MENU
klinika

Nga Arbër Zaimi

Pse terroristi zelandez mbante emrin e Skënderbeut?

17.03.2019 - 15:58

Terroristi i Zelandës së Re ishte i frymëzuar nga ekstremistët serbë të dekadave të fundit.

Edhe Skënderbeun e ka marrë prej tyre, jo prej historive. Dihet se ekstremistët e djathtë serbë pretendojnë se Skënderbeu ishte serb (ashtu si ekstremistët e djathtë grekë pretendojnë të njëjtën).

Përpjekja e ekstremistëve të djathtë serbë e grekë për ta përvetësuar Skënderbeun nuk është e natyrës shkencore, por ideologjike. Ata përfaqësojnë konfliktin konceptual mes nacionalizmave fetarë që u stabilizuan në Serbi e Greqi në mes të shek. XIX dhe nacionalizmit tejfetar (gjuhësor) që u stabilizua në Shqipëri e tek shqiptarët në fillim të shek. XX.

Jo se nacionalizmi fetar nuk e kupton dot nacionalizmin tejfetar, por ndihet i rrezikuar prej tij.

Përqasja fillestare e nacionalizmave fetarë serbë e grekë ndaj shqiptarëve ishte ajo e ndarjes, shqiptarët janë myslimanë etnikë, të krishterët mes tyre janë serbë, grekë, kroatë e vllehë të shqiptarizuar.

Kjo përqasje, kur vjen puna te figurat historike, bëhet përzgjedhje. Përzgjidhen arbërit a shqiptarët etnikë të fesë së krishterë, që u rebeluan kundër perandorisë otomane, për të thënë se ata nuk janë shqiptarë (sipas përkufizimit të tyre shqiptar = mysliman etnik).

Por nuk përzgjidhen arbërit që, për arsye të mbrojtjes a zgjerimit feudal, luftuan e u rebeluan ndaj Bizantit, perandorive serbe e bullgare, apo edhe ndaj arbërve të tjerë. Po ashtu nuk përzgjidhen shqiptarë myslimanë, por edhe serbë, grekë e turq myslimanë që u rebeluan e luftuan kundër perandorisë otomane në secilin shekull.

Pra, s’ka asgjë të re te fakti që dikush që frymëzohej nga Karaxhiqi mendonte se Skënderbeu është serb i ekstremit të djathtë.