MENU
klinika

Romuzet sa njëmijë fjalë

Princ Dodë Pasha i Mirditës

10.03.2019 - 15:59

Preng Bib DODA, një portret nga S. Vlora:

“(Princ [Preng Bib] Dodë Pasha ishte shtylla e fortë e mirditorëve, bilonjë e shquar i një familjeje fisnike dhe të vjetër. Me shtatin e gjatë, karakteristik për malësorët dhe me fytyrën e ëmbël, njihej e respektohej në çdo vend. Me mendjen e hollë, kënaqte e gëzonte tërë rrethin. Kishte mjaft dijeni mbi literaturën perëndimore, mbi jetën shoqërore të botës së qytetëruar dhe e njihte situatën ndërkombëtare. Nuk e donte hipokrizinë dhe nuk i besonte asnjë njeriu. Më shumë se gjërat serioze i pëlqenin shakatë dhe talljet. Lexonte dhe shkruante turqisht, italisht, frëngjisht. Kurdoherë ishte i çelur dhe i buzëqeshur. Ishte i zoti në fjalë e biseda. Romuzet, që i thoshte në formë shakaje, ishin aq të holla dhe me vend, saqë një mijë kritika dhe shpjegime të tjera nuk mund ta shfaqnin atë kuptim.

Me Ismail Beun shkonte mirë. Edhe me Esat Pashën nuk dukej të ishte kundërshtar. Por që të dy nuk i donte dhe e shprehte hapur se ishin të dëmshëm për Shqipërinë. Duke ngrënë bukë, të tre së bashku në Pallat me Princ Vidin, në mes të shakave të tjera i tha Princit: “Nëse ke vendosur ta rregullosh Shqipërinë, përfito nga rasti dhe zhdukna të treve, mua, Ismail Qemalin dhe Esat Pashën, sepse cilido nga ne të tre që do të mbetet gjallë, as ty, as Shqipërinë nuk do ju lerë rehat”. Kjo shaka dy të tjerëve nuk u pëlqeu, megjithatë u detyruan të heshtnin.
J. Bourcart, një shkrimtar francez, në një vepër të botuar tani vonë, thotë: “Princ Bib Doda ka një trup të fortë e të shëndoshë, ka një inteligjencë të holle”.

Epokale mbetet kur u zunë pritë për ta vra. I shoqëruar me konsullin anglez Eden duke kaluar në rrugën për Shëngjin, i bëhet një pritë porsa kaluan lumin Mat: qëlluan vetura, ndërsa Preng Bib Doda çohet në këmbë duke u bërtitur “Më vritni mue e mos qitni mbi të huejt, se asht kundra zakonit tonë”.

Historia e këtij lideri mirditor dhe shqiptar:

Lindi në Orosh të Mirditës, asokohe nën Sanxhakun e Shkodrës, i biri i Bib Dodë Pashës dhe Hides së Hasan Ajazit. Me vdekjen e të atit, edhe ai ushtarak i lartë i Perandorisë, paria e konakut të Gjonmarkut dhe kajmekamllëku i Mirditës i lihet një kushëriri të tyre dhe Prenga ende në moshë të njomë merret (apo syrgjynoset) ndër lokalitete të tjera të perandorisë.

Fëmijërinë e vet e kaloi në Stamboll, prej ku kthehet në Mirditë më 1876. Me zhvillimet e Lidhjes së Prizrenit më 3 prill 1880 emërohet zëvendës i Hodo pashë Sokolitpër degën e Shkodrës. Me ta marrë vesh këtë, Porta e Lartë e internon në Kastamuni të Azisë të Vogël prej ku ndihmoi për ta liruar Syrja bej Vlora. U vendos në Liban, ku në sajë të kontakteve tregtare me agjencitë e interesuara për shfrytëzimin e resurseve të Mirditës, familja e Malhamëve në Beirut, i bëri kërkesë Stambollit që ta emëronin Dodën mytesarif i Malit të Libanit si zëvendësues për Vaso Pashën. Më pas nisi punë në Stamboll, me punë në Pallatin Perandorak, me gradën gjeneral i brigadës së rojave shqiptare të Sulltan Abdyl Hamidit II. Prenga i ri me shpatën e argjendtë që iu dhurua të atit nga Napoleoni III i Francës, shpatë të cilën më vonë Enver Hoxha përflitet se ia dha Hrushovit me rastin e vizitës së tij në Shqipëri.

Më 1908 pas Revolucionit Xhonturk kthehet në atdhe, duke shoqëruar Ismail Qemalin deri në Vlorë. Kthimin e tij e përshkruajti frati françeskan Dodaj në ditarin e tij:

«18.09.1908
Mbramjen e kësaj dite mbërriti në Shëngjin nga mërgimi Preng Bib Doda nga ku para 27 vjetësh qe nisun për nji destinacion të panjoftun. … Qysh në qershor Papa Luani XIII ka veprue pranë Sulltanit për kthimin e tij. Gja që do të kishte ndodhë nëse Austria nuk do t’ishte kundërvu në fshehtësi.“
Kthimi i Prenk Bibë Dodës në Mirditë u shndërrua në festë të madhe, jo vetëm për mirditasit por edhe për tërë Shqipërinë e Veriut, të cilët atë e shihnin si udhëheqës të ardhshëm të Shqipërisë së Pavarur dhe të bashkuar me të gjitha vilajetet shqiptare. Përgjatë viteve 1908-1911 kur kryengritjet gëluan, më 26 prill 1911 Preng Bib Doda formoi qeverinë e Mirditës së bashku me arbëreshin Terenc Toçi në kuvendin që u mbajt në Fan dhe u ngrit flamuri pak javë mbasi u valëvit nga malësorët në Deçiq.

Ismail Qemali e emëron zëvendëskryeministër në qeverinë e tij. Në këtë post, Prenga nuk pati shumë kohë që të linte gjurmë, pasi qeveria ra. Në qeverinë pasardhëse të Turhan Pashës më 14 mars – 20 maj 1914, Prenga u emërua ministër i Punëve Botore. Sërish nuk pati shumë mundësi që të punonte, ngase problemet e kohës ishin drejtqeverisja dhe nuk kishte kohë për punët botore. Në qeverinë e dytë të Turhan Pashës, më 28 maj – 3 shtator 1914 e kishte ministër të Punëve të Jashtme. Prenga iu përgjigj Princ Vidit kur ky rrezikohej nga Kryengritja e Shqipërisë së Mesme.

I ndodhur në Shkodër, ai u internua nga malazezët dhe u lirua në janar të 1916 me ardhjen e ushtrisë austro-hungareze. Pavarësisht se nuk mori pjesë në Kongresin e Durrësit, ai u thirr në qeverinë e Turhan Pashës duke u emëruar zëvendëskryeministër më 25 dhjetor 1918. Pak muaj më pas, i shoqëruar me konsullin anglez Eden duke kaluar në rrugën për Shëngjin, i bëhet një pritë porsa kaluan lumin Mat: qëlluan vetura, ndërsa Preng Pasha çohet në këmbë duke u bërtitur “Më vritni mue e mos qitni mbi të huejt, se asht kundra zakonit tonë”. Pasha me disa prej njerëzve të vet vriten, ndërsa konsulli anglez plagoset.

 

 

“Perëndimi i andrrimeve” dhe poezia e Gasper Palit!

Jeta e shkurtër e poetit që jetoi në kohë të pavarësisë

Në momentin e përurimit, ajo kishte rreth 6.000 vëllime në fond

Biblioteka kombëtare, si u pasurua përgjatë viteve!

Pse çmimet Nobel janë emëruar sipas tij

Kush ishte Alfred Nobel?