MENU
klinika

Të dhënat

Rezerva valutore/ Çfarë synon Banka e Shqipërisë?

23.03.2019 - 15:37

Banka e Shqipërisë synon të rrisë fitimet nga investimi i rezervës valutore të vendit. Sipas strategjisë afatmesme të zhvillimit 2019-2021, përmirësimi i rezultatit financiar nga investimi i rezervës do të bëhet duke diversifikuar më shumë spektrin e instrumenteve financiarë ku ajo investohet.

Në epokën e interesave të ulëta, sigurimi i fitimeve nga rezerva valutore ka qenë i vështirë, edhe duke pasur parasysh që kjo rezervë nuk mund të investohet në instrumente me rrezik të lartë.

Kryesisht, kjo rezervë është investuar në tituj borxhi të qeverive.

Megjithatë, gjithnjë duke ruajtur një profil të kujdesshëm rreziku, Banka e Shqipërisë parashikon që të shtojë gamën e instrumenteve ku kjo rezervë investohet, si për shembull tituj borxhi të mbuluar me kolateral financiar apo me me pasuri të paluajtshme, obligacione të lidhura me normën e inflacionit apo kontrata të të ardhmes (futures).

Në fund të vitit të kaluar, rezerva valutore arriti në 3.4 miliardë euro, me një rritje vjetore 13% ose 403 milionë euro në vlerë absolute.

Që nga viti 2013, rezerva valutore është rritur me rreth 70%. Shqipëria mban aktualisht një rezervë valutore që mbulon rreth katër herë deficitin vjetor të llogarisë korrente.

Qëllimi kryesor i rezervës valutore është pikërisht mbulimi i nevojave emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj.

Gjithashtu, rezerva valutore mund të përdoret në raste të luhatjeve të forta në kursin e këmbimit, të cilat mund të përbëjnë shqetësim për stabilitetin makroekonomik të vendit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kërkesa në stanjacion

42.5% e bizneseve me borxhe