MENU
klinika

Kontestohet nga Agimi i Artë

Ministri i Maqedonisë së Veriut viziton Greqinë

16.03.2019 - 11:20

Vizita e parë në parlamentin grek, e ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov, u shoqërua me një incident që shkaktuan deputetët e Agimit të Artë.

Në momentin e takimit të tij me kryeparlamentarin grek, zëdhënësi i kësaj partie, Ilias Ksidhiaris kërkonte të thyente masat e sigurisë së rojave të parlamentit, që kishin bllokuar sallën ku zhvillohej ceremonia.

“Dua të thërras se Maqedonia është greke dhe ta dëgjojë ministri nga Shkupi”, ka deklaruar deputeti neonazist, duke u përpjekur të hyjë brenda, ndërsa xhironte paralelisht skenën.

Brenda në sallë kryeparlamentari grek Nikos Voutsis dhe ministri i Maqedonisë së Veriut kanë theksuar edhe njëherë rëndësinë e marrëveshjes së Prespës.

“Marrëveshja e Prespës, që u ratifikua në frymën që përmban, do të hapë një rrugë në të cilën kemi filluar qysh tani të ecim në mënyrë që të ekzistojë miqësi, bashkëpunim dhe aleancë midis dy vendeve”, tha Nikos Voutsis.

“Zhbllokuam mundësi të mëdha për lidhjet midis dy shteteve. Do të jem i qetë vetëm kur të binden qytetarët e Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, se kjo ishte më e mira që mund të bënim”, tha ministri Dimitrov.

Në ditët në vijim pritet vizita e Aleksis Tsipras në Shkup, e para e një kryeministri grek, në krye të një delegacioni të madh me ministra dhe biznesmenë.