MENU
klinika

Detajet

Përfundojnë hetimet/ Prokuroria dorëzon në Gjykatë dosjen e Tahirit

11.03.2019 - 17:11

 Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dorëzuar në gjykatë dosjen për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, pas përfundimit të hetimeve.

Gjykata i kishte lënë afat Prokurorisë që të dorëzonte dosjen brenda datës 10 mars, ndërkohë që dosja është dorëzuar tek Krimet e Rënda pak minuta më parë. Ish-ministri është hetuar për dy akuza, trafikimin e narkotikëve të kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal, si dhe korrupsionin pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror.

Në lidhje me akuzën e parë, Prokuroria ngre dyshimet se Tahiri ka qenë në dijeni të veprimtarisë kriminale të Moisi Habilajt dhe të gjithë anëtarëve të tjerë të kësaj bande dhe ka siguruar paprekshmërinë e veprimtarisë kriminale të tyre.

Prokuroria ka zgjatur tre here hetimet për Tahirin në pritje të letër porosive nga Italia, Greqia dhe Mali i Zi për të vërtetuar akuzat ndaj ish ministrit. Ish-ministri u hetua në masën detyrim paraqitje pas heqjes së masës arrest shtëpie nga gjykata e Apelit për Krime të Rënda. Gjithashtu ish ministrit iu kthye edhe pasaporta e cila ishte bllokuar me vendim gjykate.

Pas dorëzimit të dosjes, do të jetë gjykata ajo që do të vendosë nëse çështja do të shtrohet për gjykim me provat e mbledhura nga akuza.