MENU
klinika

80-vjetori i lindjes

“Pano si pikturë klasike”, nderohet legjenda

10.03.2019 - 18:32

Kanë kaluar 9 vite nga dita kur legjenda e futbollit shqiptar Panajot Pano ndërroi jetë e megjithatë, golat, driblimet dhe figura e Panos është një imazh i freskët në memorien e të gjithë atyre që arritën të shijonin futbollin nën këmbët e Panos.

Në nder të figurës së tij, sot është mbajtur një ‘mbledhje’ mes legjendave të futbollit shqiptar e jo vetëm, për të nderuar dhe përkujtuar figurën e Panos.

Në lidhje me figurën e Panos dhe karrierën si futbollist, kanë folur disa aktorë të cilët e kanë lartësuar edhe më shumë Panon dhe historinë që ai shkroi në futbollin shqiptar.

Përparim Kabo: Pano është mes nesh, ndaj ju ftojmë të përcjellim himnin kombëtar. Panajoti dha gjithçka për flamurin kuqezi”.

Vladimir Hajdari: Propozoj që stadiumi kombëtar të marrë emrin Panajot Pano”.

Ledio Pano (i biri): “Është një ditë e veçantë për mua dhe për ju, si miq të babait dhe të familjes. Është një nga ditët më emocionuese për mua. Shoh njerëz që nuk i njoh, por që kanë duartrokitur babanë tim. Hera e parë që jam kaq i emocionuar.

Bravo profesor Kabo për organizimin. Një falënderim për presidentin Gazmend Demi. Falënderim i veçantë për Bamir Topin. Falënderim i veçantë për gjithë miqtë e tij, për personat në panel, për Sabah Bizin që e kishte si vëlla. Faleminderit të gjithëve nga zemra”.

Agim Janku: “E adhuroja Panon. Mbaj mend që i shënoi gol Sulejman Maliqatit dhe më pas bëri një gjest, por nuk e kisha menduar se do luaja me të kurrë. Ato katër vite te Partizani me të ishin më të mrekullueshmit në karrierën time.

Rrallë kam parë lojtarë si ai, edhe jashtë janë habitur nga mënyra si luante. Mbetet futbollist i madh dhe mik i madh i imi. Pano duhet kujtuar vazhdimisht.”

Bamir Topi: “Ju falënderoj nga zemra për ftesën. Dëgjova konsiderata për dekorimin e Panajotit. Nëse nuk do e kisha bërë, do ikja me një brengë të madhe nga presidenca.

Jam shprehur besimplotë, se me shumë se Panajoti u gëzuan miqtë e tij atë ditë. Ishte gëzim i madh, jo i shtirur. Tifozët e dy ekipeve pas ndeshjeve ngacmoheshin, kurse Panajoti shoqërohej me lojtarët kundërshtarë. E kisha të vazhdueshëm komunikimin me të.

Një njeri aq i madh, më i madhi i futbollit shqiptar, por që ishte shumë modest. Në tribuna i takonte të qëndronte, por ai nuk qëndronte aty. Legjendat lartësohen me kalimin e kohës”.

Mexhit Haxhiu: “Panon e kam shoqëruar edhe unë gjatë karrierës. Duke qenë lojtar i madh e shikoja me sy tjetër. Më dilte edhe në ëndërr. Kur zgjohesh duheshin disa orë të vinte në stërvitje. Kur i thoshin Loro Boriçit ‘a është Pano nga më të mëdhenjtë’, ai na thoshte ‘po’. Ne na bëhej zemra mal”.

Mehdi Bushati: E kam njohur në vitet 1961-1962. Dinamos i duheshin përforcime dhe morëm Panon. Luajtëm në kampionatin Ballkanik. Mundëm Dinamon e Bukureshtit 3-2 dhe thoshin që nuk është lojtar i formuar në Shqipëri, por në Perëndim.

Më pas luajtëm natën në Sofie dhe nuk orientoheshim prej dritave. Pjesën e dytë u ambientuam dhe arritëm të shënonim dy gola. Me Fenerbahçen, presidenti Muslim Beu nguli këmbë ta blinte. Asokohe nuk e dinim çfarë ishte shitblerja. Vitet ’60 ishin një “bum” për futbollin shqiptar.

Asokohe luajtëm në Europian dhe Greqia nuk pranoi të luante me ne dhe morëm 6 pikë në tavolinë. Dolëm në vendin e 80-të në Europë. Panajoti, po të luante në kohën e sotme, do luante me klube si Juventus e Barcelona. Ishte njeri shumë miqësor me të gjithë”.

Agim Fagu: “Jam mes miqsh në një ditë të jashtëzakonshme. Secili ka kujtimet e veta me të dhe mund të flasim për ditë të tëra. Ai nuk bëri histori, është historia e futbollit shqiptar.

Panajoti do një kapitull të veçantë, pasi është nga ata djem që ishte prezent në çdo rrugicë e çdo vend të Tiranës. Ishte nga ata për të cilët flitej me muaj. Më kujtohet kur erdhi te Partizani. Pati një incident. Iku në mes të natës dhe zgjidhi problemin.

Babai më tha: Panajot Pano është aset kombëtar. Ashtu ishte dhe ashtu duhet të mbetet. Ai ka kontribuar edhe në mendimin filozofik të njerëzve. Ai ishte sportist i madh dhe njeri i shkëlqyer.

La një ikonë të veten dhe që asnjë nuk arrin dot ta pikturojë. Ai është si piktura e Monalizës, i papërsëritshëm. Familja Fagu ju ka një perlë në shtëpinë tonë (i drejtohet Ledios).”

Olsi Rama: “Mendova se nuk do kishte njerëz, nisur nga fakti që ishte e diel dhe nga orari i zgjedhur, por më keni befasuar. Shpresoj që Panajoti të jetë një shembull për lojtarët e mi. Këtu nuk mungojnë as tifozë e politikanë”.

Aleksandër Meksi: “Në atë kohë ndeshjet bëheshin të dielën, në 13:00 shkonim në stadium dhe flitej për futboll deri kur të niste ndeshja. Prisnim deri në 17:00 dhe nuk kishte sherre si sot.

Prisnim atëherë nga Pano të na jepte fitoret. Takoheshim rrugëve dhe kjo është arsyeja pse ishim miq me lojtarët. Krenoheshim kur i takonim. Ishte njeri dhe futbollist i madh”.

Armand Duka: “Duhet të jemi të privilegjuar që jemi këtu. Gjithë Shqipëria do vinte po të ftohej. 7 marsi 1939 është ditë më fat për futbollin tonë. Ishte një talent që sot mijëra skautë nuk e gjejnë dot. Ai ishte talent dhe u rrit, duke u bërë futbollist i madh. Aty i dolën në pah edhe cilësitë e tjera.

Duhet ta lartësojmë emrin e tij dhe të rritim breza me shembullin e tij. Ata përballë duhet të bëhen si Pano dhe do t’u dalin në pah cilësitë e tyre. E kam njohur në vitet e fundit të jetës dhe ndihem me fat”.

Sulejman Maliqati: “Kam luajtur 8 vite me Panajotin. Si lojtar është e kotë të flasësh, e njihte gjithë bota. Komentet e shumta janë të kota”.

Paskal Milo: “Po përkujtojmë krye yllin e futbollit shqiptar. Është një takim shumë solemn, që na emocionon. Kam edhe unë kujtime me të. Kur isha te të rinjtë, me profesor Bejkush Birçen, shkoja në klub gjatë kohës së sezonit.

Kisha mundësinë të ushqehesha mirë dhe të mësoja për provimet. Në ato mbrëmje e takoja dhe ishte shumë i dashur. Atij i bënin përshtypje librat që mbaja. Vinte e më pyeste shpesh. Dua t’ju them që ishte shumë i dashur. Të bënte përshtypje thjeshtësia e tij dhe sot përulem para kujtimit të tij. Ia kemi borxh një histori”.

Bejkush Birçe: “Privilegj që e kisha lojtar dhe zëvendëstrajner. Panajoti ka diçka më shumë, ai nuk u ngop më futbollin këtu. Ai ishte njeri i thjeshtë me gjithë futbollin e madh që bënte. Djalë modest dhe i shkëlqyer. Njeriu kur vdes, nuk vdes kur e mbulojnë, por vdes kur e harrojnë. Ne nuk do e harrojmë kurrë”.

Sabah Bizi: “E ndjeja për detyrë të isha këtu, pavarësisht gjendjes në të cilën jam. Kur komentatorët e atëhershëm transmetonin ndeshjet, me thëniet e tyre u bëra tifoz i Panajotit.

Se kisha menduar që do isha në një skuadër dhe shok me të. U fol shumë, por është shumë pak. Po të isha shkrimtar, do bëja një libër që peshon një kilogram.

Te Partizani me Panajotin gjeta gjuhën e përbashkët, atë të futbollit. Kur gaboja dhe stadiumi bënte ‘uuu’, ai ma kthente në një ‘aaa’ të madhe. Së bashku me Loro Boriçin, janë si shqiponja dy krenare në flamurin shqiptar”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Legjenda e futbollit shqiptar

9 vite pa Panon, dedikimi i Partizanit