MENU
klinika

Nga New York Times

Liderja që i duhet Amerikës

22.03.2019 - 14:54

Vrasja e 50 besimtarëve myslimanë në Zelandën e Re, do të shqyrtohet gjatë për mënyrën se si urrejtja e dhuna lindin dhe organizohen në mediat sociale dhe në internet. Por tani bota duhet të mësojë nga mënyra se Jacnda Ardern, kryeministrja e Zelandës së Re, është përgjigjur ndaj rastit.

Pothuajse menjëherë pas vrasjeve të së premtes së kaluar, Ardern deklaroi se brenda disa ditësh qeveria e saj do të vendoste kontrolle të reja mbi armët. Dhe ajo e mbajti fjalën.

Të enjten, Ardern njoftoi një ndalim për të gjitha armët gjysmëautomatike dhe automatike të stilit ushtarak. “Është për të gjithë ne,” tha ajo, “është në interesin kombëtar dhe është në lidhje me sigurinë”.

Më parë gjatë javës, ajo foli për lehtësinë me të cilën interneti mund të përdoret për të shpërndarë urrejtje dhe imazhe të dhunës.

Ardern nuk propozoi masa të menjëhershme për të kufizuar shtrirjen e Facebook, Twitter dhe botuesve të tjerë të internetit dhe nuk është e qartë se çfarë mund të bëhet pa shkelur lirinë e fjalës. Por ajo bëri të qartë se ajo besonte se ato platforma të mediave sociale, si prodhuesit e armëve dhe tregtarët, mbanin përgjegjësi për vrasjen në Christchurch dhe shumë komunitete në vitet e fundit.

Në Zelandën e Re, u desh një vrasje në masë për ta “zgjuar” qeverinë. Në Shtetet e Bashkuara, madje edhe një varg vrasjesh masive , 26 të vdekur në një shkollë në Newtown; 49 në një klub nate në Orlando; 58 në një koncert në Las Vegas; 17 në një shkollë në Parkland, nuk kanë qenë të mjaftueshme.

Ndalimi i armëve të terroristëve ishte vetëm një nga fushat në të cilat Ardern tregoi se çfarë lidershipi duket në kohë krize.

Në vend që ajo thjesht të mbante fjalime, veshi një shall të zi dhe vizitoi familjet e viktimave; u bëri thirrje nxënësve të “lejojnë Zelandën e Re të jetë një vend ku nuk ka tolerancë për racizmin”.

Dhe ajo nuk pranoi të thoshte emrin e vrasësit të dyshuar. “Ai mund të ketë kërkuar famë, por ne në Zelandën e Re nuk do t’i japim asgjë”, tha ajo.

Pas kësaj dhe çdo mizori të tillë, liderët e botës duhet të bashkohen në dënimin e qartë të racizmit. Ardern ia ka treguar rrugën.