Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi komentoi situatën politike të krijuar nga lënia e mandateve të deputetit nga opozita.
I pyetur nëse Parlamenti do të mbushet me deputetë dezertore, Çuçi tha se një gjë e tillë është përgjegjësi përpara shqiptarëve.
“Jemi në lartësinë dhe përgjegjësinë që duhet publike me shqiptarët. Fakti që po shtohet numri i kandidatëve që po tregojnë vullnet t’i bashkohen parlamentit është moment përgjegjësie nga këta individë. Pra kanë autoritet dhe peshë politikë edhe ata. Mendoj që kjo gjë vjen edhe si pasojë e një reflektimi nga thirrjet që ka bërë faktori ndërkombëtar politik. Të jemi të sigurt që do kemi të tjerë. Zgjedhjet janë legjitime, qeveria po ashtu. Zgjedhjet e tjera i përkasin vitit 2021″– u shpreh Çuçi.
Ndër të tjera, Çuçi tha se mazhoranca është e hapur për dialog me opozitën, madje shtoi se ata nuk kanë asnjë lloj kompleksiteti, edhe nëse kreu i Shtetit Ilir Meta merr rolin e negociatorit.
“Vetë kryeministri ka përmendur shprehjen e tij të famshme: “Kur do flasim”. Ne s’kemi pasur kompleks nga Presidenti. Ai ka treguar se nuk është shumë komod me zgjedhjet tona, edhe pse ka qenë në shkelje të Kushtetues, ka pasur kompleks ta pranojë këtë”, nënvizoi Çuçi.