MENU
klinika

Shfrytëzonin pa kriter

Pezullohen 12 gurore në malin e Krujës

04.03.2019 - 17:32

Guroret në Krujë kanë dëmtuar malin pa asnjë kriter për tre vite me rradhë.

Korrikun e kaluar, qeveria e shpalli malin e Krujës peisazh të mbrojtur natyror, ndërsa pas hetimit një mujor, Task-Forca e ngritur nga katër ministri vendosi masën e revokimit për 12 subjektet që ushtronin aktivitetet në këtë zonë.

Gjithashtu 12 guroret të cilat janë gjobitur nga 300 mijë deri në 500 mijë lekë secila.
Gjelbërimi në Krujë, në zonën e Krastës ka pësuar dëme të parikuperueshme.

Ministri i mjedisit, Blendi Klosi tha se Task forca që ka monitoruar zbatimin e lejeve mjedisore, ka evidentuar shkelje të rënda, dhe vlerëson se rikuperimi do të kërkojë shumë kohë dhe financime. Ministria e Brendshme ka verifikuar edhe përdorimin e lëndëve plasëse në këtë zonë të populluar.

Për kompanitë të cilat ushtronin aktivitetin në zonën e malit të Krujës, është propozuar nga Ministria e Energjitikës një pozicion tjetër për të vazhduar aktivitetin. Qeveria thotë se biznesi do vazhdojë por tashmë e tutje nën kujdesin dhe kontrollin e vazhdueshëm të institucioneve shtetërore , të cilat do të monitorojnë zbatimin e masave teknike.

Sipas një analize të Ministrisë së Mjedisit, nga 300 leje mjedisore dhe minerare për guroret që janë dhënë në të gjithë vendin, pothuajse në të gjitha rezulton se ka problematika në zbatimin e lejes mjedisore dhe lejes minerare.