MENU
klinika

Vlerësimi

Ministri Lleshaj i jep “Medaljen e Nderit” efektives Ina Nuka

29.03.2019 - 13:47

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i ka akorduar “Medaljen e Nderit” punonjëses së policisë Ina Nuka, e cila u plagos gjatë protestave të opozitës të 22 nëntorit 2018, përpara selisë së Kuvendit. Në ceremoninë e zhvilluar në Ministrinë e Brendshme, ku ishin të pranishëm drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit dhe disa kolegë të repartit “Shqiponja”, ministri Lleshaj shprehu vlerësimin e tij dhe Policisë së Shtetit për kurajën dhe përkushtimin e treguar nga Nuka.

Ministri i Brendshëm lajmëroi se do të ketë shpejt ndryshime në Kodin Penal, për të ashpërsuar masën e dënimit për personat që ngrenë dorë kundër punonjësve të Policisë së Shtetit në detyrë.

Dua ta shfrytëzoj këtë moment për t’ju falënderuar ju, Ina, për kontributin e dhënë, për modelin e mirë që keni treguar, për angazhimin tuaj në shërbim të qytetarëve, ndonëse nga qytetarë të papërgjegjshëm keni pësuar një dëm që shpresoj të jetë reduktuar tashmë me kalimin e kohës. E kam thënë dhe herë të tjera, që ndjehemi mirë që kemi oficerë policie të tillë që kanë përkushtim, kanë patriotizëm, kanë kurajë, kanë profesionalizëm dhe për këtë arsye kam vendosur që në shenjë mirënjohje t’ju akordojë një “Medaljen e Nderit” të Ministrit të Brendshëm, duke ju thënë që përmes saj shpreh gjithë konsideratat dhe vlerësimin tim si ministër i Brendshëm, por edhe të Ministrisë së Brendshme dhe të gjithë Policisë së Shtetit, për angazhimin tuaj.  Shpresoj që këtë angazhim ta vazhdoni edhe më tej duke i dëshmuar dhe duke i perfeksionuar vlerat që ju kanë karakterizuar si dhe duke dhënë shërbim e kontribut për modernizimin e mëtejshëm të Policisë tonë të përbashkët”, u shpreh ministri Lleshaj.

ina_nuku-konica.al
ina_nuku-konica.al

Punonjësja e policisë Ina Nuka u shpreh se ndihej e nderuar për vlerësimin e treguar dhe shtoi se ëndrra vijon të jetë Policia e Shtetit, krah kolegëve.

Ndoshta fjalët janë të tepërta, por thjesht dua t’ju falënderoj të gjithëve për mirënjohjen dhe nëse kam një ëndërr apo vazhdoj të kem, nuk është të jem këtu e të mbajë fjalime para jush, por është të jem aty, në mes të kolegëve të mi”, tha ajo.

Ina Nuka u plagos me një kapsollë, të hedhur nga tubuesit në protestën e Nëntorit të kaluar dhe iu nënshtrua disa ndërhyrjeve të specializuara mjekësore në Turqi.