MENU
klinika

Pasqyrimi i plotë

Mbyllet protesta, çfarë paralajmëroi Basha?

28.03.2019 - 08:27

Ora 14:51/ Rama “vë në lojë” opozitën: Vijnë vërdallë e mblidhen në…

Teksa ka marrë fjalën në Parlament, kryeministri Rama nuk ka nguruar t’i përgjigjet protestës së opozitës.

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë tha se opozita me këtë qëndrim që po mban po eksporton në botë një Shqipëri të nxirë.

Gjithashtu teksa ka përdorur një ton tallës, Rama e cilësoi protestën e opozitës si një tubim të punonjësve të bashkive të djathta.

“Më vjen shumë mirë që ne nuk jemi në vendnumëro, nuk mjaftohemi me sa kemi arritur, por konfirmojmë se ajo që kemi arritur është një shtysë për të shkuar më tutje. Vetëm në dy muajt e parë të vitit, janë referuar 60 raste për pastrim parash dhe sekuestruar 8.2 milionë euro.

Ne nuk mund ta harrojmë se kur ne u zgjodhëm për të marrë mandatin e parë kryefjala e gjithë shqetësimeve.

Krimet kundër personit, që ishin arsyeja e stresit në gjithë territorin e vendit kur na u besua detyra, në vitin që lamë pas shënuan shifrën më të ulët të 29 viteve statistika zyrtarë të policisë së shtetit.

Kur ata që sot për turpin e tre hodhën bojë të zezë në MB drejtonin ministrisë, e hodhën për ta filmuar dhe eksportuar, se nuk eksportojnë nëpër botë imazhet jombresëlënëse të një tufe të punonjësve të bashkive të Shkodrës, Lezhës, Kamzës, bashkë me Dashon e Lazaratit që mblidhen për të kënduar humbin kombëtare, pasi kanë ardhur vërdallë rrugëve por për të treguar një Shqipëri që e nxinë.

Boja do të thithet menjëherë nga tregu ndërkombëtar i medias, ku nuk janë pak eurokadrinjtë që ngjajnë me kadrinjtë lokalë”, thekson Rama.

Ora 14:38/ “Nxinë Shqipërinë”, PD i përgjigjet Ramës

Teksa kryeministri Rama për bojën që protestuesit përdorën për të nxirë godinën e ministrisë, tha se ishte një bojë që nxin Shqipërinë, e menjëhershme ka qenë përgjigjja e Partisë Demokratike.

Përmes një postimi në Facebook, sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi shkruan se Shqipërinë e ka nxirë Rama në këto 6 vite.

Postimi:

“Shqipërinë e ka nxirë Edi Rama duke e kthyer në këto 6 vite në “bazë operacionale të krimit të organizuar rajonal”, “pikë kyçe të shpërndarjes së heroinës në gjithë Europën” dhe “vend kryesor të pastrimit të parave në botë”.

Njollat e zeza sot mbi Ministrinë e Brendshme nga qytetarët ishin: 1 për Saimir Tahirin – kampionin e narkoshtetit në Ministrinë e Brendshme; 1 për Fatmir Xhafajn – kampionin e përdorimit të Policisë së Shtetit për të mbrojtur vëllain trafikant droge; 1 për Llesh Kimikun – kampionin e servilizimit, paaftësisë dhe korrupsionit!”, shkruan Bardhi në profilin e tij.

Ora 14:30/ Lyen me bojë të zezë godinën e ministrisë, Rama ironizon opozitën

Qëndrimi i opozitës sot duke lyer me të zezë godinën e Ministrisë së Brendshme është ironizuar nga kreu i qeverisë Edi Rama.

Rama ka publikuar në instagram një video me momentin kur simpatizantët spërkasin me bojë të zezë fasadën.

Bashkangjitur videos kryeministri shkruan:

“Produkti i ri për të nxirre Shqipërinë. Gati të eksportojmë nëpër botë produktin e ri për të nxirë Shqipërinë”, ironizon kreu i qeverisë

Ora 13:24/  Cili është premtimi që Basha dha për shqiptarët nga selia e PD?

Pas një marshimi të gjatë, protestuesit janë mbledhur në selinë e Partisë Demokratike ku edhe u mbyll protesta.

Përmbyllja u bë me fjalën e Bashës, i cili deklaroi prerë se zgjedhje me Ramën nuk do të ketë.

Ai tha se zotohet se shqiptarët nuk do t’i tradhtojë kurrë.

Orët e bandës po numërohen mbrapsht. Kush nuk e ka kuptuar le ta kuptojë mirë e qartë zgjedhje me Ramën nuk do të ketë, pakt me Moduron e Ballkanit nuk do të ketë. Kjo qëndrese ka nisur për ti kthyer qeverisjen cdo shqiptari e nuk do ndalet derisa ta bejë realitet, Askush në këtë protestë, nuk është këtu për karrige për pushtet e aq më pak për pazare, por për t’ dhënë fund pazareve në kurriz të popullit”, tha Basha para selisë së PD.

Ora 12:50/ U tërhoqën nga Kuvendi, protestuesit lyejnë me bojë Ministrinë e Brendshme

Pas largimit nga Parlamenti, protestues me në krye kreun e PD-së, Lulzim Basha fillimisht ndaluan përballë Ministrisë së Brendshme.

Në kor protetuesit bërtisnin “Lironi djemtë tanë”.

Ata kanë lyer me bojë të zezë godinën e ministrisë.

Pasi kanë lyer me bojë fasadën e ministrisë dhe pas gati 20 min ndalesë tek ministria protestuesit janë larguar dhe po vijonë ndërkohë marshimin protestë.

Ora 12:20/  Pas përplasjeve me policinë, protestuesit tërhiqen nga Parlamenti

Protestuesit e opozitës janë larguar nga sheshi para Parlamentit, ndërkohë që ish-deputeti Flamur Noka i ka bërë apel ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj të mos përdorë dhunë.

“Nuk mbahet pushteti me policinë e krimit e me banda droge”, është shprehur Noka.

Pas apelit për Lleshajn, Noka u ka bërë thirrje protestuesve që ta ndjekin në një marshim.

Protestuesit e opozitës të udhëhequr nga kreu i PD-së, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi janë zhvendosur tek Ministria e Brendshme.

Ora 12:08/ Basha mesazh Ramës: Do ta përcjellim Maduron e Ballkanit!

Gjatë fjalës së tij para protestuesve, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha teksa falenderoi të gjithë shqiptarët tha se protesta është vetmi parlament që njeh populli.

Gjithashtu Basha nuk nugroi t’i dërgojë një mesazh edhe Ramës.

Ai tha se në shesh nuk i janë bashkuar vetëm hallet, por edhe zgjidhja për të ardhmen e shqiptarëve.

Parlamenti i vetëm që njeh opozita e bashkuar dhe të popullit të bashkuar. Përballë nesh dhe pas krahëve të policisë ndodhet banda më famëkeqe e hajdutëve që ka parë Evropa e pasluftës e kryesuar nga kryehajduti, arkitekti i Shqipërisë kolumbiane, Maduro i Ballkanit, Rama dhe skuadra e tij kriminale. Për 6 vite me radhë kjo bandë vodhi e varfëroi shqiptarët, i gjobiti, rriti taksat, energjinë coi në burg e në vetëvrasje familjarët që nuk i paguanin dot faturat e kripura, shkatërroi mijëra biznese, qindra mijëra i drejtoi në dëshpërim, shkatërroi shëndetësinë, mbylli qindra shkolla”- tha Basha.

Basha garantoi se zgjidhja është programi i PD-së dhe theksoi se “Një ditë e re, po vjen”.

Sipas tij, “po aq sa ngjallet kufoma politike e Enver Hoxhes, aq ngjallet dhe kufoma politike e Ramës dhe Rilindjes”.

Atë derë do ta hapim bashkë dhe me cdo kusht. Jemi për të nisur së bashku një rrugëtim për qeverinë e të ardhmes suaj, e të fëmijëve tuaj. Me protestat që nuk do të ndalen deri në rrëzimin e qeverisë kusarë të Ramës dhe kryehajdutit. Kemi nisur bashkëbisedim kombëtar për themelet e demokracisë së re, të standardeve dhe parimeve evropiane dhe amerikane”- tha Basha.

Ora 11:45/  Kryemadhi lumë akuzash Ramës: Ne kemi fajin tonë, por…

Gjatë fjalës së saj para protestuesve, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi lëshoi një lumë akuzash kundër kryeministrit Rama.

Ajo tha se ky i fundit a shkatërruar vendin dhe ka rrënuar shpresën e çdo shqiptari.

Gjithashtu Kryemadhi pranoi edhe fajet që si politikanë kanë mbyllur sytë para atyre çfarë Rama bënte sipas saj.

FJALA E PLOTË:

“Sot janë fjalët e tepërta përballë cdo problemi që secili ka në familjet e tyre. Asnjë prej jush këtu nuk është i punësuar, nuk ka pasur një zgjidhje të problemeve që kanë kur kanë trokitur në dyert e shtetit të kapur të Ramës. Paratë e drogës, që mbolli në 20156 dhe i shiti në 2016, që përdori për të blerë votat me bandat e krimit të organizuar në 2017.

Politika më e madhe është buka e shqiptarët që mungon në tavolina, janë cmimet e larta që shqiptarët duhet të paguajnë për të ushqyer familjet, politika më e madhe është që të bëhemi bashkë për vendet e reja të punës, për mundësi shqiptarëve për të jetuar në vend.

Ajo që duhet të bëjmë sot është mundësia që duhet të japim për shqiptarët për punësim, arsim e shëndetësi të barabartë për të gjithë, se studentët e dhjetorit u ngritën për shtet të barabartë., sot ne jemi në vendin e parë që të gjithë duan të largohen nga vendi.

Kjo do sjellë heqjen e vizave, ky njeri që nuk mendon për shqiptarët por për veten, ka detyruar shqiptarët që të ikin, e për të vendosur kushte për ata që

Do kthejë trafikun e vizave që shqiptarët të rrinë në dyert e ambasadave. Ka krijuar probleme se dështoi si qeveri, për 300 mijë vendet e punës, nuk i hapi, por largoi 400 mijë shqiptarë nga vendi.

Ato që ka bërë ky që e shkatërroi fermerët, bujqësinë, arsimin, shëndetësinë, cdo gjë që ishte ndërtuar me mundim, jo perfektë, por funksiononte, prokuroria shërben për bandat, ka arrestuar 38 mijë fukarenj për energjinë, dhe nuk thërret Gjiknurin, Dakon, Afrim Qendron, Vangjush Dakon e kapur me presh në dorë, Edi Ramën që ka bërë fatkeqësitë më të mëdha që i kanë ndodhur vendit.”

Ora 11:15/ Policia thirrje Bardhit: Personat me maska…

Tymuese e shashka pafund po hidhen drejt kordonit të policisë nga ana e protestuesve.

Ndërkohë policia dëgjohet teksa përsërit herë pas herë thirrjen për ruajtjen e qetësisë.

Gjithashtu policia i është drejtuar me një thirrje edhe Gazmend Bardhit që të marrë masa.

Thirrja e Policisë:

Ju lutemi ruani qetësinë.

 Ndërpritni veprimet e dhunshme. Mos hidhni kapsolla, lëndë piroteknike dhe sende të forta në drejtim të policisë

 Ju bëjmë thirrje të distancoheni nga veprimet e dhunshme. Mos u përplasni me Policinë.

 Veprimet e tubueseve janë në kundërshtim me ligjin. Policia do të zbatojë ligjin.

I nderuar zoti Gazmend Bardhi, si organizator i tubimit, merrni masa që personat që hedhin kapsolla lende piroteknike apo sende te forta ti ndërpresin menjëherë këto veprime. Merrni masa qe personat qe mbajnë maska në tubim ose ti heqin ose të largohen.

Ora 11:00/ Salianji: S’ka gardh që na dal!

Para Kuvendit të Shqipërisë kanë nisur fjalimet e opozitarëve.

Protestuesit herë pas herë hedhin shashka e tymuese drejt forcave të policisë.

Ndërkohë ish-deputeti Salianji tha prerë se nuk ka gardh që tii ndalë ata.

Ne kërkojmë mirëqenie për shqiptarët, Rama do para e të zhvasë popullin, ndaj ne jemi këtu dhe themi Rama ik. Ne duam zgjedhje të lira e të ndershme dhe Shqipërisë si gjithë Evropa, ai do ta kthejë si Venezuelën e Maduros.

Ne duam qeveri shërbëtore të qytetarëve dhe jo shërbëtore të oligarkëve, ndaj themi Rama Ik. Ka vetëm një zgjidhje, kjo rrugë të con te demokracia e vërtetë, te zgjidhja për Shqipërinë si gjithë Evropa. Rama ik. Ju dhe cilido e sheh se si qeveria është e kapur në krim e korrupsion, duke tentuar ti bëjnë presion qytetarëve, por sit ata janë më të fortë se kurrë dhe bërtasin Rama ik.

A e keni parë si janë të tredhur për hallate prokurorët dhe nuk thërrasin asnjë ditë Edi Ramën, pavarësisht se Shqipëria është vjedhur dhe është zhvatur. A keni parë të shkojë në Prokurori, Damian Gjiknuri, Vangjush Dakon, Qazim Sejdinin.

Në Prokurori shkojnë vetëm qytetarët.

Ne nuk perdorim dhune, nese ne do te donim, e kapecenim ate gardh per 2 minuta, nuk ka gardh qe na ndal”, u shpreh ai.

Ora 10:40/ Jashtë protesta e opozitës, në Kuvend betohen dy deputetët e rinj

Seanca plenare ka nisur sot me betimin e dy deputetëve të rinj të opozitës.

Në nisje të seancës, kreu i Parlamentit Gramoz Ruçi lexoi rregulloren e Kuvendit.

Pas leximit të rregullores u betuan deputetët Alimadhi dhe Elezi.

Alimadhi ishte në listën e kandidatëve për deputetët të PD-së në Vlorë, ku mori mandatin e Agron Shehajt.

Ndërkohë Arben Elezi ishte kandidat i PD në listën e Elbasanit, ku mori mandatin e Edmond Spahos.

Ambra Borova nga radhët e LSI nuk ishte sot prezente në seancë plenare.

Ajo do të betohet seancën e ardhshme.

Ora 10:30/  Tentohet çarja e kordonit policor, Basha u bashkohet protestuesve

Pas banorëve të cilët u përplasën me Policinë tek hyrja e Pedonales, edhe protestuesit tek Parlamenti janë përplasur me policinë.

Tensione të shumta janë shënuar, teksa protestuesit tentojnë të çajnë kordonin policor.

Ata kanë shtyrë dhe kanë hedhur sende të forta.

Ndërsa forcat policore kanë vendosur maskat kundragaz.

Ndërkohë edhe kreu i PD-së Lulzim Basha ka dalë nga selia dhe iu është bashkuar protestuesve, të cilët janë mbledhur para godinës së Parlamentit.

Ora 10:20/ Përplasja polici-protestues: Mos më prek, jam e operuar!

Protesta ka nisur me përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Shkak për këtë përplasje është bërë bllokimi i pedonales.

Policia sqaron se pedonalja është bllokuara pasi pritet një delegacion i huaj.

Disa gra, banore të Unazës së Re kanë vrapuar për të kaluar nga Pedonalja por janë kapur nga punonjëset e policisë femra dhe janë larguar prej andej me forcë.

Në momentin e përplasjes është dëgjuar gruaja teksa i thotë policisë;

“Jam e operuar, mos më prek”. Ky është momenti i përplasjes.

Ora 10:11/ Shënohen përplasjet e para me policinë

Gjatë protestës së sotme janë shënuar përplasjet e para mes protestuesve dhe policisë.

Banorët e Unazës së Re kanë tentuar të çajnë kordonin e policië.

Përplasja e shoqëruar me hedhje shashkash, ku mësohet që policia ka shoqëruar disa persona.

Është ndaluar hyrja te Toptani dhe Ministria e Brendshme.

Protestuesit kanë dashur të hyjnë në pedonale, ku edhe po hyjnë deputetët, por nuk janë lejuar nga policia.

Kjo ka bërë që situata të tensionohet dhe policia të shoqërojë disa prej tyre.

Ora 10:00/ Opozita proteston, aleati i PD në Parlament për betimin

 

Gjatë ditës së sotme teksa protestuesit do të jenë jashtë Parlamentit, brenda në sallë do të betohen 3 deputetët më të rinj të opozitës.

Deputeti më i ri, Adriatik Alimadhi drejtues i Ballit Kombëtar deklaroi se nuk ka pasur presion nga mazhoranca.

Nuk kam patur presione nga mazhoranca për mandatin. PD nuk respektoi marrëveshjen.Fati i Ballit Kombëtar është i ballistëve të Vlorës.

Të gjitha marrëveshjet PD nuk i ka pranuar. Prandaj është kryesia e Ballit Kombëtar ai që vendos për ecurinë politike.

Duhet te them që asnjë parti opozitare nuk mund të detyrojë Ballin Kombëtar të marrë një vendim politik. Unë jam kandidad i Ballit Kombëtar. Të jeni të sigurt që mandati i Ballit Kombëtar do jetë në dispozicion të kauzës kombëtare. “- u shpreh ai jashtë Kuvendit.

Ora 09:35/ Masat për protestën/ Policia rrethon Parlamentin dhe Pedonalen

Teksa pritet që të nisë protesta e opzitës dhe paralelisht seanca parlamentare, policia ka ndërmarrë masa paraprake për ruajtjen e godinës dhe ruajtjen fizike të deputetëve të Kuvendit.

Edhe gjatë seancës së sotme deputetët e rinj të opozitës do të hyjnë nga pedonalja, e do të jetë e gjitha e rrethuar me efektivë të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës.

Godina e Parlamentit do të vijojë të jetë e rrethuar me kamera për të fiksuar të gjithë protestuesit e opozitës që mund të shfaqin shenja dhune.

Gjatë seancës plenare, deputetëve të PS-së u është kërkuar të mbajnë fjalime dhe të mos kenë kontakte me protestën që zhvillohen jashtë Kuvendit.

Në rendin e ditës për këtë seancë janë parashikuar 6 pika, ku më e rëndësishmja është ajo “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.12/2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”.

Ora 08:35/ Qytetarë të shumtë nisen nga Fieri

Protestues të shumtë kanë filluar të nisen nga rrethet drejt Tiranës.

Anëtarë e simpatizantë të shumtë të Partisë Demokratike janë nisur nga Fier që në orët e para të mëngjesit.

Mësohet se nuk ka pasur organizim, por ata janë nisur me automjetet e tyre private.

Kreu i PD-së Fier, ish-deputeti Luan Baçi tha se protesta e radhës do të jetë para një parlamenti që nuk e njohim.

Parlament fals, i mbushur me kriminelë dhe njerëz të papërgjegjshëm që mendojnë se përfaqësojnë popullin. Nuk do të lejojmë të zhvillohet një parlament i rregullt. Protesta do të kulmojë në 13 prill. Nga këto protesta popullore kryeministri Rama duhet t’i thërrasë mendjes pasi protestat janë qytetare. Betimi i deputetëve të rinj është një lojë e mazhorancës së sotme që kërkon të krijojë një opozitë false”, deklaroi Baçi.

Ora 08:27/ Çfarë pritet të ndodhë sot para Kuvendit?

Ditën e sotme pritet të mbahet protesta e 7-të e opozitës së bashkuar.

Protesta do të zhvillohet para Parlamentit paralelisht me seancën parlamentare.

Edhe sot pritet që në protestë të kërkohet llargimi i kryeministrit Rama.

Rrethimi i Parlamentit nga përfaqësuesit e opozitës do të nisë që në orën 09:30.

Pas mbledhjes së kryesisë dhe ish-përfaqësuesve të Grupit Parlamentar të PD-së nga Lulzim Basha të gjithë strukturat e demokratëve janë mobilizuar për të sjellë sa më shumë protestues në shesh.

Basha kërkoi angazhim maksimal nga drejtuesit politikë më të lartë në PD, duke e cilësuar si jo të mirë protestën e 21 shkurtit që opozita zhvilloi përpara Parlamentit.