MENU
klinika

Gjeniu i kulturës shqiptare

Noli personaliteti poliedrik

13.03.2019 - 12:41

Fan Stilian Noli ishte burrë shteti, atdhetar demokrat, klerik i lartë, poet, përkthyes, publicist, dijetar, historian e muzikolog. Noli, një nga personalitetet më të shquara të kombit shqiptar, kujtohet si një figurë e madhe dhe e shumanshme e letërsisë, kulturës, jetës fetare dhe politikës shqiptare. Ai ishte njeriu i alternativave, kontradiktave, tensioneve të brendshme, që i kapërceu me përkushtimin e një burri të vërtetë shteti.

Noli lindi në Qytezë, fshat i banuar nga shqiptarë në rrethin e Edrenesë në 6 janar të vitit 1882. Vitet e luftës së përbashkët krahas forcave më të përparuara të shoqërisë shqiptare e bënë Nolin demokratin revolucionar e mendimtarin e shquar dhe veprën e tij, një nga kulmet e mendimit shoqëror dhe krijimtarisë poetike shqiptare.

Fan Noli shkroi drama, botoi artikuj në gazetën “Drita”, përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë ç ‘është e ç’do të bëhet”. Kur u vendos në SHBA, luajti një rol kyç në bashkimin e shoqërive shqiptare dhe për botimin e gazetës “Kombi”.

Gjatë këtyre viteve, Noli krijoi vargjet e para dhe njëkohësisht nisi të shqipërojë autorë të huaj, duke i përshtatur mjeshtërisht në jguhën shqipe. Megjithëse jetoi larg Shqipërisë, jeta dhe vepra e tij lidheshin pashmangshmërisht me Shqipërinë.
Noli është njohur për rolin e tij kryesor si prift. Këtë detyrë Noli e mori në moshën 27-vjeçare, kohë kur shqiptarëve ortodoksë në Amerikë ishin të tensionuar nga kontrolli grek mbi kishën.

Për herë të parë si prift ortodoks, ai mbajti liturgji në gjuhën shqipe në sallën “Knights of Honor” në Boston, në vitin 1908.Akt që do të përbënte hapin e parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale. Për atë kohë, kjo ngjarje kishte rëndësi politike, sepse i priste udhën ndikimit të qarqeve greke te shqiptarët me besim ortodoks.

Ndërkohë, ai ishte bashkëpunëtor me disa gazeta, mbante ligjërata, organizonte shoqëri patriotike. Më 1912, u bashkuan në federatën pan-shqiptare “Vatra”. Atë vit kreu studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit (Bachelor of Arts cum laude). Viti 1913 do të shënonte vizitën e parë për Nolin në Shqipëri, ku mbajti të parën shërbesë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në vend, në prani të princit Vilhelm Vid.

Noli erdhi në Shqipëri në vitet 1913 dhe 1920. Ai u bë figurë udhëheqëse në luftën për vendosjen e rendit demokratik. Me fitoren e Revolucionit të Qershorit, më 17 qershor 1924, Fan Noli u vu në krye të qeverisë së Shqipërisë.

Për gjashtë muaj ai drejtoi një qeveri demokratike, që u përpoq me mish e me shpirt të përballonte problemet politike dhe ekonomike të shtetit të ri shqiptar, problem mjaft të rënduara asokohe.

Programi i Nolit për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, doli të ishte tepër i nxituar për një vend pa tradita parlamentare. Me rrëzimin e qeverisë së tij nga forcat zogiste, Noli u largua përgjithmonë nga Shqipëria. Më vonë, Noli i shkroi arsyet e dështimit të tij, në një letër që ia drejtonte një mikut të tij anglez “Duke këmbëngulur te reformat agrare, zgjova zemërimin e aristokracisë çifligare; duke mos i zbatuar reformat, humba mbështetjen e masave fshatare”.

Kultura e gjerë e veshi atdhetarizmin e tij me përmbajtje shumë të përparuar. Luftën për çlirimin kombëtar, Noli e konceptonte si luftë me armë dhe me penë. Fan Noli kërkonte që bashkatdhetarët e vet të mbështeteshin në “krahët… trimërinë…dhe kordhën e tyre…”.

Si përkrahës i luftës për t’u çliruar nga zgjedha e huaj, Noli ishte mbështetës i veprimeve të çetave dhe kryengritjeve e mëdha me arme kundër sundimit osman. Pas shpalljes së Pavarësisë, ai u vu në shërbim të qeverisë shqiptare të Vlorës.

Pikëpamjet mbi organizimin e shtetit, politikën e brendshme dhe të jashtme i shtjelloi në shkrime dhe fjalime të viteve 1921-1924. Luftoi që shteti të vinte në jetë parimet e demokracisë së përparuar.

Fan Noli është një nga figurat më të shquara të kulturës kombëtare. Me veprimtarinë e shumanshme, ai dha ndihmesë të çmuar në formimin e kulturës demokratike shqiptare.

Një pjesë e mire e përkushtimit të tij ishin gazetaria dhe publicistika. Ai drejtoi me ndërprerje gazetën “Dielli”, si dhe themeloi dhe drejtoi gazetën “Republika”. Fan Noli është një ndër mjeshtrit e poezisë shqipe, lirikat e tij ngërthejnë përgjithësime të rëndësishme artistike. Noli ka vlera të mëdha edhe si shqipërues.


Më 28 prill 1912, bashkë me Faik bej Konicën është ndër themeluesit kryesor të shoqatës pan-shqiptare Vatra (në fillim më 6 janar 1907 shoqatën “Besa-Besë” me sekretar Kol Tromarën, që u shkri me Vatrën) bashkë me organin e saj të shtypit “Dielli” i Bostonit, gjithashtu dhe “Shkopi” i Kajros që lëvizën kundër një artikulli të Mit’hat Frashërit në shtypin e Selanikut.

Ai shprehu aspiratën e shtresave demokratike për liri dhe tokë, drejtësi e përparim. Lirikat politike të Fan Nolit, ushtojnë nga besimi i patundur i poetit në fitoren mbi armiqtë e vendit dhe drejt përparimit.

Fan Noli i kushtoi vëmendje të posaçme edhe studimeve historike. Në këtë fushë interesat e tij u përqendruan rreth jetës së Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Njeri me interesa të gjera krijuese, ai u mor edhe me muzikologji; monografia e tij “Bethoveni dhe Revolucioni francez” në gjuhën angleze, u çmuan lart nga specialistë dhe personalitete të shquara. Fan Noli la përkthime mjeshtërore të disa veprave të shkrimtarëve të shquar përparimtarë botërorë, si Shekspiri, Ibseni, Servantesi, etj.

Noli vdiq në Florida. SHBA,në 13 mars të vitit 1965, në moshën 83-vjeçare. Ai ishte i lidhur gjatë gjithë jetës me popullin e tij, që ia njohu vuajtjet, e thirri në luftë dhe i admiroi fitoret. Fan Noli la gjurmë të pashlyeshme në historinë e popullit tonë e të kulturës së tij.

 

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët