MENU
klinika

Sinan Idrizi

“Policia në stadium? Të vijë Ushtria e OKB…”

07.03.2019 - 14:26

Rikthimi i policisë në stadiumet shqiptare, është një nga çështjet më të diskutuara të momentit dhe për këtë u bojkotua edhe kampionati shqiptar këtë javë.

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, e ka dënuar ashpër dhunën e shfaqur ndaj arbitrit Hamiti, por nga ana tjetër është kundër rikthimit të policisë në stadium.

Në një intervistë për ‘VipSport.al’, Idrizi shprehet se në Shqipëri nuk ka sistem dhe asgjë nuk funksionon siç duhet. Idrizi pranon se po të mos kishte gabime arbitrash, nuk do të kishte as dhunë në stadiume.

A iu duket i drejtë vendimi i arbitrave për të bojkotuar kampionatin?

Morëm pushime këto ditë, po nuk dihen pushimet e kujt janë të marsit, a të prillit a të majit. Kjo është një histori koti dhe nuk e di pse e kanë marrë këtë vendim.

Policia në stadium? Jo mo jo, të kthehet edhe ushtria. Më kujton që ka qenë një film dikur “Fushë e blertë, fushë e kuqe” me fashizëm dhe italianë, me ushtarët e me të gjithë.

Bojkoti u bë në Shqipëri si bukë me djathë. Dakord, e shtyjmë edhe një javë, por nëse do të ndodhë prapë, ku është zgjidhja?

Unë jam kundër policisë. Jeta e arbitrave është e shenjtë siç është e çdokujt, por mos u fshihni pas historisë. Dhuna është e papranueshme, por askush nuk pyet pse u bë dhuna.

Dënimi që iu dha Kamzës, mua personalisht, m’u duk i ekzagjeruar. Nuk kemi fare sistem në Shqipëri dhe, nëse ka, është i shkatërruar. Përderisa nuk ka sistem asgjë nuk funksionon.

Realisht në Shqipëri, nëse gjithçka funksionon tamam siç duhet, mjaftojnë vetëm 2 stjuartë dhe asgjë më shumë. Hajde të mblidhemi t’i japim zgjidhje, por jo me bojkot. Ja u bojkotua këtë javë, po në vazhdim çfarë do të ndodhë?

Sinan Idrizi
Sinan Idrizi

Sa ndikim mendoni se kanë arbitrat në kampionat?

Te Flamurtari nuk ka gabime njerëzore ose nëse ka, janë vetëm 10%. Këta që bojkotojnë duhet të mbajnë edhe përgjegjësi dhe shoh komentet që arbitri del pa turp e thotë do marr fisin.

Nuk bëjmë luftë me fise ne. E kupton ku jemi? Në vend që të qetësohet dhe të sqarohet, bën shenjtorin. Është skandaloze dhuna, por nga ana tjetër e dinë historinë e tyre.

A u dhunua fotografi ynë? Ndoshta nuk u bë e madhe se ishte Çimi dhe Flamurtari. Të ishte dikush tjetër, e shihnim. Kjo u bë si historia e shkopit në dorë me Maliqin. Të shkrish ekipin për ngjarje si ajo në Kamëz, është e ekzagjeruar. Ku shkon djersa e këtyre që investojnë?

A është shoqata e tyre e pavarur?

Të betohem se nuk e di si funksionon. Nuk di të na tregojë një arbitër që është ndëshkuar për gabime. Është një shoqatë që e kam parë që reagon kur dhunohen arbitrat dhe mirë bën.

Por si shoqatë duhet të reagojë edhe kur arbitrat bëjnë gabime, edhe të dënojë arbitrat kur gabojnë. Jo, hajde të reagojmë kur na intereson.

A mund të ndikojë shtyrja për ndonjë klub që ka shumë dëmtime?

Nuk e besoj se është kaq e thellë sa për të ndihmuar ndonjë klub. Thanë se bojkoti të vazhdojë deri sa të kthehet policia. Më mirë hajde t’i bëjmë një kërkesë OKB për kaskat blu dhe e mbyllim këtë histori. Bëni ligjin për sportin se na bëjnë si racë barbare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kërkohet rikthimi i Policisë

Dhuna në Kamëz, FSHF ndalon kampionatin