MENU
klinika

Albert Çaçi

Rizgjimi i një konflikti latent

01.03.2019 - 10:00

Javën e shkuar grupi terrorist Jaish-e-Mohammad, i lidhur me Al-Qaedën  me bazë në Kashmirin pakistanez goditi një autokolonë indiane në Kashmirin indian, duke vrarë 45 ushtarë indianë.

Kundërpërgjigja e Indisë ishte një bombardim i  20 avionë Mirage-2000 dhe Su-30 MKI brenda territorit pakistanez, duke eleminuar 350 terroristë.

Të nesërmen aviacioni pakistanez PAF rrëzoi 2 avionë indianë Mig-21 të IAF, dhe si kundëreagim po atë ditë një MIG-21 indian rrëzoi një F-16 pakistanez .

Aktualisht ka një mobilizim ushtarak dhe lëvizje masive të tankeve T-72 indiane drejt kufirit pakistanez, që po  i kundërpërgjigjet me të njëjtën mënyrë duke zhvendosur drejt kufirit indian tanket Al-Khalid.

Bëhet fjalë për lëvizje operative të dy nga ushtrive më të armatosura të globit, që për më tepër të pajisuara me nga mbi 120 testata nukleare secila.

Tani gjithë opinioni publik botëror është i shqetësuar, pasi shtrojnë një pyetje se si ka mundësi që këta dy vende në një konflikt mbi 70-vjeçar midis tyre, kanë një armatim bërthamor të këtij niveli, të fituar mbas viteve 90, duke shkelur gjithë konventat ndërkombëtare dhe askush nuk tha një fjalë të vetme?  

Asnjë rezolutë e OKB, asnjë dënim të paktën verbal, asnjë sanksion ekonomik, asnjë inspektim i AIEA (Agjensia Internacionale për Energjinë  Atomike). Deri tani secili i ka kaluar nga 120 mbushje bërthamore (Koreja e veriut mendohet se ka nga 6-10 testata) dhe vazhdojnë të pa shqetësuar në një rivalitet me njëri-tjetrin ta shtojnë potencialin në mënyrë të frikshme.

Por ç’ndodh realisht sot midis Indisë (1,339 miliard banore, GDP 7,2 triliard USD në terma  PPA) dhe Pakistanit (209 milionë banorë,GDP  540 miliard USD në terma PPA)?

Që nga 15 gushti i vitit 1947, kur të dy vendet fituan pavarësinë nga Britania  kanë 70 vjet që urrehen midis tyre dhe çojnë përpara një konflikt kompleks, shpesh herë të dhunshëm dhe shumë të vështirë për tu zgjidhur. Ky praktikisht është një nga konfliktet me të gjata të epokës moderne.

Mbas mbarimit të Luftës së Dytë, Mbretëria Britanike vendosi ndarjen e Indisë në 3 pjesë dhe dhënies së 30% të popullsisë myslimane të drejtën e krijimit të shtetit të pavarur në dy entitete, duke synuar t’i ndajë nga indutë. Në veriperëndim Pakistani i sotëm dhe në verilindje Bengala, (Bangladeshi i sotëm), ndarë njeri me tjetrin nga 2000 km distancë. Por lugina e Kashmirit prej 135 km në lartësi 1500 metra që përbëhej kryesisht nga myslimanë i ngeli Indisë dhe Pakistani e kontestoi dhe që në fillim të krijimit të shteteve filluan të konfliktohen. Ka mbi 70 vjet që ky konflikt nuk është zgjidhur, pasi tashmë është  shndërruar edhe në një konflikt të hapur fetar midis myslimanëve dhe induve. Vendet kanë zhvilluar 3 konflikte te armatosura ndërmjet tyre në 1947, 1965, dhe 1971, që çuan edhe në ndarjen e Bangladeshit të sotëm nga Pakistani perëndimor.

Pakistani i ndodhur në inferioritet si njerëzor ashtu edhe ekonomik për tu mbrojtur iu drejtua armatosjes bërthamore dhe India ishte e detyruar t’i përgjigjej kësaj sfide. Megjithëse konflikte në pjesën më të madhe të kohës ka një formë latente ai ngelet i pazgjidhur dhe incidentet janë pothuasje të përditshme duke rrezikuar në çdo moment një konfrontim të mirëfilltë ushtarak.

Ndërsa gjithë bota flet për Korenë e Veriut si një konflikt që mund të zhysë botën në një kaos atomik, dallohet qartë edhe hipokrizia e gjithë sistemit politik ndërkombëtar. India dhe Pakistani, dy vende në gjendje lufte midis tyre vazhdojnë të zhvillojnë programe nukleare në avantguardë  dhe të testojnë raketa balestike në gjendje të trasportojnë mbushje  atomike njëri kundër tjetrit.

Pikërisht muajt e fundit testet balestike janë intesifikuar nën indiferencën mbarëbotërore.

India në dhjetorin e shkuar kreu testin e fundit të raketës balestike Agni-V me peshë 50 ton 17 metra të gjatë në gjendje të trasportojë mbushje bërthamore deri në distancë 2500 Km. Një test ky që i jep Indisë çelësat e klubit të vendeve që mund të zhvillojnë një luftë nukleare interkontinentale. Një test fondamental për sigurinë kombëtare të Indisë.

Dhe të mendosh që India është në gjendje lufte me Pakistanin për Kashmirin dhe në fërkime serioze me Kinën për kufirin, dhe me këtë tip rakete mund të godasë me 120 mbushjet e saj bërthamore të dy këta shtete, që janë edhe fuqi bërthamore.

Nga ana e tij, Pakistani që ndjek me shumë vëmendje çdo lëvizje të Indisë dhe që ka një potencë nukleare me të madhe se India me 140 testata, vazhdon t’i rrisë ato. Në vitin 2018, Pakistani testoi me sukses raketën Babur-3, që mund të trasportojë testata atomike në distancë 450 km. Diferenca midis testeve indiane ishte se kjo ishte provë SLBM ( nga nëndetëset), që e bën këtë distancë shumë më të rrezikshme.

Për ta bërë akoma me intriguese situatën, ishte dhe deklarata e fundit e ish-presidentit të Pakistanit Musharaf që deklaroi se me 2002, mbas sulmit në parlamentin indian, Pakistani karikoi mbushjet e tij bërthamore dhe ishte pothuasje gati për të sulmuar Indinë pasi kishte frikë se ajo do godiste e para.

kolana e librave

Edhe India nga ana e saj nuk ka mohuar faktin që në 2008 kur grupi islamik Lashkar-e-Taiba vrau qindra persona në Bombei i dërgoi ultimatum qeverisë së Pakistanit se kishte mobilizuar ushtrinë për të pushtuar Pakistanin, duke mos hezituar edhe përdorimin e bombave bërthamore.

Skenare alucinante që konsumohen në indiferencën hipokrite të gjithë komunitetit ndërkombëtar.

Praktikisht të gjithë bëjnë llogaritë për përfitimet e tyre si ekonomike por në radhë të parë gjeopolitike.

Kina nuk flet, pasi i intereson që aleati i saj Pakistani të forcohet duke shërbyer si kundrapeshë ndaj Indise që ka filluar të sfidojë edhe Kinën.

SHBA nuk flet, se mendon se një Indi e fortë bërthamore mund të kundërbalancojë Kinën në skakierën gjeopolitike të “gjeometrisë variabël”.

Rusia mbështet Indinë, duke i shitur S-400, avionët modernë Su-30 MKI, 500 tanke moderne T-90, i jep me qira nëndetëset bërthamore Akula dhe i shet centrale atomike me vlerë 24 miliard dollarë. Por nga ana tjetër ka zbutur marrëdhëniet edhe me Pakistanin, si aleatin e Kinës me të cilën synon një aleancë strategjike ne varësi të evolimit të marrëdhënieve me SHBA.

Britania dhe Franca nuk janë më në gjendje të bëjnë politikën botërore si njëherë e një kohë dhe nuk i dalin dot përpara SHBA, por edhe ata kanë interesa ekonomike. Kështu  Franca po i shet 36 avionet Rafale Indisë dhe nga ana tjetër i shet nëndetëset Pakistanit. Anglia  ka lidhje shumë të fuqishme ekonomike me dy ish-kolonitë e saj, ndërsa Gjermania do t’i shesë Pakistanit nëndetëset e saj moderne U-214.

Problemi është se me këtë indiferencë që fsheh interesa ekonomike, herët  a vonë të gjithë do të duhet të bëjnë llogaritë me situata të pakontrolluara si kjo e tanishmja.

Tolerimi që iu bëri komuniteti ndërkombëtar për armatosjen bërthamore, për arsye të përfitimeve gjeopolitike dhe ekonomike tashmë ka sjellë këtë gjendje, ku janë alarmuar të gjithë.

Por, ka edhe një problem tjetër shumë të komplikuar. Neglizhenca që iu bë Indisë dhe Pakistanit po nxit një dëshirë të shumë vendeve për të ndjekur këtë rrugë.

Turqia ka nisur ndërtimin e centralit atomik të Akkuy me një vlerë prej 22 miliard dollarë nga Rusia dhe shumë shpejt sipas informacioneve të fundit po mendon seriozisht për të marrë vendimin për të zhvilluar armë bërthamore.

Kush do ta ndalojë Turqinë kur heshtin për Indinë dhe Pakistanin? Ç’do të bëjnë? Do t’i vendosin sanksione si ndaj Koresë?

Të njëjtën gjë po bën edhe Egjipti, i cili po nis ndërtimin e centalit të tij bërthamor nga Rusia në El-Dabaa, për 25 miliard dollarë. Edhe ai  po planifikon   të shkojë drejt pajisjes me këto armë.

Ç’do të bëjnë me të? Fakti që Israeli në kufi ka mbi 100 testata dhe askush se kontrollon, kush do të bllokojë Egjiptin? Më tej Arabia Saudite që ka mundësi financiare të pafundme nuk mund të pranojë që në Lindjen e Mesme tre shtete të tentojnë paisjen me armë bërthamore dhe ajo të rrijë dhe vështrojë. Dhe akoma më tej. Ç’do t’i thonë Iranit, kur të gjithë fqinjët e tij mund të tentojnë armatosjen bërthamore. Pra thjesht një vazo e madhe Pandore që po hapet me shpejtësi.

Megjithatë, duke u kthyer tek konflikti indo-pakistan, rreziku më  i madh aktualisht vjen nga Pakistani, që për shkak të diferencës me ushtrinë indiane (India ka reth 3,8 milion ushtarë dhe rezerviste, paramilitarë, 2185 avione, 4400 tanke, 295 luftanije, kundrejt Pakistanit që ka 2,1milion ushtarë dhe paramilitarë, 1280 avionë, 2180 tanke, 197 luftanije) mund të nisë e para përdorimin e armëve bërthamore.

Aktualisht si SHBA, ashtu dhe Kina, dhe Rusia janë angazhuar maksimalisht, që duke përdorur influencat e tyre, për të mos lejuar përshkallëzimin e situatës.

Dje Pakistani bëri një hap pozitiv duke dorëzuar pilotin indian të Mig-21 të rrëzuar  dhe kjo bën të shpresohet se të dy palët kanë kuptuar se nga një lufte e tillë, të dy do të dalin të dëmtuar rëndë pasi një luftë frontale zor se do të ketë fitues.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Albert Çaçi

Super OPEC