MENU
klinika

Detajet

Pensionet e pleqërisë, lehtësohet procesi i tërheqjes

13.03.2019 - 17:45

Të moshuarit në mbarë vendin do të kenë mundësinë e tërheqjes së pensionit të pleqërisë në çdo arkë të Postës Shqiptare. 

Pas informatizimit të sistemit të pagesave, mosha e tretë mund të marrë pensionet pa qenë nevoja e transferimit të gjendjes civile.

Lajmi është bërë me dije ditën e djeshme nga kreu i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, i cili thekson se është bërë i mundur lehtësimi i procedurave, pavarësisht vendit ku banon i moshuari.

“Tashmë pensionistët mund ta tërheqin pensionin e pleqërisë në çdo arkë paguese të Postës Shqiptare në çdo qark të vendit, pa pasur nevojë për të transferuar edhe Gjendjen Civile. Si pasojë e përfundimit të procesit të ndërtimit të bazës së të dhënave elektronike dhe unike të pensioneve, informatizimin e sistemit të pagesave dhe të procesit të kontrollit të tyre, është bërë e mundur lehtësimi i procedurave të transferimit të qendrës paguese të pensionit, pavarësisht nga vendbanimi, sipas regjistrit të gjendjes civile”,-thotë Hado.

Ky i fundit shton se zbatimi i kësaj procedure të thjeshtuar të transferimit të qendrës së pagesës shkurton ndjeshëm kohën, si dhe vetëngarkon strukturat e ISSH-së për të kryer procedurat e transferimit dhe njoftimin e qytetarit.