Ka nisur që dje grumbullimi i kuqezinjve për dy ndeshjet eliminatore të “Euro 2020”. Në prag të ndeshjes Shqipëri-Turqi, në konferencë për shtyp ka dalë Armado Sadiku.
Sulmuesi kuqezi ka rrëfyer të gjitha detajet e mungesës së tij prej 1 viti në Kombëtare, ndërsa kërkon edhe njëherë tjetër të jetë protagonist.
Pritshmëritë – Është e vërtetë që pas 7 muajsh rikthehem në fushë, por pas 1 viti në Kombëtare, jam rikthyer dje dhe jam shumë i lumtur, me energji dhe me pozitivitet. Mezi po pres të rikthehem në më të mirën time dhe të rikthehem te golat, aty ku e lash.
Gjendja fizike – Te Lugno kam luajtur 7 ndeshje. Kam formë të mirë fizike dhe ndihem shumë mirë.
Ecuria e Kombëtares – E kam ndjekur ekipin kombëtar, nuk kemi zhvilluar ndeshjet më të mira të mundshme. Në disa ndeshje kemi treguar që nëse luajmë siç dimë të luajmë ne, në grup, mund të marrim rezultat pozitiv.
Ka munguar goli, shpresoj që me rikthimin tim të vijë edhe goli dhe të gëzojmë të gjithë shqiptarët.
Rikthimi në formacion – Unë vij me motivin për të luajtur, në fund janë zgjedhjet e trajnerit, por unë do jem gati.
Kam biseduar me trajnerin kur isha i dëmtuar, më ka dhënë forcë që të kthehem dhe këtë kam bërë. Ja ku jam sot.
Çfarë të bën ndryshe në Kombëtare? – Çdo lojtar kur vesh këtë uniformë ndryshon, pavarësisht ku arrin me klubin, kur vjen në kombëtare është diçka tjetër, duhet të jesh shembull dhe të japësh më të mirën. Është një gjë shumë e veçantë.
Refuzimi i Durmishaj – Nuk e njoh kush është Durmishaj.
Një sulmues si Uzuni – Ai ka bërë ndeshje shumë të mira në Kombëtare. Jam i gëzuar, ku ta gjej që luaj më sulmues kaq të shpejtë. Shpresoj që Grezda të kthehet në atë Grezdë që të jetë në formë, dhe të bëjmë mirë të tre përpara.
Për mua si sulmues, jam i gëzuar që të kem dy lojtarë të shpejtë në krah dhe të më furnizojnë me topa.
Turqia – Ata kanë shumë lojtarë cilësore dhe me emër, pavarësisht se ne kemi fituar me ta, kjo nuk do të thotë se do e nënvlerësojmë kundërshtarin. Do jemi të karikuar në 100% për të përsëritur atë ndeshje në Turqi.
Dy ndeshje sa pikë? – Me ndihmën e Zotit, për 6 pikë. Edhe me 4 pikë do jemi të kënaqur. Sot vendosëm bast me trajnerin që, nëse fitojmë 6 pikë, do na dhurojë diçka.
Prurjet e reja dhe atmosfera – Duhet të ndihmojnë çunat e rinj që kanë ardhur në ekip. Vetëm kështu mund të arrijmë grupin që kishim para katër vitesh.
Atmosfera është e mirë. Të gjithë janë çuna të mirë, edhe prurjet e reja, duhet t’i ndihmojmë që të futen në ekip, atmosfera është shumë e mirë në këto ditët e para.
Gol apo asist për Grezdën – Do isha i gëzuar të asistojë për Grezdën. Gjithmonë para ndeshjes, më thotë që do të jap top të bësh gol dhe tani unë dua që t’i jap atij top të shënojë.
Është e vështirë, ekipet që kemi në grup. Kemi Islandën dhe Turqinë, me këto dy ekipe do luajmë kualifikimin tonë. Shpresojmë te zoti dhe fati të ia arrijmë. Nëse bëhemi grup si para katër vitesh do ia dalim. Kam besim te vetja dhe tek ekipi.