MENU
klinika

"Pranvera filloi me ardhë"

Shuhet Shyqyri Alushi

19.03.2019 - 11:36

Ndahet nga jeta bilbili i ahengut shkodran. Shyqyri Alushi, një tjetër xhevahir i gjerdanit të muzikës popullore shkodrane, u shua në moshën 84-vjeçare.

Sëmundja e rëndë që e dergji në spital kohët e fundit, me gjithë apelin për ndihmë nga familja, e mundi zërin e veçantë që për vite me radhë shoqëroi popullin shkodran në gëzimet familjare, apo veprimtaritë artistike kombëtare.

Lindi në Shkodër, më 10 maj 1934. Këngëtar i shquar i ahengut dhe këngës popullore qytetare shkodrane, në gjysmën e dytë të shek. XX. Prej babait të tij Alushit, trashëgon pasionin për muzikën popullore. Alushi ishte këngëtar dhe muziktar popullor në fyell dhe zumare. Realisht Shyqyriu bëhet këngëtar nëpër ambientet muzikore të shtëpive dhe lagjeve të Shkodrës, duke dëgjuar drejtpërdrejt ose nga pllakat e gramafonit mjeshtrat e ahengut, si: Shuk Prifti, Sadik Spahija, Marku i Kranjanes, Sait Hoxha, Hasan Prezën etj.

Në moshën 10- vjeçare këndon me shokët dhe lagjes dhe më 1956 këndon këngët e para popullore në koncertin me rastin e përurimit të kinemasë “Republika” në Shkodër. Për një kohë të gjatë, këndon si këngëtar në dasmat shkodrane dhe në të tjera aktivitete artistike të qytetit.

Në lulishten “1 Maji”, Shyqyriu shoqërohej nga orkestra popullore e Adil Ujkashit. Në vitin 1974-1986, ai u bë pjesë e Estradës së Shkodrës. Ka marrë pjesë në të gjitha festivalet dhe koncertet e organizuara në Shkodër, si dhe në të gjitha përfaqësimet e folklorit muzikor shkodran në festivalet folklorike kombëtare dhe në Kosovë. Ka marrë pjesë gjithashtu edhe në shumë turne ndërkombëtare, në Rumani, Portugali, Turqi, Francë, Gjermani, Mali i Zi etj.

Shyqyri Alushi mbahet si këngëtari i fundit i ahengut shkodran. Më 1984 i jepet titulli “Artist i Merituar”, në vitin 1996 në festivalin e këngës popullore qytetare i jepet “Çmimi i Karrierës”. Me rastin e 65-vjetorit të lindjes, Bashkia e Shkodrës i jep titullin “Krenaria e Qytetit”.

Gjatë gjithë jetës së tij artistike ka marrë edhe shumë çmime dhe dekorata të tjera. Në Shkodër të gjithë i thërrasin “mjeshtri i ahengut shkodran”. Ndër këngët e arta të repertorit të tij përmendim: “Thotë lulja për lulen”, “Kur natyra kenka veshur”, “Nëpër fusha në kodrina”, “Pranvera filloi me ardhë”, “T’parën herë kur jena pa”, “Eni more shokë”. Regjistrimet e tij muzikore janë kryesisht pranë Radio-Tiranës dhe Radio-Shkodrës.