Në Durrës, ku po stërvitet kombëtarja, ka dalë në konferencë shtypi edhe “veterani” Ledian Memushaj. Ky i fundit ka kërkuar përqendrim maksimal për kualifikuesen e 22 marsit në “Loro Boriçi”, ndaj Turqisë, sepse kundërshtari është i vështirë.
Ai nuk kërkon të merret për bazë fitorja 3-2 në miqësoren e Antalias, nëntorin e vitit 2017, pasi në Shkodër do të jetë histori krejt tjetër.
“Kur jam këtu, nuk mendoj çfarë kam bërë me klubin, por çfarë do të arrij me Kombëtaren. Nuk ka rëndësi nëse jap asist apo shënoj, parësore mbetet që Kombëtarja të ngjitet sa më lart.
Të gjithë lojtarët kanë minuta në këmbë, janë mirë fizikisht. Kjo është gjë e mirë në prag të dy ndeshjeve eliminatore. Kemi edhe mungesa, por nuk duhet të mendojmë për këto gjëra.
E kaluara? Jemi të fokusuar te kundërshtari i radhës. Për të bërë diçka speciale në këtë fushatë kualifikuesesh për Kampionatin Europian duhet ta nisim mbarë, duke fituar me Turqinë.
Në të kaluarën kemi bërë paraqitje të mira dhe jo të tilla. Liga e Kombeve duhet harruar sa më shpejt. Të mendojmë pozitivisht për ndeshjet që vijnë tani.
Sa i njohim dy rivalët e marsit? Andorrën nuk e njoh mirë si ekip, ndërsa Turqia ka lojtarë të fortë, si Çalhanoğlu, që luan me Milanin. E dimë çfarë na pret në këtë ndeshje, por do të përgatitemi sa më mirë.
Rikthimi i Sadikut? Jam shumë i kënaqur për të, sepse e kam shok në radhë të parë, por merremi vesh mjaft mirë edhe në fushë, kemi prodhuar disa gola bashkë. Ai kaloi një dëmtim të vështirë, që e kam pasur edhe vetë. Sadiku do të na ndihmojë për golin, por edhe Bala, kur ka luajtur, ka bërë mirë.
Rikthimi te loja e kujdesshme në mbrojtje, si në kohën e De Biazit? Edhe kur kemi luajtur në mbrojtje, kemi humbur, edhe kur kemi bërë lojë ofensive, po kështu. Duhet të mendojmë pozitivisht, nuk ka një vendosje fikse, që na e siguron suksesin.
Çdo kundërshtar ka karakteristikat e veta. Këto ditë mendojmë për Turqinë, pastaj për Andorrën. Kemi luajtur dhe e kemi mundur Turqinë në miqësore, por kjo është sfidë krejt ndryshe. Duhet t’i marrim mirë masat, sepse kundërshtari është i vështirë”.