MENU

Nga New York Times

Pse nuk ‘shuhet’ konflikti shumëvjeçar Indi-Pakistan?

07.03.2019 - 15:58

Një rrugë drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjes së Kashmirit, e negociuar në mesin e viteve 2000, meriton një vështrim tjetër.

India dhe Pakistani nuk duhet të jenë në prag të luftës. Negociatorët përpiluan me kujdes një rrugëdalje nga kriza dhe një udhërrëfyes për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së Kashmirit në mesin e viteve 2000 dhe ne duhet të kthehemi tek ajo.

Kashmiri është territori që pretendojnë të gjithë. E ardhmja e rajonit kryesisht mysliman ka çuar në tre luftëra mes dy vendeve.

Në pika të ndryshme, udhëheqësit, megjithëse pa sukses, kanë kërkuar mënyra për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tyre. Kryengritja në Kashmir u zhduk nga mesi i viteve 2000 dhe kryeministri i Indisë, Manmohan Singh dhe presidenti i Pakistanit, Pervez Musharraf, filluan një dialog sekret nëpërmjet ndihmësve të besuar.

Të dërguarit indianë dhe pakistanezë ranë dakord të bënin kufirin e militarizuar mes pjesëve indiane dhe pakistaneze të Kashmirit, të parëndësishme duke u dhënë banorëve të drejtën për lëvizje dhe tregti të lirë. Ata ranë dakord për sigurimin e autonomisë në nën-rajonet e Kashmirit dhe tërheqjen e forcave. Ata gjithashtu ranë dakord të krijonin një “mekanizëm të përbashkët”, për të mbikqyrur të drejtat politike dhe ekonomike të Kashmirit në të dy anët.

Për fat të keq, kjo periudhë nuk zgjati shumë.

Rreth tre muaj më vonë, militantët që i përkisnin grupit të bazuar në Pakistan, Lashkar-e-Taiba, kryen sulme në Mumbai që rezultuan me vdekjen e të paktën 174 personave dhe vranë çdo shpresë të mbetur të bisedimeve të ripërtërishme të paqes. Marrëdhëniet midis dy vendeve u përkeqësuan më tej, pasi Pakistani refuzoi të dorëzojë të dyshuarit në sulmet.

Në vitin 2014, nacionalisti hindu Narendra Modi u bë kryeministër i Indisë. Në fjalimin e tij të parë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në shtator të vitit 2014, ai njoftoi se India po tërhiqej nga bisedimet e paqes me Pakistanin derisa ra dakord të bisedonte në “një atmosferë paqeje pa hije të terrorizmit”.

Modi vazhdoi të miratojë një strategji “të tokës së djegur” në Kashmir dhe mbylli të gjitha dyert për dialog me politikanët e Kashmirit.

Jo çuditërisht, pasi Modi ka ardhur në pushtet, një numër gjithnjë e më i madh i të rinjve janë bashkuar me militantët.

Përtej kufirit, pavarësisht nga ndëshkimet ndërkombëtare, Pakistani nuk arriti të mbajë zotimet e shumta për të kufizuar grupet ekstremiste islamike.

Shtetet e Bashkuara ndaluan ndihmën ekonomike në Pakistan. Task Forca Ndërqeveritare për Veprim Financiar e vuri Pakistanin në “listën e saj gri” të vendeve që nuk i kanë përmbushur obligimet e tyre për të frenuar aktivitetet terroriste.

Pakistani ka vuajtur nga një krizë e rëndë ekonomike dhe është dëshpërimisht duke u përpjekur të mbledhë rreth 20 miliardë dollarë nga miqtë, aleatët dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Dhe pastaj, në shkurt, erdhi një sulm vetëvrasës në Kashmir, që vrau dhjetëra ushtarë indianë.

Nju Delhi ka përgatitur deri tani një listë të dyshuarish nga Pakistani dhe dëshiron që ajo të marrë një veprim të besueshëm dhe të verifikueshëm për të minuar kapacitetin e grupeve militante për terrorizmin ndërkufitar.

Pakistani duhet të ndjekë penalisht autorët e sulmit të Kashmirit. Dhe sapo India të formojë një qeveri të re, Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Kombet e Bashkuara, reagimi i të cilëve ndaj krizës aktuale ka qenë i ngadalshëm, duhet të inkurajojnë Indinë për të rifilluar dialogun me Khan.

Njëkohësisht, Islamabadi duhet të fillojë të shkatërrojë grupet terroriste. Modi duhet të ndalojë përdorimin e pamëshirshëm të forcës vdekjeprurëse në Kashmir dhe t’i japë fund refuzimit të tij kokëfortë për bisedime.

Një kthim në diplomaci është e nevojshme, po ashtu dhe procesi i paqes duhet të rifillojë. Ekziston edhe mundësia e luftës por kjo do ta vinte si Indinë ashtu edhe Pakistanin në rrezik.

Ahmed Rashid është autor i librit “Pakistani në rrezik: E ardhmja e Amerikës, Pakistani dhe Afganistani”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Një konflikt ende i pazgjidhur

Çfarë i pengon marrëdhëniet Indi-Pakistan?

Përplasje në rajonin e Kashmirit

India e Pakistani në prag lufte?