MENU
klinika

Nga Arben Kallamata

Një skandal – disa mësime!

12.03.2019 - 16:33

Kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau dhe Partia Liberale që kryeson janë përfshirë në një skandal politik.

Trudeau dhe këshilltarët e tij akuzohen se kanë ushtruar presion mbi Ministren e Drejtësisë (njëkohësisht edhe Prokurore e Përgjithshme) që të arrihet një marrëveshje me kompaninë e ndërtimit SNC Lavalin, një nga më të mëdhatë në vend. Ministrja Jody Wilson-Raybould nuk ka pranuar ndërhyrjen dhe ka dhënë dorëheqjen. Trudeau ka mohuar që ka pasur ndërhyrje. Në mbështetje të ish Ministres së Drejtësisë dhe me arsyetimin se ka humbur besimin te mënyra se si drejton Kryeministri ka dhënë dorëheqjen edhe Ministrja Shërbimeve për Indigjenët, Dr. Jane Philpott.

SNC Lavalin është kompani e madhe ndërtimi. Prej vitesh ajo është në hetim nga organet e drejtësisë pas publikimit të lidhjeve të saj korruptive me ish-diktatorin e Libisë Mohamar Kadafi. Duke qënë në proces hetimi kompania nuk mund të marrë projekte qeveritare.

arben kallamata-konica.al

Sipas dëshmisë së dhënë në Parlament nga ish-Ministrja Wilson-Rebauld Kryeministri Trudeau dhe këshilltarët i kanë ushtruar presion asaj që në kapacitetin e Prokurores së Përgjithshme të ndikojë mbi organet e drejtësisë që të arrihet një marrëveshje me SNC Lavalin dhe t’i jepen fund hetimeve. Ndërhyrja konsiderohet shkelje e kompetencave të Kryeministrit dhe cënim i pavarësisë së sistemit të drejtësisë. Trudeau hipi në pushtet duke premtuar veprime politike të hapura, llogaridhënie dhe transparencë.

Skandali i fundit ia ka rrëzuar të gjithë reputacionin dhe i ka dëmtuar imazhin si politikan.

Së pari, skandali vërteton edhe një herë që Kanadaja është një vend demokratik, ku pavarësisht përpjekjeve të politikanëve të veçantë, ekziston pavarësia e sistemit të drejtësisë. Politikanë dhe njerëz të korruptuar do gjenden kudo, por në një shtet ligjor ata nuk kanë terren të lirë për të vepruar pa pengesa dhe pa kontroll.

Së dyti, skandali dëshmoi se ka njerëz të ndershëm, të gatshëm që të heqin dorë nga privilegjet e posteve për hir të parimeve të drejtësisë. Të dy ministret e dorëhequra janë gra, të cilat kanë hyrë në sferat e larta të politikës kanadeze pas ardhjes në fuqi të Liberalëve. Kryeministri Trudeau ndërtoi një kabinet ministror në përbërje të të cilit pesëdhjetë përqind ishin gra, fakt me të cilin ai fitoi pikë në opinionin publik kanadez dhe atë ndërkombëtar. Pavarësisht se ky vendim po del praktikisht kundër interesave të tij të çastit në lidhje me skandalin në fjalë, ai vërteton që ka qënë një zgjedhje e drejtë dhe e vlefshme për vendin.

Të paktën këto dy ministre kanë dëshmuar një shkallë të lartë integriteti dhe ndershmërie.

Së treti, të bën përshtypje mënyra e qetë, e urtë dhe demokratike si po vepron opozita konservatore në këtë rast. Duke i mëshuar fort kartës së skandalit, duke ngulur këmbë që të dalë e vërteta në shesh, ata po veprojnë me të gjitha mekanizmat që iu lejon të veprojë një sistem demokratik, brenda parlamentit, pa u përpjekur për ta çuar debatin rrugëve. Kryetari i Partisë Konservatore Andrew Scheer është treguar shumë i matur në deklaratat e tij, duke u distancuar nga akuzat ekstreme dhe duke qëndruar gjithmonë brenda kufijve ligjorë. Ai thotë që Trudeau ka humbur besimin, po shpenzon shumë kohë duke kontrolluar dëmin që i është bërë figurës së tij dhe të partisë së tij dhe nuk është në gjendje të qeverisë si duhet, prandaj duhet të japë dorëheqjen. Asnjë akuzë e pabazuar.

Por edhe më interesant nga të gjitha këto është qëndrimi i njerëzve të thjeshtë, votuesve.

Duke përjashtuar një përqindje të vogël partizanësh të flaktë partiakë që janë mbështesin udhëheqjen e partisë pa asnjë rezervë në çdo situate, shumica dërrmuese e kanadezëve janë më tepër të interesuar që të ruhen të paprekura institucionet demokratike se sa të dalë fajtor apo i pafajshëm ky apo ai politikan. Për kanadezët e thjeshtë në këtë rast nuk ka pikë rëndësie as fati i politikanit Trudeau, as fati i politikanes Joddy Wilson-Rebauld. Për ta ka rëndësi Kanadaja dhe demokracia.

justin trodeau-konica.al
justin trodeau-konica.al

A ka korrupsion në një vend demokratik?

Po, ka. Kudo që ka politikanë do të ketë edhe politikanë të korruptuar, do të ketë edhe njerëz që shfrytëzojnë pozitën për të përfituar politikisht dhe/ose financiarisht. Por kjo s’do të thotë se mund të vihet shenja e barazimit midis një demokracie dhe një sistemi të pakonsoliduar, ku gjithçka është ende fluide dhe ku nuk funksionon si duhet asnjë nga organizmat dhe institucionet demokratike. Sepse në demokraci ekzistojnë edhe mekanizmat, edhe pavarësia e pushteteve, edhe parimet edhe njerëzit që i mbajnë, ruajnë dhe mbështesin këto parime. Sistemi demokratik nuk është dhe nuk mund të jetë i përsosur.

Më tepër se sistem i konsoliduar, demokracia është një rrugë me ngjitje e zbritje, kthese majtas e djathtas, por një rrugë që ecën në një drejtim të caktuar.