MENU
klinika

Lë në fuqi dënimin

Qëlluan Ramën me vezë, Apeli refuzon ankimimin e studentëve

18.03.2019 - 15:48

Gjykata e Apelit në Tiranë, refuzoi ankimimin e studentëve, të cilët qëlluan me vezë kryeministrin Edi Rama në vitin 2015.

Gjykata la në fuqi vendimin me 40 orë punë publike për 8 studentët.

Gjithashtu, gjykata ka pohuar se ankimimi i kërkuar nga studentët nuk është bërë brenda afatit kohor dhe për pasojë kërkesa e tyre nuk mund të pranohet. Ngjarja ka ndodhur me 2 nëntor 2015, ku studentët goditen me vezë në drejtim të makinës së kryeministrit Rama, në momentin kur ai po dilte nga ambientet e Fakultetit të Shkencave Sociale në Tiranë ku mbajti një aktivitet me biznesin e vogël.

Studentët të cilët do të vijojnë të shlyejnë dënimin e përcaktuar nga Gjykata e Tiranës me orë pune në komunitet janë : Liri Kuci, Klodi Hoxha, Bora Mema, Anita Lushi, Vitori Cipi, Dardan Konjufca, Valton Marku dhe Durim Jasharaj.

Pas vendimit, studentët janë shprehur se do të vijojnë të kërkojnë pafajësinë për akuzat e ngritura.