MENU
klinika

Bundesliga, Java 24

Mposhtet Dortmund, Bayern kërcënon kreun

01.03.2019 - 22:36

Nëse 3 barazimet radhazi afruan Bayern Munchen me kreun, humbja e sotme e Dortmund, e rrezikon seriozisht vendin e parë, pasi Augsburg fitoi 2-1 ndaj verdhezinjve.

Ishin vendasit ata që kaluan të parët në avantazh në minutën e 24’ me Ji-Dong Won, që dyfishoi në të 68’, për të udhëhequr fitoren e Augsburg në përballjen e 17-të mes dy skuadrave.

Ji-Dong Won numëron tashmë 4 gola të shënuar ndaj ish-skuadrës së tij, Borussia Dortmund, më shumë se ka shënuar ndaj çdo skuadre tjetër.

Verdhezinjtë nisën të kërkojnë me insistim përmbysjen vetëm pas minutës së 70’, duke ngushtuar shifratë në 2-1 në të 81’ me Alcacer që u rikthye te goli pas 314 minutash “agjerim”, ndërkohë që shpërdoruan disa raste flagrante në vijim, por pa mundur dot të barazojnë shifrat.

Pas kësaj ndeshje, Augsburg renditet në vendin e 15-të, në kuotën e 21 pikëve, 5 më shumë se Stuttgart që ndodhet në zonën e rënies nga kategoria.

Në anën tjetër, Borussia Dortmund qëndoron në krye të klasifikimit, por duke rrezikuar ndjeshëm pozitat me Bayern Munich që tashmë ndodhet vetëm 4 pikë pas dhe ka një ndeshje më shumë në dispozicion.