Kryeministri Edi Rama nuk i ka kursyer lavdet për qeverisjen e tij dhe të kryetarit të Bashkisë së Fierit Armando Subashi gjatë takimit të sotëm në Fier.
Ai siguroi fierakët se nuk do të ketë asnjë hap pas duke iu kërkuar votën për Subashin. Me këtë rast kreu i qeverisë kujtoi edhe një kërkesë të kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, i cili është edhe deputet i qarkut Fier.
“Ne nuk jemi më të mirët as që nuk diskutohet por më të mirë se ne as ka pasur dhe as nuk ka dhe as do ketë. Ne s’kemi rënë nga qielli, nuk jemi engjëj, jemi njerëz të gabueshëm por ama kjo qeveri kurrë nuk bën gabime të qëllimshme për të përfituar në kurriz të popullit dhe duke tradhtuar interesat e atdheut dhe interesat e publikut, asnjëherë. Në çdo rast këto janë ato që na udhëheqin dhe do na udhëheqin gjithmonë.
Duke ju shprehur mirënjohjen për këtë mikpritje fantasike duke iu siguruar se çdo kontakt, çdo takim është një arsye më shumë që ne të bëjmë edhe më shumë dhe mbi të gjitha duke iu garantuar se PS, shumica jonë qeverisëse, qeveria jonë nuk bën asnjë hap mbrapa por vetëm përpara. Unë ju siguroj se së shpejti këtu në Fier ne do të marrim një fitore jo për të festuar sikur fituam kupën dhe Kampionatin por për t’u investuar edhe me më shumë forca dhe energji që mandati i ardhshëm i Armandos dhe PS-së në Fier të jetë një histori e madhe suksesi.
Gramozi thotë ‘ke bërë shumë për Vlorën dhe mirë ke bërë se Vlora është e gjithë shqiptarëve por tani ka ardhur koha që Fieri të marrë edhe shumë më tepër vëmendje se çka ka marrë këto 3 vite e gjysmë’. Unë jam dakord dhe po ju them nëse në zgjedhjet e shkuara ju thashë jepini votës Armandos se do bëjmë për Fierin se ç’ështe bërë në 20 e ca vite së bashku dhe kjo u bë realitet, tani po ju them se me mandatin tjetër do bëjmë shumë më tepër se sa në këto 3 vite e gjysmë”, deklaroi Rama.