Një vajzë e re e sapo martuar në fshatin fqinj, kthehet për disa ditë në shtëpinë e prindërve.
Nëna e paduruar dhe e merakosur për jetën e re të vajzës e pyet -Pa më thuaj moj bijë si po të duket jeta në shtëpinë e burrit? Vajza psherëtin edhe ja kthen: Ç’të të them moj nënë !”
Me çfarë dëgjoj lumja unë, me çfarë shikoj e mjera unë ! “ Në çdo ligjëratë politike, nga partitë në opozitë të të gjitha kohërave, kemi dëgjuar premtimin e madh që sapo të vijnë në pushtet do të presin fijet klienteliste që lidhin një grusht të pasurish me pushtetin. Do të luftojnë fenomenin e pabarazisë, ku vetëm elitat pasurohen, ndërsa të varfëritë mbeten të varfër, pasi kjo është rruga e vetme drejt zhvillimit dhe drejt Europës. Disa fakte interesante tregojnë se, në vitin 1987 miliarderët e botës zotëronin 0.4 % të pasurisë globale, ndërsa në vitin 2013 ato zotëronin më shumë se 1.5 % të pasurisë globale.
Gjatë viteve 1987 – 2013, 1400 më të pasurit në gjithë botën e rritën pasurinë e tyre mesatarisht me një normë rritje reale 6,8 % në vit. Gjatë po të njëjtës periudhë, rritja mesatare vjetore e pasurisë për banorët mbi 18 vjeç në botë ka qenë 2,1%. Rritja ekonomike globale gjatë viteve 1987 – 2013 ka qenë mesatarisht 3,3 % në vit. Kjo tregon katërcipërisht që struktura e akumulimit të pasurisë është e tillë që rritja ekonomike globale “shumëfishohet ”me 2 herë për 1,400 të pasurit e planetit dhe zvogëlohet me 1.5 herë për banorët e tjerë, në gjithë globin mbi 18 vjeç.
Të pasurit, janë në gjendje të marrin më shumë risk dhe si rezultat të realizojnë përfitime më të larta.
Të pasurit, kanë mundësi të blejnë konsulentët më të mirë financiar e ligjor, në mbrojtje dhe në rritje të pasurisë së tyre. Por të dyja këto, së bashku edhe me efektet e ekonomisë së shkallës, nuk do të mjaftonin që pasuria e tyre të rritet 2 herë më shumë se rritja ekonomike. Në fakt, faktori bazë është që gjatë shekullit të 20-të e më pas, fuqia ekonomike, është kthyer në fuqi politike.
Një studim i vitit 2014 i Martin Gilens dhe Benjamin Page, i kryer në tempullin e demokracisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tregoi se “politikat e mbështetura nga 10 përqind e amerikanëve më të pasur, miratohen më shpesh nga Kongresi sesa ato të mbështetura nga 50% e amerikanëve më të varfër. Nëse amerikanët e pasur kundërshtojnë një politikë, ajo nuk ka gjasa të kalojë. Nuk ka rëndësi sa shumë amerikanë të klasës së mesme e mbështesin atë”.
Dhe pse demokracitë e zhvilluara kanë arritur të bindin qytetarët mesatarë se qeveritë e zgjedhura punojnë vetëm në interesin e tyre, e vërteta është që çdo qeveri e zgjedhur në mënyrë popullore dhe që presupozohet të punojë vetëm në interes të qytetarëve të saj, është subjekt i ndikimeve nga kompanitë e të mëdha, industri apo, sektorë ekonomikë, madje pse jo edhe qeveri të huaja.
Mark Twain me shumë humor dikur do të konstatonte: “Ne kemi qeverinë më të mirë që mund të blejnë paratë”.
Demokracitë e zhvilluara sot ofrojnë zgjedhje lira, të ndershme, barazi politike formale, të drejta të garantuara politike dhe nivele të larta të pjesëmarrjes në qeveri, por asnjë nga demokracitë e përparuara botërore nuk parandalon grumbullimet masive të pasurisë apo influencimin e një grupi të pasurish mbi politikë-bërjen për të mbrojtur dhe rritur pasuritë e tyre. Tek libri i i tij Oligarkia , Jeffrey Winters argumenton që tempulli i demokracisë, Shtetet e Bashkuara tashmë janë një oligarki civile.
Oligarkia civile, sundon nëpërmjet sundimit të ligjit, në këtë mënyrë qëndrimet veprimet edhe rezultatet janë të mbrojtura me ligj edhe te pa ndëshkueshme. Mjetet me të cilat të pasurit sigurojnë ndikimin tyre të tilla si financimi i fushatave , apo lobimi , po ashtu janë të ligjëruara. Thënë të gjitha këto Demokracia është në luftë me Oligarkinë vetëm në propagandën politike, në realitet janë në një bashkëjetesë të paqtë edhe afatgjatë e cila jo paqëllim nën zë është pranuar.
Në të gjithë vendet e zhvilluara ka qenë vetëm magjia e “Shtetit Social” e cili ka zbutur ndjeshmërinë e publikut ndaj kësaj bashkëjetese e cila lulëzon në sistemet demokratike. Për të “shuar” ndikimet negativ që kjo bashkëjetesë e natyralizuar krijonte, vendet e zhvilluara nuk humbën mësimin e marrë nga koha e Depresionit të Madh dhe Luftës së Dytë Botërore, duke u transformuar në shtete fiskale – sociale. Vendet e zhvilluara sot mbledhin 40%-55% të PBB të ardhura nga taksat të cilat i shpenzojnë 20%-35% në arsim shëndetësi dhe transferta sociale.
Sa herë që dëgjoj politikanët tanë kur zbresin në fronin e opozitës, e që thonë se do të presin fijet që lidhin pushtetin me oligarkinë pyes veten: Si? Cili është mekanizimi që do të shpikin që të pengojnë paranë të shkojë tek paraja?
Paradokalisht premtojnë që do ulim taksat dhe do ofrojmë shtet social. Pyes veten si ka mundësi që edhe pse historia ekonomike nuk ofron asnjë model të një shteti social pa një shtet fiskal, politikanët shqiptarë e kanë sajuar gjithmonë një të tillë në kohë fushatash? Edhe ndërkaq më vjen në ndihmë historia e vajzës së sapo martuar.
Me çfarë dëgjojmë lum si ne , me çfarë kemi parë e çfarë shikojmë mjerë ne!/ Gazeta Si