MENU
klinika

Financial Times

Macron duhet të ketë mëshirë për Britaninë

20.03.2019 - 13:49

Një tërheqje e shpejtë e Mbretërisë së Bashkuar vetëm do të forconte armiqtë e BE.

Emmanuel Macron pëlqen të mendojë shumë. Dhe së shpejti ai do të duhet të marrë një vendim të rëndësishëm. Kur Këshilli Europian të takohet këtë javë, presidenti francez do të luajë një rol vendimtar në gjykimin e kërkesës së Britanisë për shtyrjen e procesit të Brexit.

Nëse britanikët kërkojnë një zgjatje të shkurtër apo të gjatë, Macron dhe kolegët e tij në BE do të përballen me variante të së njëjtës pyetje: Çfarë roli ka Britania brenda Europës? A është Britania më e mirë e trajtuar si një gjymtyrë gangrenore që duhet të amputohet me shpejtësi, në interes të shëndetit të BE-së si një e tërë? Apo është një anëtar i pahijshëm, por i rëndësishëm i familjes, që duhet të kthehet përsëri në dele evropiane?

Ekziston një shqetësim i madh me qeverinë britanike anembanë BE-së. Por qeveria gjermane duket e prirur t’i japë Britanisë një zgjatje të gjatë, nëse kjo është ajo që kërkohet. Annegret Kramp-Karrenbauer, që kryeson Kristiandemokratët dhe kancelarja e mundshme e ardhshme gjermane, i ka bërë thirrje britanikëve që ta anullojnë Brexit krejtësisht. Donald Tusk, kryetar i Këshillit Evropian, është një tjetër “avokat” i një zgjatjeje të gjatë.

Por Franca është shumë më e kujdesshme. Ka disa arsye pse Macron do të tundohet për të thirrur fantazmën e Charles de Gaulle, dhe të përdorë veton franceze për kërkesën e zgjerimit të Britanisë.

Nga pikëpamja makroniane, mbetet e rëndësishme të theksohet se si për qeverinë britanike ashtu edhe për votuesit evropianë që largimi nga BE-ja mbart një çmim të rëndë. Por ai e di edhe se melodrama Brexit po merr shumë kohë.

Disa në Paris besojnë se Theresa May do të përfitojë disa favore nga Macron, nëse kërkon një zgjatje të gjatë, ose edhe një zgjatje të shkurtër pa një qëllim të përcaktuar mirë.

Megjithatë, nëse Macronit i intereson dilema evropiane, dhe interesat e Francës, ai duhet të tregohet I duruar me Britaninë. Rusia e Vladimir Putinit, Kina e Xi Jinping dhe Amerika e Donald Trump janë të gjithë duke luajtur variante të strategjisë “përça edhe sundo” me BE.

Putin është i dëshpëruar për të shkatërruar unitetin evropian që imponon sanksione ndaj Rusisë. Kinezët duan t’i joshin vendet e BE-së, siç është Italia, të nënshkruajnë marrëveshje të veçanta ekonomike me ta.

Sa i përket Trumpit, presidenti amerikan e ka quajtur BE një “armik” të Amerikës. Javën e kaluar, ai përsëri bëri të qartë se ai e konsideron Brexit si një lajm të shkëlqyer dhe kërcënoi të bënte diçka “shumë të rëndë ekonomike” kundër BE.

Macron duhet të marrë parasysh faktin se armiqtë e vërtetë të BE-së duan që Brexit të ndodhë shpejt; dhe sa më i çrregullt procesi, aq më mire për ta. Në të kundërt, lajmi se Brexit mund të anullohej do të trondiste presidentët rusë dhe amerikanë.

Së fundi, Franca duhet gjithashtu të mbrohet nga surprizat e keqe brenda vetë Evropës. Përgjigja evropiane ndaj letrës së fundit të Macron, ku bënte thirrje për integrim më të thellë në BE, ishte e vakët. Reagimi më i rëndësishëm gjerman erdhi nga zonja Kramp-Karrenbauer.

Franca do të preket thellësisht nga ajo që ndodh në Britani, madje edhe pas Brexit. Pra, mbetet në interesat e BE t’i bëjë gjërat sa më civile sa të jetë e mundur. Përndryshe, mund të vijë një kohë kur Franca dhe BE-ja të mendojnë me nostalgji për stabilitetin dhe parashikueshmërinë e Britanisë së Madhe të Mayt.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Joschka Fischer/ Project Syndicate

2019, vit vendimtar për Evropën…