MENU
klinika

Agjenti i imperializmit francez shkruante

1916: Nga Tepelena në Gjirokastër

31.03.2019 - 11:12

Lufta Parë Botërore e vuri Shqipërinë për herë të parë dhe drejtpërdrejt nën vëzhgimin dhe interesin e Fuqive të Mëdha. Territoret shqiptare kishin qenë dhe më parë nën vëzhgimin dhe interesat gjeostrategjike të tyre, të paktën që nga Lidhja e Prizrenit, por kësaj radhe ushtritë dhe shërbimet e tyre mbështetëse ishin të pranishme në territorin e Shqipërisë të krijuar nga Fuqitë e Mëdha më 29 korrik 1913. Për këtë arsye dëshmitë arkivore të kësaj kohe marrin një rëndësi të veçantë pasi janë dëshmi që paraqesin ngjarjet, balancën e forcave, si dhe japin informacion të saktëpër popullsinë dhe jetën sociale. Përpos këtyre dokumenteve arkivore ka dhe dëshmi të tjera të rëndësishme, si reportazhe gazetash, letra ushtarësh nga fronti, apo dhe libra udhëtimesh, përshtypjesh e mbresash.

Një informacion shumë i rëndësishëm për luftën e Parë Botërore, zonën e pushtimit italian dhe francez janë reportazhet e gazetarit të famshëm francez, korrospodentit të gazetës së famshme france “Le Ilustration” Robert Vaucher ( 1890-1977). Më 1910, ai shkoi të studionte për Shkencat Tregtare në Shkollën kombëtare greke të gjuhëve e të tregtisë në Kostandinopojë nga ku filloi të dërgonte artikujt e tij të parë për “Svicera Liberale”. Shumë shpejt u gjend në Romë në shërbim të agjencisë “Stefani”. “L’Illustration”, gazeta e famshme franceze, i besoi atij një post si korrespondent i luftës dhe nga viti 1914–1919, detyra e korrospodentit do ta çonte nga Dardanelet në Serbi, në Shqipëri dhe në fund në Rusi. Në këtë të fundit, ai nuk ngurroi të transmetonte mesazhe konfidenciale për llogari të Francës, gjë që do t’i kushtonte, sepse do të denoncohej nga bolshevikët si agjent i imperializmit francez.

Si korrospodent i luftës në Shqipëri, ai raportoi nga Vlora, Tepelena, Gjirokastra, Leskoviku dhe Korça. Edhe pse nuk ishte një njohës i mirë i terrenit më parë, apo edhe pse qe shkolluar në një shkollë greke, ku mësohej se territoret shqiptare të Shqipërisë së Jugut i përkisnin Greqisë, Robert Vaucher raportoi dhe shkroi shkrime që tregojnë për një etikë profesionale dhe shumë afër realitetit. Reportazhi që po botojmë është nga hyrja e trupave italianë në Tepelenë pikërisht në ditën e Krishtlindjeve në 25 dhjetor 1916. Deri pak më parë, Tepelena si dhe disa territore të tjera ishin mbajtur pushtuar nga forcat greke dhe ishin bërë shesh luftimi mes çetave patriotike dhe terrorit të mbjellë gjithandej nga Legjionet te shenjta greke të organizuara kryesisht me të burgosur dhe luftëtarë nga Kreta.

Voucher rrëfen edhe për Ali Pashën dhe kontaktet e tij me Napoleonin dhe trupat franceze në Korfuz, masakrën e Hormovës të organizuar nga grekët dhe Tepelenën e djegur nuk ngurron ta quajë një Pompe modern. Në rrëfimin etij ndihet keqardhja dhe ndjesia për ti qendruar afër realitetit por nuk mungon dhe gjuha e tipit kolonialist kur shqyrton veprimet e Ali Pashës ndaj francezëve si motive kusarie dhe në përgjigjen e ashpër të Napoelonit e shikon si të vetmen rrugë që duhet përdorur për të komunikuar me popuj të tillë. Po kështu ndihet një dozë romantizmi kur banorët ë Hormovës i konsideron si ushtarët e Skënderbeut të masakruar nga turqit, kur dihet e Hormova u shkatërrua në 1784 nga Ali Pasha Tepelena.

Zona e pushtimit italian, gjatë luftës së Parë Botërore përfshinte krahinat përreth Vlorës, Gjirokastrës, Sarandës, Përmetit, Kolonjës e Tepelenës, që përbënin një zonë me rëndësi strategjike për Italinë. Qytetet që bënin pjesë në zonën e pushtimit italian ishin kryesisht qytete të vogla, përveç Gjirokastrës që numëronte rreth 11.000 banorë, popullsia e qyteteve të tjera nuk ishte më shumë se 5 mijë secili. Administrimi i qyteteve dhe zonave rreth tyre ishte me dorë të hekurt, përsa i përket marrjes së vendimeve administrative, por shumë më efektiv se ai i mëparshëm osman, përsa i përket krijimit të një kulture administrative, që do të vendosej në themelet e shtetit shqiptar pas viteve 20’.

Një eskursion në Tepelenë:

Tepelenë, 25 dhjetor 1916

Kuajt tanë rrëshqasin në kalldrëmet e lagështa të Gjirokastrës. Sapo zbardhi dhe ne zhytemi në mjegullën përgjatë rrugës më zhavorr, duke iu drejtuar Drinos. Fshatrat janë të vendosura në shpatet e maleve, në luginë ku nuk mund të banohet sepse përmbyten shumë shpesh. Shpesh herë duhet të kalojmë përrenjtë, degë të Drinos dhe në fund kuajt tanë zhyten deri në gjoks në këtë lumë. Sidoqoftë, kalorësit e eskortës sonë luajnë me vështirësitë, ata i përkasin një shkolle të mirë. Gjenerali Komandant i Shqipërise Jugore është një kalorës i aftë. Gjatë disa ditëve të kaluara me atë, unë munda të vlerësoj guximin e tij dhe pa hezitim ndonjëherë e ndjek në udhëtimet e tij. Do të më kujtohen gjatë disa prej shkëmbenjve që iu ngjitëm me kal. Ndërsa patkonjtë e kafshëve tona rrëshqasin mbi gurin e lagësht, duke bërë shkëndija.

Pasi kaluam për herë të fundit Drinon në një urë të vjetër guri gungaç, rruga ndjek një grykë të ngushtë e piktoreske, pastaj papritmas të shpie në guaskën e thellë te Tepelenës në pjesën e poshtme të së cilës Vjosa shkarkon ujrat e baltosura. Dikur, Tepelena i ngjante një qyteti të fortë me kalanë e saj te lashtë te Ali Pashës së Janinës, muret mbrojtës dhe të lartë të së cilës zbresin pothuajse deri në lumë. Këto mure janë e vetmja gjurmë e mbetur e fuqisë së pashait të tmerrshëm që, me dinakërinë e tij, i krijoi shumë vështirësi gjeneraleve francezë H, dhe këtë e raporton M.A.Boppe, Ministri i Francës pranë qeverisë, në veprën e tij magjepsese: Shqipëria dhe Napoleoni. Perandori, i lodhur nga tradhtia e tij, urdhëronte më 15 mars 1811, Dukën e Cadores: “Bëjeni, ju lutem, një deklaratë nga mua për Pashain i Janinës. Ju do ta njoftoni atë, që me herën e parë që ai të parandalojë furnizimin e Korfuzit dhe të refuzojë kalimin e bagëtive dhe të ushqimeve te destinuara për këtë vend, unë do t’i shpall luftë atij. Butësia dhe mirësjellja nuk kanë asnjë vlerë pranë një njeriu të kalibrit të këtij kusari”. Napoleoni, duke përdorur rrugën e vështirë, fitoi kauzën e tij. Ky është një mësim që kurrë nuk duhet lënë pas dore në këto vende.

 

Kur trupat italiane, pas kalimit te shumë fshatrave gërmadhe mbërritën në Tepelenë, ushtarët shprehën një britmë gëzimi. Më në fund, pas kaq shumë vështirësive, ata gjetën një qytet të vogël, ku mund të jetojnë në një mënyrë më pak primitive se e maleve që ata kishin përshkuar Por ç’e do! Ishte vetëm një iluzion. Legjionet e shenjta e kishin shndërruar Tepelenën në hi. Vetëm dy shtëpi kishin shpëtuar: njëra prej tyre kishte shërbyer si kazermë për ushtarët grekë dhe tjera, si banesë e komandantit të tyre. Në këtë Pompé modern, aleatët tanë gjetën vetëm ca ciganë, pasi njéri ata mund të kishin vetëm emrin. Ata jetonin në rrënojat si kafshë në strofkat e tyre dhe ushqeheshin me bimë. Gratë që u sollën dru italianëve dhe refuzuan monedhat prej ari që iu ofruan si shpërblim, duke mos kuptuar aspak, se për çfarë ato copa të vogla prej metali të pangrenshëm mund të përdoreshin. Aktualisht, iu shpërndamë bukë dhe miell. me të cilat ato bëjnë galeta.

Me ardhjen e mbrëmjes, duhet të hipim në kuaj dhe të rifillojme rrugën për Gjirokastër. Nata bie shpejt, një natë e shkëlqyer Krishtlindjeje, e butë dhe e qetë. Ngado mbizotëron heshtja. Ndonjëherë, duke kaluar pranë një poste, ne shohim zjarre të mëdha rreth të cilave ushtarët janë të grupuar. Ne kemi kaluar tashmë më shumë se 70 kilometra, kuajt tanë të lodhur nuk vazhdojnë më. Me vijnë ndërmend të gjitha skenat e tmerrit që u zhvilluan në këtë vend, për tragjedinë e Hormovës, fshati shqiptar ku ka katërqind vjet, që gjatë pushtimit turk, muslimanët masakruan gjithë banorët e njohur si (të krishterë si të gjithë ushtarët e Skënderbeut) dhe konvertuan me forcë në Islamizëm gratë dhe fëmijët. Kur grekët u rikthyen, tre vjet më parë, ata u bënë shqiptarëve myslimanë një trajtim pak më të ndryshëm-hakmarrje më së shumti të urryer që goditën pasardhësit e këtyre të krishterëve të vrarë nga turqit!