MENU
klinika

Nuk ka bashkëpunuar me rusët

Raporti i Mueller dhe një fitore për Trump

25.03.2019 - 15:11

Një përmbledhje e raportit të shumëpritur të Robert Mueller, i publikuar të dielën, zbuloi se Trump nuk kishte bashkëpunuar me Rusinë, në fushatën e vitit 2016.

Megjithatë, nuk ishte e qartë nëse Trump kishte penguar drejtësinë.

Pretendimet e Rusisë kishin dëmtuar presidencën e Trump dhe shanset e tij për rizgjedhje në vitin 2020.

Demokratët e opozitës po kërkojnë të shohin të plotë raportin e Mueller, i cili u përmblodh për Kongresin nga Prokurori i Përgjithshëm William Barr. Raporti ishte rezultat i dy viteve të hetimit nga Mueller.

Barr publikoi një përmbledhje të raportit të shumëpritur për hetimin që zgjati 22 muaj rreth akuzave se fushata e zotit Trump kishte bashkëpunuar fshehurazi me Rusinë për të ndikuar në zgjedhjet e 2016-s në favor të Trump.

Prokurori i Përgjithshëm Barr ia dërgoi përmbledhjen e tij Kongresit dhe e bëri atë publik të dielën. Mueller e dorëzoi raportin e tij në Departamentin e Drejtësisë të premten.

Në përmbledhjen e Barr vihet në dukje se gjatë hetimit gati dy vjeçar, Prokurori i Posaçëm Mueller pati në dispozicion të tij 19 avokatë dhe 40 agjentë të FBI-së që punonin me të, lëshoi më shumë se 2.800 thirrje për paraqitje, bisedoi me rreth 500 dëshmitarë dhe kreu gati 500 urdhra për bastitje.

Dhoma e Përfaqësuesve votoi njëzëri këtë muaj për një rezolutë e cila kërkonte që raporti i plotë i Mueller të bëhej publik. Shumë ligjvënës duan gjithashtu të shohin ndonjërën nga dëshmitë që e bënë Mueller të arrinte në përfundimet e tij, sidomos tani që Barr shkruan se raporti i Prokurorit të Posa]ëm Mueller “nuk e nxjerr të pafajshëm” zotin Trump, edhe nëse presidenti thotë të kundërtën.

 Duke folur në Aeroportin Ndërkombëtar të Palm Beach në Florida, Trump deklaroi: “Është një turp që vendi ynë duhet të kalonte këtë,” shtoi ai. “Të jem i sinqertë, është një turp që presidenti juaj duhet të kalonte këtë.”.

Duke e përshkruar në mënyrë të përsëritur hetimin si një gjueti shtrigash, Trump tha se  e gjithë përpjekja kishte dështuar.

Senatori republikan Lindsey Graham, i cili ka qenë kritik ndaj presidentit në të kaluarën, shkroi në Twitter se ishte një “ditë e madhe për Presidentin Trump dhe ekipin e tij”.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë Kellyanne Conway i shkroi presidentit “Urime” në Twitter duke thënë: “Sot ju fituat zgjedhjet e vitit 2016 dhe morët një dhuratë për zgjedhjet 2020.”

Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov u tall duke thënë: “Më kujtohet fjalët e filozofit kinez që thoshin se është e vështirë të gjesh një mace të zezë në një dhomë të errët, veçanërisht nëse nuk është atje”.

Aleksei Pushkov, një anëtar i shtëpisë së sipërme të Rusisë, shkroi: “Demokratët, rusofobët dhe mediat kryesore krijuan një komplot virtual që ekzistonte vetëm në kokat e tyre dhe në titujt e mediave, askund tjetër”.