MENU
klinika

Project Syndicate

Pse 21 marsi duhet të jetë fillim i ri për Evropën

20.03.2019 - 14:22

Përballë sfidës së paraqitur nga nacionalistët dhe populistët përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian në maj, “lufta” për vlerat themelore të Evropës nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme. Flamujt në shtëpitë dhe zyrat tona mund të dërgojnë një sinjal të pamohueshëm që Bashkimi nuk do të shkatërrohet nga armiqtë e tij, brenda ose jashtë.

Në cilin vend në Europë keni më shumë gjasa të shihni flamurin e Bashkimit Europian mbi shtëpitë dhe ndërtesat private? Përgjigjja është e qartë, dhe e çuditshme: Në Mbretërinë e Bashkuar, nga qytetarët që kanë frikë nga ideja e Brexit. A është me të vërtetë e nevojshme të humbasim diçka që duam, dhe duhet, që të fillojmë ta vlerësojmë?

Ne besojmë se, si shenjë e identitetit tonë të përbashkët evropian, qytetarët e BE-së duhet, duke filluar më 21 mars, të shfaqin me krenari flamurin e Unionit. Përballë sfidës së paraqitur nga nacionalistët dhe populistët përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian në maj, ngritja në këmbë për vlerat themelore të Evropës nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme. Flamujt në shtëpitë dhe zyrat tona mund të dërgojnë një sinjal të pamohueshëm që Bashkimi nuk do të shkatërrohet nga armiqtë e tij, brenda ose jashtë.

Në një epokë të rritjes së pasigurisë, zhgënjimit dhe bllokimit të fatit tonë të përbashkët, shumë evropianë duken të pavetëdijshëm për historinë e gjatë të zhvendosjes dhe luftës që i parapriu krijimit të BE-së dhe periudhën e pashembullt të paqes dhe prosperitetit që kemi arritur që prej 1950.

Për 70 vjet, institucionet e përbashkëta të Evropës kanë mbështetur tregun e përbashkët, euro dhe zgjerimin e fuqishëm të të drejtave individuale nën mbrojtjen e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.

Për më tepër, modeli evropian i mirëqenies sociale është një fener qytetërimi dhe një shembull për të gjithë botën. Kur udhëtojmë me pasaportën tonë të përbashkët të BE-së, ne jemi të njohur dhe respektuar në të gjithë botën si qytetarë të një lojtari kyç në rendin botëror.

Këto arritje janë nën kërcënim jo vetëm nga kundërshtarët e brendshëm të Bashkimit, por edhe nga përbuzja e treguar për BE-në, për të gjitha institucionet multilateral, nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump. Kjo gjë që është veçanërisht e rrezikshme duke marrë parasysh konfrontimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Sot, konflikti kino-amerikan po pengon tregtinë botërore; nesër, mund të jetë paqja e botës.

Nuk ka dyshim se ne në Evropë nuk do të jemi në gjendje të ruajmë atë që kemi arritur gjatë shtatë dekadave të kaluara, nëse secili shtet anëtarë i BE-së goditet. Në fund të fundit, madje edhe anëtari më i madh i BE-së, Gjermania, është një “vogëlsirë” në krahasim me SHBA dhe Kinën.

Vetëm, asnjëri prej nesh nuk mund të menaxhojë sfidat e mëdha të paraqitura nga teknologjia, proteksionizmi, ndryshimet klimatike apo terrorizmi ndërkombëtar.

Por, forcat nacionaliste dhe ksenofobike kanë fituar përkrahje në të gjithë kontinentin duke premtuar mbylljen e kufijve, çmontimin e lëvizjes së lirë dhe rivendosjen e kontrollit kombëtar mbi të gjitha politikat publike.

Po, institucionet dhe politikat e Europës kanë nevojë për ndryshime të thella për t’u lidhur me qytetarët e zhgënjyer. Ne duhet të tregojmë përsëri një kapacitet për të nxitur rritjen dhe investimet, për të përballuar sfidat e teknologjive të ndryshueshme dhe ndryshimet klimatike, dhe për të rigjallëruar modelin tonë të lëkundur shoqëror.

Duhet të tregojmë se institucionet tona të përbashkëta janë në gjendje dhe dëshirojnë të dëgjojnë kërkesat e një publiku të frikësuar dhe se ne mund të veprojmë së bashku për të mbrojtur kufijtë tanë dhe për të sjellë siguri më të madhe në lagjet tona të paqëndrueshme.

Por ka gjithashtu një nevojë urgjente për të mobilizuar opinionin publik evropian rreth një simboli të unitetit tone, dhe ky simbol është flamuri evropian. Për këtë arsye, nga 21 marsi që është dita e parë e pranverës, duhet shfaqur flamuri, dhe ne dëshirojmë të besojmë se zgjedhjet e ardhshme evropiane do të paralajmërojnë një pranverë të re për projektin evropian. 21 mars gjithashtu është përvjetori i vdekjes së Benediktit, shenjtorit mbrojtës të Evropës. Në një nga orët më të errëta të rrëzimit të Perandorisë Romake, Benedikti bëri thirrje për tolerancë dhe devotshmëri për të rindërtuar një ndjenjë komuniteti përballë barbarizmit.

Duke filluar më 21 mars, le të tregojmë flamurin tonë në botë, si simbol i unitetit tonë dhe ëndrrave tona dhe si shenjë e një fillimi të ri në përpjekjet tona për të ruajtur dhe thelluar unitetin evropian. Apo do ta kuptojmë çfarë kemi vetëm kur të jetë shumë vonë?

Romano Prodi është ish President i Komisionit Evropian dhe dy herë Kryeministër i Italisë.

Stefano Micossi është drejtor i përgjithshëm i Assonime, një shoqatë biznesi në Romë, Kryetari i Shkollës LUISS të Ekonomisë Politike Evropiane dhe një ish-drejtor i përgjithshëm në Komisionin Europian.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kadare dhe intelektualët paralajmërojnë

“Evropa do të zhduket nën dallgët e populizmit”

Joschka Fischer/ Project Syndicate

2019, viti i humbjeve të mëdha për Evropën…