MENU
klinika

Dritëro Agolli si protagonist

“Më prit se po vij shpejt”, poezitë e mëdha nga një “gjuhë e vogël”

30.03.2019 - 19:58

Midis vlerësimeve dhe kritikave, thuhej se i madhi, Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet’60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes.

Në veprën e Agollit e pa veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Agolli i bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare. Ajo na bën të ndihemi me dinjitet përballë botës së madhe. Shkrimtar i madh i një “gjuhe të vogël”, ai është po aq i dashur prej lexuesve bashkëkombas, sa dhe në metropolet e kulturës botërore.

Dritëro Agolli dhe brezi i tij letrar (vitet ’60) nuk u paraqitën me ndonjë poetikë të re, sido që u diskutua mjaft edhe për rimën dhe ritmin, për vargun e lirë dhe vargun e rregullt, për “rreptësinë” e poezisë. Më shumë përvoja e tij krijuese, se traktatet teorike, bëri që të ndryshohej rrënjësisht tradita e vjershërimit shqip. Dritëro Agolli u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. Ai synoi një poezi më të përveçme, me më shumë individualitet. Agolli krijoi poezinë e “un-it”, përkundër poezisë së “ne-ve”, që shkruhej “për të bashkuar masat”.

Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, gërshetoi natyrshëm vlerat tradizionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike. Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij.

Në prozën e tij Agolli solli risi jo vetëm në strukturën narrative, por dhe në galerinë e personazheve të veta. Ata lanë sa të çuditshëm aq dhe të zakonshëm, sa tragjikë aq edhe komikë, sa të thjeshtë aq edhe madhështorë. Frazeologjia e pasur popullore dhe filosofia jetësore e bëjnë përgjithësisht tërë veprën letrare të Agollit sot për sot ndër më të lexuarën.

Më poshtë gjeni një ndër poezitë e tij: “Më prit se po vij shpejt”

Nëse sëmundja vjen tek unë,
Ju mos më shpini në spital,
Më merrni fshehur e pa zhurmë,
Më ngjitni lart diku në mal .

Atje dyshek e shtrat nuk dua
Dhe as çarçaf e as jorgan,
Por tek një çezmë e tek një krua
Më shtroni dushk e jargavan.

Ma lidhni kokën me një kulpër,
Ma njomni buzën në burim ,
Dhe kur të vijē andej një flutur
S’ka gjë se rri mbi ballin tim.

As infermier nuk dua pranë,
As nevrolog , as profesor ,
Të kem përkrah një dash të bardhë,
Të kem përbri një cjap përçor .

Të m’i lëpijë faqet dashi,
Të qajë cjapi laraman,
Ta ulë sqepin shpejt larashi
Me mors të japë telegram .

Të presë plot trishtim fshatari
Në shkop mbështetur me mërzi,
Duke përtypur fije bari,
Duke këputur kullumbri.

Nga guvë e lisit të moshuar
Të derdhet bleta gjithë zgjim ,
Mbi trupin tim e turbulluar
Si lëmsh të sillet me tërbim.

Të ndalet udhëtari i mirë,
Të pijë heshtur një duhan ,
Të thotë: mjaft qëndrove shtrirë,
Për ty e gjora rrugë qan!

Dhe, ju betohem, po s’u ngrita
I madh , i bukur, plot shëndet,
Dhe rrugës sime nga u nisa
T’i them: më prit se po vij shpejt!…

1963

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Agolli mbi varrin e 'Zogut të fundit të liqerit'

‘Kur gjeniu nderon gjeniun’

“Ëndërr e prerë”

“Jericho” sjell Dritëro Agollin