MENU
klinika

Detajet

PD padit në Prokurori ministrin Lleshaj, akuzat që ngre

20.03.2019 - 14:57

Partia Demokratike ka paditur Ministrin e Brendshëm dhe disa punonjës të Policisë së Shtetit për shpërdorim detyre dhe veprime të paligjshme kundër protestuesve.

Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi në letrën dërguar prokurorisë bën me dije se është provuar që gjatë protestës së opozitës ndaj protestuesve janë përdorur mjete helmimi dhe ujë me presion.

Është e provuar se gjatë zhvillimit të protestës Policia e Shtetit, duke shpërdorur detyrën, ka dhunuar dhe sulmuar me mjete të helmimit masiv dhe ujë me presion qytetarë, të cilët po protestonin paqësisht.

Qëllimi i Policisë ka qenë pengimi i zhvillimit të protestës, duke hedhur mjete të helmimit masiv dhe ujë me presion ndaj të gjithë protestuesve, jashtë rregullave dhe rrethanave të lejuara nga ligji.

Pamjet filmike provojnë një veprim kriminal të punonjësve të Policisë së Shtetit, që sulmojnë me gaz edhe qytetarë që janë të shtrirë në rrugë për shkak të problemeve shëndetësore apo qytetarë që përpiqen t’u vijnë në ndihmë atyre.

Kjo është qartazi, jo vetëm shpërdorim detyre, por edhe një tentativë për të rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e qytetarëve.”-vërejti Sekretari i Përgjithshëm i PD.

Duke i kërkuar Prokurorisë të marrë masën e pezullimit nga detyra të të kallëzuarve, Partia Demokratike shpreh shqetësimin se Prokuroria është shndërruar në një seksion të certifikimit të paligjshmërive të Policisë së Shtetit.