MENU
klinika

Detajet

Mandatet e 4 deputetëve të LSI-së, KQZ gati vendimmarrjen

02.03.2019 - 12:06

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka gati vendimmarrjen për mandatet e 4 deputetëve të rinj të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Ylli Shehu, Aurora Mara, Enver Roshi dhe Edmond Rushaj kanë plotësuar formulain e dekriminalizimit në KQZ duke i hapur rrugë kështu marrjes së mandatit.

KQZ ka njoftuar se dhënia e mandatit do të bëhet në mbledhjen e ditës së hënë.

Me marrjen e mandateve nga katër deputetët, plotësohen disa nga vendet e lëna bosh nga LSI pas djegies së mandateve.

Zëvendësimet

Aurora Mara ishte kandidate e LSI-së në Qarkun e Dibrës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Ajo ishte e dyta në listë pas ish-deputetit Përparim Spahiu, i cili ishte edhe udhëheqësi i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Dibrës.

Aurora Mara prej disa vitesh ka mbajtur detyrën e përgjegjëses së sektorit në Ministrinë e Infrastrukturës, detyrë të cilën e ka ushtruar edhe pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017.

Enver Roshi
Enver Roshi

Në listën e kandidatëve të LSIsë për Qarkun e Tiranës ishin dy persona që plotësuan formularin e dekriminalizmit, duke i hapur rrugë marrjes së mandatit të deputetit.

I pari ishte Ylli Shehi, i cili u zgjodh deputet për herë të parë në vitin 2013 nën siglën e Partisë Republikane të udhëhequr nga Fatmir Mediu.

Por para zgjedhjeve vendore të vitit 2015, ai kaloi me LSI-në, gjë e cila krijoi besimin për ta rikandiduar edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

Ai ishte i renditur i 8-ti në listën e LSI-së për Qarkun e Tiranës për vitin 2017 dhe tanimë pritet të bëhet deputet.

Kandidati tjetër nga LSI në Qarkun e Tiranës ishte Edmond Rrushaj, i cili ishte i pozicionuar i nënti në listën e kandidatëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

Edmond Rrushaj ka mbajtur më përpara detyrën e drejtorit të QSUT-së.

Enver Roshi, kandidati tjetër, i cili do të marrë detyrën e deputetit nga radhët e LSI-së, ka mbajtur më parë detyrën e drejtorit të Institutit të Shëndetit Publik si edhe të dekanit në Fakultetin e Mjekësisë.

Nga radhët e LSI, kandidati tjetër në Tiranë, Ralf Gjoni, nuk ka nënshkruar dorëheqjen nga mandati, por as nuk ka dorëzuar formularin e dekriminalizimit.