Shkelja e afateve ligjore nga ana e PD dhe LSI-së mund të zgjidhet me marrëveshje politike nëse ka vullnet politik.
Ish-kryetar i KQZ-së shprehet se mosdërgimi i listave për komisionerë zgjidhet nga Kodi, pasi i lind e drejta KQZ-së që të emërojë persona nga shoqëria civile.
Mosrespektimi i afateve ligjore në Komisionin Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet lokale të 30 qershorit nga ana e PD dhe LSI-së nuk është një veprim i paprecendentë në situatën politike.
5 ditë më parë opozita nuk depozitoi listat për komisionerë në KZAZ në afatin e përcaktuar, por ish-kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, tregon që Kodi Zgjedhor i jep mundësi partive politike edhe një tjetër afat.
“Nëse partitët e të njëjtit spektër politik, asnjëra prej tyre nuk çon propozimet në KQZ për anëtarë të KZAZ-ve apo dhe Komisioneve të Qendrave të Votimit, KQZ ka pastaj të drejtën të caktojë kryesisht anëtarë të këtyre komisioneve. Por në momentin që partia që ka këtë të drejtë kërkon që ta shfrytëzojë, kjo e drejtë i rikthehet.”
20 prilli është afati i fundit kur partitë duhet të regjistrohen në KQZ për të marrë pjesë në zgjedhjet. Në rast se do të shkelet ky afat, zgjidhja është marrëveshja politike.
“Nuk mund të injorojmë dhe precedentët në lidhje me këtë situatë. Në zgjedhjet e kaluara ligji u injorua në lidhje me këtë aspekt dhe regjistrimi i partive politike u bë tej afatit të përcaktuar nga ligji zgjedhor.”
Në kohën kur opozita bojkoton Parlamentin dhe KQZ, vijojnë rrjedhjet nga listat e saj.
Pas 4 deputetëve që u betuan një javë më parë, edhe 2 të tjerë pritet të marrin mandatin.
Aleati i Bashës, Adriatik Alimadhi në Qarkun e Vlorës dhe Arben Elezi kandidat në Elbasan kanë dorëzuar formularin e dekriminalizimit në KQZ.
Nga lista e LSI-së në Qarkun e Shkodrës pranoi mandatin edhe Amra Barova, duke e çuar në 99 numrin e deputetëve në Parlament.