MENU

Argumentet

Pse iu rrëzua padia Shkëlzen Berishës? Gjykata në Florida zbulon arsyet

19.03.2019 - 20:54

Gjykata amerikane e Floridës rrëzoi padinë për shpifje të Shkëlzen Berishës, ndaj autorit amerikan Guy Lawson, autor i librit për Gërdecin “Arms and the Dudes”, duke argumentuar se ai është një person publik.

Në vendimin e Gjykatës renditen 5 elementët që duhet të provojë një person që pretendon shpifjen, bazuar në ligjet e Floridës. Këto elementë, sipas Gjykatës janë: Publikimi; Pavërtetësi; Deklarata është bërë me njohuri ose mosrespektim të pamatur lidhur me falsitetin në një çështje, që ka të bëjë me një zyrtar publik, ose të paktën neglizhencë në një çështje që ka të bëjë me një person privat; Dëmtimet aktuale; Deklarata duhet të jetë shpifëse.

“Testi për përcaktimin e përgjegjësisë, në rastin e shpifjes tregon nëse pala e dëmtuar është një figurë publike ose private dhe nëse publikimi shpifës adreson një shqetësim publik ose privat. Deklaratat e kundërshtuara në këtë rast përshkruajnë korrupsionin në qeverinë shqiptare dhe në shitjen e armëve në Shtetet e Bashkuara për përdorim në luftën në Afganistan. Meqë palët nuk kundërshtojnë këto, atëherë këto janë çështje me interes publik, pasi publiku është i interesuar legjitimisht në të gjitha çështjet e korrupsionit”, argumenton Gjykata.

ARGUMENTET

Pyetja kryesore e ngritur nga Gjykata ka qenë nëse paditësi, në këtë rast Shkëlzen Berisha, është një figurë publike apo jo. “Kjo është një çështje e ligjit, Turner, 879 F.3d në 1271 dhe duke iu përgjigjur asaj, Gjykata duhet të udhëhiqet nga dy kritere themelore. Së pari, figurat publike zakonisht kanë qasje më të madhe në media, gjë që u jep atyre një mundësi më reale për të kundërshtuar deklarata të rreme se personazhet e zakonshme.

Së dyti, figurat publike vullnetarisht ekspozojnë veten në rritjen e rrezikut të lëndimit nga gënjeshtrat shpifëse në lidhje me ta. Këtu, paditësi është i biri i Sali Berishës, i cili ka qenë edhe President, edhe Kryeministër i Shqipërisë. Paditësi gjithashtu merr vëmendjen publike përmes marrëdhënies së tij me Armina Mevlanin, një personazh shqiptar, që ka afërsisht një milion pasues të mediave sociale.

Sidoqoftë, për më mirë ose më keq, paditësi ka arritur një nivel fame në komunitetin e tij. Një sondazh i prodhuar nga paditësi tregon se ai ka një njohje të habitshme prej 100 për qind në mesin e shqiptarëve”, argumenton Gjykata. Më tej përmendet edhe argumenti i Shkëlzen Berishës se ai nuk e ka ekspozuar vullnetarisht veten në qendër të vëmendjes publike.