Në lidhje me djegien e mandateve dhe protestën e opozitës, ka ardhur një reagim edhe nga kreu i Këshillit Kombëtar të PD, Bujar Nishani.
Në një intervistë për emisionin “Kjo Javëi”, ai tha se vendimi i opozitës erdhi si rrjedhojë e një rrugëtimi, ku në tërësi edhe shoqëria ka hyrë në një ngecje totale.
Gjithashtu në lidhje me deklaratat e ndërkombëtarëve, Nishani bëri me dije se faktori ndërkombëtar ka ndikuar pozitivisht në marrjen e vendimit për djegien e mandateve nga ana e opozitës.
“Unë mendoj që faktori ndërkombëtar ka ndikuar pozitivisht, në marrjen e këtij vendimi. Duhet të kemi parasysh faktori ndërkombëtar paraqitet në anën formale dhe jo formale të tij, pra ka kode të shkruara dhe të pashkruara. Që do të thotë një qëndrim dhe një deklaratë diplomatike është më se i kuptueshëm.
Janë disa kode që duhet t’i respektojmë por ka edhe disa qasje, që komunikojnë drejtpërsëdrejti me opinion publik, jo vetëm me institucionet.
Do të nënvizoj vetëm dy faktorë të rëndësishëm, së pari Parlamenti Europian ngarkoi një mekanizëm pas zgjedhjeve në Shqipëri, dhe ky mekanizëm ofroi një investigim të thelluar me konkluzionin që në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë blerë zgjedhjet, po nëse në disa vende të tjera ky manipulim varionte nga 3 deri 5 %, në Shqipëri gjetja e tyre ishte 20% e votave janë blerë.
Pra, ky ishte një proces i identifikuar nga një investigim i Bashkimit Europian. Pas një periudhe kohe të caktuar kishin një aktor tjetër shumë të rëndësishëm që ishte Zëri i Amerikës. Ata që nuk e dinë duhet ta mësojnë që Zëri i Amerikës nuk është një radio apo një televizion privat.
Zëri Amerikës është Kongresi Amerikan, financohet nga Kongresi Amerikan, përçon mendimin frymën dhe qëndrimin e Kongresit. Zëri Amerikës bëri me dije që këtë 20% të votave e kanë blerë grupet kriminale të cilët janë financuar me para kesh, apo licencë trafiku droge nga qeveria në bashkëpunim më aktorë të rëndësishëm të qeverisë për të marrë pushtetin.
Pra, faktori ndërkombëtar e ka ndihmuar pozitivisht opozitën për t’u qartësuar nga njëra anë dhe për të bindur opinionin publik në drejtësinë e qëndrimit politik të opozitës për të ardhur në këtë moment. Tashmë është momenti që opozita ta jetësojë në aktivitet politik këtë ndihmë që i dha faktori ndërkombëtar”, tha Nishani.