MENU
klinika

Nga Jorgo Mandili

Letër Edit nga Solomoni

17.03.2019 - 20:22

Unë Solomoni mbreti i Izraelit, i biri i Davidit, që m’u dha posti i mbretit në moshën 12vjeçare, po të drejtohem ty Edi Rama, si kryeqeveriu i shtetit shqiptar, që me forcën e shembullit tënd ose frymëzon ose dëshpëron një popull.

Jo më kot të drejtohem tani Edi! Shoh në horizont se po merr rrugën e tatëpjetës, ashtu siç e pësova unë aty nga mesi i jetës, kur fillova të shkelja ligjet, rregullat dhe parimet, të cilat i kisha mishëruar aq mirë deri atëherë me mençuri, dituri e modesti.

Por, kur unë e pandeha veten më të mençur se të tjerët nga mendjemadhësia, krenaria e lakmia, kalova në arrogancë. E vërteta m’u errësua dhe realiteti m’u tjetërsua. Ku shkuan ndershmëria, përkushtime, humanizmi,virtyti, zelli, pasioni apo vizioni për të ardhmen e popullit tim? Kur këto cilësi u zëvendësuan me mendjemadhësinë, krenarinë, lakminë për pushtet e pasurim e me plotësim të atyre dëshirave që nuk i kisha provuar, unë pësova disfatë.

Nuk dua që edhe ti Edi të pësosh të njëjtin fat. Prandaj e ndjej si detyrim t’ju jap disa këshilla nga përvoja ime, të nxjerra nga “Libri i Fjalëve të Urta”, të shkruar nga unë, që besoj se do të të shërbejnë sado pak (pavarësisht se ti nuk i ke qejf këshillat) për ta mbajtur timonin (tani që je i vetëm), në drejtimin e duhur.

rama-konica.al
rama-konica.al

Prolog

Edi, ju erdhët në pushtet me premtimin për të bërë shtet. U justifikuat në zgjedhjet e para me pengimin e timonit nga partneri juaj Ilir Meta. Dhe kërkuat në zgjedhjet e dyta timonin i vetëm. Populli ta dha. Çfarë kërkohej nga ty dhe qeveria tënde, që nuk ishte bërë nga asnjë qeveri paraardhëse dhe që do të krijonte besim në popull për një Rilindje të vërtetë, në kuptimin adekuat të kësaj fjale shpresëdhënëse për të hedhur themelet e shtetit të ri shqiptar demokratik?

Së pari, skaneri, skaneri i shtetit të mëparshëm i abuzimeve, vjedhjeve, vrasjeve, shkeljeve ligjore. Çfarë bëre ti?

-le pa ndëshkuar paraardhësin tënd dhe klikën e tij për abuzimet me pushtetin, koncesionet me kushte rënduese mbi taksapaguesit shqiptarë, borxhin e krijuar artificialisht,veprat e filluara e të pa financuara;

-le pa ndëshkuar Sali Berishën dhe klikën e tij për Gërdecin, 21 janarin, gjyqtarët e prokurorët e babëzitur që ishin sjellë si sulltanë me të drejtën e qytetarëve apo administratën publike që sillej si pronare e pushtetit, duke nëpërkëmbur dinjitetin e qytetarëve;

-le pa ndëshkuar dhorikulitetin dhe mynxyrkonitetin e universiteteve publike që instaluan mediokritetin, nepotizmin, korrupsionin e abuzivizmin duke i çuar ato drejt agonisë së tyre që vazhdon ende edhe sot nga të njëjtit personazhe (pa përmendur figurat groteske të rektorëve të universiteteve periferike), falë zgjedhjeve farse universitare, nëpërmjet një ligji “putinist”;

-le të lirë masivizimin në arsimin e lartë, universitete dhe shkolla private të panumërta dhe të pakontrollueshme, pavarësisht një show selektiv për mbylljen apo paligjshmërinë e tyre, si show i Agjencisë së Akreditimit Angleze për rankimin e universiteteve;

-le administratën e vjetër me të njëjtit individë të diplomuar në universitetet private,me të njëjtën përkohshmëri e pandëshkueshmëri si paraardhësit, një administratë, që jo vetëm nuk njeh “frikën e ligjit dhe as etikën njerëzore,por shpesh herë as ty nuk të përfill ashtu siç nuk kontrollon edhe disa bashki të djathta.

Pothuajse asgjë në thelb nuk ndryshoi. Jo vetëm nuk i ndëshkuat paraardhësit tuaj, por edhe i promovuat.

Ku është Rilindja Shpirtërore? Rilindja e Vlerave? Rilindja e Virtyteve? Rilindja e Intelektit? Rilindja e Dijes dhe e Universiteteve? Rilindja e Dinjitetit dhe Respektit? Rilindja e Administratës Moderne? Rilindja e Shëndetësisë??

Nuk të kërkohej një Rilindje e ezauruar se, siç e ke përmendur shpesh edhe ti nuk ke ndonjë “shkop magjik”, por….themelet.

Themelet për një Rilindje, ashtu siç hidhen themelet nga të huajt për drejtësinë (megjithë të metat e saj procedurale) që po ngjall shpresën për një drejtësi të re. Kjo metodologji duhet të përfshinte të gjitha fushat e veprimtarisë shtetërore dhe pushtetare që nga komunat, bashkitë e deri në Presidencë. Deri tani kini bërë Rilindjen e fasadave, Rilindjen urbane dhe në përgjithësi Show-Rilindjet. Po ku është Rilindja, Rilindja Shpirtërore?

-Vijon e njëjta gjendje, e njëjta krizë institucionale dhe shpirtërore që anon më së tepërmi nga imoraliteti, ku gënjeshtra, padrejtësia, abuzivizmi, mashtrimi, zhvatja, vjedhja, hipokrizia, zilitë meskine, intrigat, tribalizmi, nepotizmi, korrupsioni etj., janë shndërruar në sistem jete, kanë fituar qytetarinë duke u shfaqur në pamje e forma të ndryshme me lloj-lloj çmendurish e marifetesh që “certifikojnë” degjenerimin moralo -politik të një shoqërie dhe fatkeqësinë e një populli që është sunduar dhe skllavëruar gjatë këtij çerek shekulli;

-Vazhdon të mbizotërojë një shtet anarkik, jo ligjor “i mbuluar me frazeologji, me retorikë e me patos pseudo-demokratik, me çka ajo i krijon hapësirë të pakufizuar sundimit të vet despotik oriental”, ku politika ka pushtuar çdo fushë e çdo anë të jetës shoqërore, ku demokracia është një slogan formal sepse ndikimi i popullit në qeverisje bëhet pothuaj i pamundur.

-Është forcuar oligarkia jonë patriarkale, e cila pushtetin, pasurinë, politikën e gjithçka ekziston në Republikën e Shqipërisë, i trajton si dhuratë të saj dhe prapavijë ka bizneset, klanet partiake dhe nepotiste, bankat dhe mediet. Paraja përcakton sjelljet, veprimet, mendimet e vlerësimet dhe zhvlerësimet. Kudo mbizotëron mentaliteti feudal partiak, krahinor, fetar, nepotik në mendime, në gjykime, në vështrime historike, trajtim i pabarabartë i dinjiteteve njerëzore etj.

-Kudo në të gjitha llojet e bizneseve: në fasonet, në miniera, në industrinë e naftës e në biznese të tjera, punëtorët punojnë në kushte skllavëruese, me orë të zgjatura të papaguara, paga mujore diskriminuese për mbijetesë, me liri dhe të drejta të kufizuara, të nëpërkëmbur, sidomos minatorët, ndërtuesit, naftëtarët etj., pa sigurim teknik të jetës së tyre, pa përmendur fermerët që janë më të diskriminuarit.

-Është krijuar një realitet dëshpërues: mllef dhe polarizim; krizë idesh, izolim i mendimit intelektual, relativizim i të vërtetave, konformizëm e servilizëm, kudo padrejtësi dhe pabarazi sociale etj, etj.

Ky është realiteti z. Kryeministër.

rama-konica.al

Shpresa

“Biri im, shpresa e tretur e ligështon zemrën, kurse dëshira e plotësuar është një pemë jete”.

Pritshmëritë ishin të mëdha, por ti me vizionin tënd, me ekipin tënd, me këshilltarët e tu, me show-reformat e tua si dhe me komunikimin tënd të papërshtatshëm për një kryeministër i ke zhgënjyer ata që të kanë votuar, ata që të dhanë timonin. Madje më keq se zhgënjimi ju i kini shuar shpresën.

Kur humbet shpresa, humbet energjia emocionale dhe motivimi. Forca krijuese dhe prodhuese brenda nesh merr tatëpjetën. Atëherë fillon dëshpërimi, braktisen dëshirat,ëndrrat, synimet. Fillon mërgimi.

Me fjalët dhe veprat e tua i ke çuar njerëzit në dëshpërim,i ke zhgënjyer ata që të kanë votuar. Kjo është arsyeja që ka filluar të prishen marrëdhëniet tuaja me ta. U ke fashitur energjinë krijuese dhe motivimin brenda vetes. Ti je përgjegjës për këtë.

Mos harro se, shpresa humbet në dy mënyra. Ose kur nuk mban premtimet apo angazhimet e marra, ose kur ti vetë nuk ke një vizion të përcaktuar qartë për ëndrrat dhe dëshirat.

Dëshira e plotësuar ëmbëlson shpirtin është një pemë jete, që do sjellë fruta të begata për të gjithë. Mos mbajtja e premtimeve dhe mungesa e një vizioni të qartë lidhet me mungesën e qeverisjes racionale si nga ana juaj ashtu edhe e partnerëve tuaj ministra, tek të cilët mungon mbi të gjitha mungon dashuria për punën dhe popullin e tyre. Juvu ju mungon zelli për këtë.

Zelli

“A ke parë një njeri që punon me zell? Para mbretërve ai do të zërë vend”

Z.Kryeministër, ti kujton se e njeh kuptimin e kësaj fjale, por në fakt je shumë larg nga e vërteta. Kur flitet për zellin bëhet fjalë për një tipar të rrallë. Është i rrallë, pasi bie në kundërshtim me natyrën njerëzore. Përpjekja për të punuar shumë për të arritur një synim të caktuar, përgjithësisht nuk lidhet me zellin.

Ti harxhon shumë kohë mund e djersë, pra bën shumë punë me bashkëqeverisje, me portale me ndarje certifikatash të legalizimeve, me inaugurime, me dizajnime, me skenarë me një fjalë me “show opera” , pra “punon shumë”, por nuk qeveris, nuk drejton me eficencë nuk bën punë të pastër intelektuale që të vendosësh rregull, disiplinë, rendiment, kudo në administratë, arsim, universitete, bashki, shëndetësi etj., ku të ndjehet fryma e meritokracisë, përgjegjshmërisë, përkushtimit dhe frika e ndëshkueshmërisë.

Ti duhet të jesh i zellshëm, jo vetëm se ke në dorë arritjet e popullit, por u rrit vlerën edhe arritjeve të atyre që të rrethojnë. Përpjekja tënde nëse do jetë e zellshme padyshim do të sjellë begati, përkundrejt asaj që të mungon deri tani dhe që ka sjellë dëshpërim, emigrim e mjerim në disa shtresa.. .

Një gjendje e tillë i ka rrënjët e veta tek egoizmi, arroganca, injoranca dhe papërgjegjshmëria. Shpesh kur bashkohen këto të fundit kalohet në marrëzi. E, këto të fundit lidhen me diletantizmin e të gjithë makinës tënde pushtetare e shtetërore të qeverisjes së vendit. Shteti nuk drejtohet partizançe, çfarë të të dalë gjatë ditëve përpara! Jo! Drejtimi e menaxhimi i shtetit kërkon vizion, kërkon që ti si kryeministër ta shohësh agimin më herët se të tjerët.

Vizioni

“Pa një vizion profetik, një popull shuhet”.

Z.Kryeministër, veprimet, sjelljet, qëndrimet vendimet e komunikimet e tua tregojnë se ti nuk ke një vizion të qartë për atë ç’ka duhet të arrish, për rrugën e asaj ku duhet të mbërrish hap pas hapi e me plan veprimi për çdo hap që hedh. Ti ecën kuturu. Anijes tënde i mungon giroskopi, d.m.th orientimi i destinacionit.

Mungesa e vizionit t’i kthen përpjekjet në luftë rraskapitëse pa kuptim. Shpesh njerëzit, që ti emëron, nuk kanë një ide të përgjithshme për synimet e tyre, nuk kanë një plan të detajuar që përcakton trajektoren e rrugës se ku duhet të arrijnë. Mungesa e vizionit dhe e një plani të hollësishëm për hapat që duhet të hedhë çdo ministër, çdo drejtues institucioni publik, politik, shtetëror akademik apo çfarëdo qoftë ky institucion, madje dhe çdo individ në punën e tij është arsyeja themelore e eficenës së ulët apo dështimit të tyre të suksesshëm.

Si do rritet mirëqenia, pensionet, rrogat, minimumi jetik kur ecën kuturu, kur për një rrugë 20 km harxhohen 400 milion euro, kur për një vend pune paguhen dy deri tre veta, kur shpërdorohen miliona për piknikët e qeverisë që i bën mbledhjet sa në Vlorë, Shkodër, Elbasan, Lezhë etj qytete? Pastaj justifikohesh duke thënë se kaq janë mundësitë, pse vallë nuk do një kryeministër të rrisë pensionet, pagat etj? Jo! Nuk është justifikim ky!

Mprihni lapsin, z.kryeministër, monitoroni që asnjë qindarkë të mos shkojë dëm. Bëje këtë nëse i ke vetë duart e pasta. Leri show-t e konkurseve, portaleve, ekselencave, zgjedhjeve farse universitare, formularëve, bashkëqeverisjes dhe vendos kritere për meritokracinë për të eliminuar nga qeverisja dhe institucionet, paaftësinë e mediokritetin emblematik të tranzicionit, nepotizmin dhe abuzivizmin e llahtarshëm që ka çuar në polarizimin e skajshëm midis të punësuarve të oborrit të deputetëve, politikanëve pushtetarëve dhe papunësisë të njerëzve të thjeshtë, ndonëse edhe me kredite aftësie më të larta se sharlatanët me diploma të këtyre oborrtarët,të privilegjuar nga politika dhe pushteti.

Nëse je i predispozuar për shtet dhe do që të bëhesh burrë shteti vendos realisht meritokracinë përkundrejt “shkërdhatokracisë” ekzistuese, që po i irriton njerëzit dhe i detyron të ngrihen në protesta dhe revolta.

Procesi i krijimit të një vizioni që do të shërbente si harta strategjike e veprimeve për të realizuar synimet apo qëllimet e vendosura, ende nuk ka nisur. Në vend të kësaj Rilindja të është pushtuar keqazi nga lakmia. Kur bën kompromise me normat e parimet e moralit për të arritur atë që do sa më shpejt, dije se ke rënë në kthetrat e lakmisë. Nëse sheh se të janë shtuar mosmarrëveshjet, konfliktet, protestat, apo problemet në përgjithësi, mblidhe veten, tërhiqi frenat dhe ndërro rrugë shpejt sa nuk është vonë.

Epilog

I nderuar Edi! Mësoni nga përvoja ime, që kam qenë më i mençur e më i ditur nga ju. Hoqa dorë nga urtësia e mençuria si edhe vlerat që dikur i çmoja. Më pushtoi hedonizmi, hortikultura, mu verbua shikimi nga shkëlqimi sipërfaqësor.

Vërtetësia dhe ndershmëria, jo narcizmi dhe propaganda bosh duhet të jenë vlerat dhe themelet e marrëdhënieve reciproke kudo në politikë, shoqëri familje e gjetkë.

Kryelartësia shkon para rrënimit, arroganca para rrëzimit. Sjellja që mund të shkaktojë pasojat më shkatërrimtare në jetën tënde është krenaria apo mendjemadhësia. Ishte mendjemadhësia që më shkatërroi mua Edi.

Me gjithë pushtetin e pakufizuar, pasurinë e pasosur dhe mençurinë që kisha, unë humba thuajse gjithçka të çmuar që kisha nga mendjemadhësia. Unë e dija që kjo do më rrëzonte, prandaj edhe e kam shprehur këtë gjë në “Fjalët e Urta” se “kryelartësia shkon para rrënimit, arroganca para rrëzimit”.

Është një armik kaq dhelparak dhe kokëfortë saqë edhe atëherë kur e kupton se po ju sjell shkatërrim, ju i përgjigjeni thirrjes së saj tunduese. Gjasat duken se jeni kapur nga kjo sëmundje. Simptomat këtë tregojnë:

-të duket vetja më i mirë se të tjerët dhe se për këtë meriton më shumë;

-ke besimin e tepruar se vetëm dhe vetëm ty të takojnë meritat për arritjet dhe fajëson të tjerët për gabimet;

-kërkon të jesh qendra e rëndesës në jetën e përditshme dhe të tjerët i vlerëson kur janë vetëm në një mendje me ty;

-në takimet e bashkëqeverisjes apo qeverisjes flisni shumë e dëgjoni pak madje edhe ato me përtesë, sidomos kur janë nga pensionistë e veteranë; je shpërfillës ndaj atyre që të kanë prurë në pushtet;

Je në prag të rrëzimit. Fazën e rrënimit e ke ezauruar.