistrohej. Këto detyrime do të vlerësohen në regjistrin e TVSH-së në emër të personit të tatueshëm në periudhën e parë që ai regjistrohet për TVSH-në.

Tatimet thanë se çdo person i tatueshëm i regjistruar në regjimin normal të TVSH-së, ka të drejtë të kërkojë të çregjistrohet nga TVSH, në rastet kur personi i tatueshëm mbyll veprimtarinë e tij ekonomike. Personi i tatueshëm, i regjistruar në regjimin normal të TVSH-së, i cili përfundon veprimtarinë e tij ekonomike, detyrohet të bëjë kërkesë për çregjistrim brenda 15 ditëve nga data e mbylljes së veprimtarisë ekonomike.

Në këtë rast kërkesa për çregjistrim i drejtohet Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe për dijeni i adresohet edhe autoritetit tatimor përkatës. Procedura e çregjistrimit kryhet siç është përcaktuar në ligjin Nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Autoriteti tatimor reflekton ndryshimet për çregjistrim të personit të tatueshëm në regjistrin tatimor, pasi njoftohet nga Qendra Kombëtare e Biznesit.

Një rast tjetër kur mund të kërkohet çregjistrimi është kur personi i tatueshëm ka plotësuar kushtet dhe procedurën për t’iu nënshtruar regjimit të bizneseve të vogla.

Kur personi i tatueshëm i regjistruar në regjimin normal të TVSH- së për shkak se ka ushtruar të drejtën e zgjedhjes për t’iu nënshtruar vullnetarisht këtij regjimi, heq dorë nga zgjedhja për të qenë i regjistruar për TVSH-në pasi ka plotësuar kushtet dhe procedurën që përcaktohet në këtë udhëzim për t’iu nënshtruar regjimit të bizneseve të vogla.

Rasti i tretë kur mund të çregjistrohen sipas DPT është kur personi i tatueshëm i regjistruar për TVSH-në nuk ka qenë asnjëherë i detyruar të jetë i regjistruar dhe as nuk e ka ushtruar vullnetarisht të drejtën e zgjedhjes për t’u regjistruar për TVSH-në. Personi i tatueshëm është përgjegjës për të përmbushur çdo përgjegjësi për TVSH-në që nga momenti që është regjistruar deri në momentin që çregjistrohet nga TVSH-ja.